Nga Red VARAKU
Tre efekte pozitive që po prodhon strategjia e Ramës për të përçarë opozitën
Strategjia e Ramës për të përçarë opozitën, nëpërmjet heqjes së koalicioneve, po prodhon efekte krejt të kundërta.
Efekti i parë ka të bëjë me unifikimin e faktorit opozitar. Ndryshimet e njëanshme kushtetuese me qëllim trafikimin e vullnetit të qytetarëve, ka alarmuar të gjithë agjentët demokratikë të vendit dhe po shërben për bashkimin dhe unifikimin e qëndrimit jo vetëm të opozitës, por të çdo faktori opozitar.
Në fakt, beteja e re që Rama po imponon, po krijon nevojën e një bashkimi më të madh të shqiptarëve, që i tejkalon partitë, dhe kjo është pikërisht, gjëja më e padëshirueshme, që ai do të donte të arrinte me këto ndryshime.
Në rrethana të tilla, kur Rama po bën gjithçka për vjedhjen e zgjedhjeve, duke filluar nga ndryshimet kushtetuese, zhvendosjet e qytetarëve nga qendrat e tyre të votimit, marrja e kartave të identitetit apo presioni kriminal dhe policor mbi administratën dhe qytetarët, të gjithë e kanë kuptuar se kush është problemi
Pra, përmes këtyre taktikave, në vend të dekurajimit, po i inkurajon qytetarët të mos shikojnë më kë kanë në krah, por kë kanë përballë. Dhe përballë çdo vlere opozitare në Shqipëri sot është një sekt që po tenton të bllokojë rrotacionin duke prishur zgjedhjet.
Pra, pa dashje ai ka prodhuar një super aleancë opozitare, e cila do të sjellë jo vetëm një rezultat të thellë, por dhe shmangien e relativizimit të së keqes që mund i kërcënohet zgjedhjeve shqiptare.
Efekti i dytë ka lidhje me moblizimin e faktorit ndërkombëtar kundër mazhorancës. Edi Rama arriti të prodhojë një debat tërësisht kundër tij, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në politikën zyrtare të SHBA dhe Bashkimit Evropian. Kjo ka sjellë rritjen e presionit ndërkombëtar, i cili ka paralajmëruar sërish moshapjen e negociatave këtë dhjetor.
Qëndrimi korrekt i opozitës ka marrë miratimin në heshtje nga politika zyrtare e SHBA dhe BE, dhe Rama ka mundur të mobilizojë kundër saj vetëm ndërkombëtarë, të cilët operojnë thjeshtë si klientë të kësaj qeverie.
Ndërsa, efekti i tretë ka të bëjë me rritjen e bindjes së qytetarëve ,që rilindja është e keqja më e madhe e këtij vendi dhe duhet ndëshkuar fort me votë. Ajo ka shtuar vetëdijen se opozita ka nevojë për një shumicë absolute mandatesh në mënyrë, që ajo të ketë mundësi të zhbëjë të gjitha çmenduritë e këtij gjysëm parlamenti dhe Shqipëria të mos gjendet sërish në të njëjtën krizë pas këtyre zgjedhjeve.
Pra, strategjia e Ramës për të përçarë opozitën, nëpërmjet heqjes së koalicioneve, po prodhon një super aleancë opozitare dhe qytetare njëkohësisht.
Ajo po prodhon një çarje përfundimtare të Ramës me Perëndimin dhe një vetëdije se ky sekt është e keqja më e madhe e këtij vendi dhe metastazat e tij duhen pastruar përmes një mazhorance, që duhet të jetë ndër më të mëdhatë e këtyre 30 vjetëve.
Kjo jo vetëm për të zhbërë marrëzitë e mazhorancës aktuale dhe për të krijuar mekanizma për të mos “rilindur” përbindësha të tillë, por për t’i dhënë fund tranzicionit shqiptar, nëpërmjet kalimit të drejtimit të vendit në duart e një brezi të ri.