Nga Bato Kosova
Sali Berisha ka nisur një valë të re sulmesh ndaj Lulzim Bashës dhe Altin Dumani, në mënyrë të njëkohësishme.
I pari është politikani që i bëri sfidën më të madhe të ekzistencës së tij- Berishës, kur e pezulloi nga grupi parlamentar i PD-së dhe më vonë e përjashtoi nga partia, pas shpalljes së tij non grata nga SHBA-ja. Lufta e Berishës ndaj Bashës në teori, duhet të kishte marrë fund më 11 qershor, kur Gjykata e Apelit i dha atij vulën me një vendim që shkelte atë që kishte kërkuar Gjykata e Lartë për çështjen, pra një shqyrtim në themel të dosjes.
Sjellja e Gjykatës së Apelit ishte produkt i paktit të arritur mes Ramës dhe Berishës muaj më parë, kur u bënë bashkë për të amnistuar të të dënuarit për korrupsion dhe për mbylljen e listave, në vijim të marrëveshjes të nisur në prill të vitit 2008. Pas vendimit për vulën, Berisha duhet të merrte frymë i çliruar, sepse me Ramën në krah, arriti të mbetej në lojë, por nuk është kështu.
Paçka se i ka të gjitha, ai vijon të sulmojë ashpërsisht Bashën pasi qëndresa e tij përballë Berishës dhe Ramës, përbën një rrezik për planet e ish-kryeministrit, i cili kërkon të krijojë shtratin politik dhe procedurial, për t’i lënë partinë njerëzve të tij apo familjarëve biologjik.
Basha sfidues, me struktura në të gjithë Shqipërinë dhe gati për të hyrë në zgjedhje me një formulë si ajo që vetë Berisha përdori kur nuk kishte vulën; Basha me kontakte ndërkombëtare që po intensifikohen paçka përpjekjes së Berishës për ta treguar veten si legjitim; Basha me një retorikë të qartë kundër riciklimit të Berishës, e paralelizuar me rikthimin e tij në PD me rrëmbimin e kompleksit Partizani, prish planin e Berishës për të ardhmen.
Kështu që sulmet ndaj kreut të Demokratëve Euroatlantikë janë tregues i frikës të Sali Berishës, i cili e di më mirë se ushtarët që i aviten symbyllurazi, se çfarë e pret në muajt në vijim.
Ndjekësit e vëmendshëm të politikës e kanë vënë re grimasën e Berishës, që tashmë me vulë dhe në liri, është po aq i nxirë sa kur ndodhej në katin e tetë. Kjo ndodh, sepse ai e kupton që mashtrimi që ka përhapur me lirimin e tij dhe me fitoren e Trump, janë gënjeshtra momentale, që do marrin përgjigje shumë shpejt.
Ndërsa çarja që lëvizja e tij revanshiste në PD është shumë më e thellë dhe nuk mbushet dot me blerjen në pazar të disa deputetëve, të cilët përfaqësojnë vetëm emrin e tyre. Berisha e di po aq mirë se avancimi i akuzave nga ana e SPAK, nuk është diçka që mund të arkivohet me mashtrime bajate, por janë fakte kokëforta me të cilat do të përballet në gjykatë, duke e zhveshur lakuriq narrativën e të përndjekurit politik, paratë e të cilit janë zbuluar në kryeqytete të ndryshme të Europës.
Berisha e di po ashtu, që marrëveshjet që ai ka bërë me Ramën për të mbajtur veten në krye të opozitës dhe Ramën në pushtet, kanë shkatërruar imazhin e tij në publik tek demokratët, po aq sa kanë dëmtuar imazhin e Ramës të socialistët, të cilët e kanë kuptuar tashmë se “armiku” jetëgjatë i socialistëve u mbajt në këmbë nga vetë kryetari i tyre përmes marrëveshjeve okulte.
Afrimi i zgjedhjeve, e vendos Berishën në pamundësi për të shmangur Bashën ndaj ai po e sulmon, sepse nuk arriti dot ta asgjësojë përgjatë këtyre tre viteve dhe ndryshe nga të tjerët, Basha nuk ka hequr dorë nga beteja e drejtëpërdrejtë më atë. Basha jo vetëm ka çuar për rekurs në Gjykatën e Lartë vendimin për vulën, por ka deklaruar se do ta ndjekë deri në Strasburg po qe e nevojshme, dhe po me kaq vendosmëri e ka sfiduar Berishën në zgjedhjet e ardhshme, ku ndryshe nga ai që mbylli listat në bashkëpunim me Ramën, Basha ka shpallur se do të kandidojë me lista të hapura.
Berisha ka frikë nga kontrasti që i shkakton Basha, i vjetri kundër të riut, i sanksionuari nga SHBA-ja kundër të gjithëpranuarit në Perëndim, i pandehuri që sulmon SPAK-un kundër personit që e mbështet atë, politikani që ka vendosur interesin personal mbi atë publik kundër politikanit që sakrifikoi nga vetja për të mbrojtur PD-në. Ky ndryshim i madh mes të dyve është arsyeja pse Berisha ka ende frikë nga Basha, si dy njerëz që i flasin dy epokave të ndryshme, njëri të shkuarës dhe tjetri të ardhmes.
Po ashtu sulmet e ashpra ndaj Altin Dumanit janë tregues të frikës nga ajo që e pret Berishën, në muajt në vijim. Retorika e tij është bërë edhe më e ashpër që nga dita që SHBA e shpalli kampion global të antikorrupsionit, pasi ka nisur ta sulmojë edhe familjarisht kreun e SPAK. Një akt i mirëmenduar kriminal përmes të cilit përpiqet të shantazhojë drejtësinë, që ngjason më shumë me stilin e mafias se sa ato të një politikani.
Frika e Berishës nga drejtësia dhe sulmet e papranueshme ndaj Dumanit, e kanë kthyer atë në një individ edhe më të izoluar ndërkombëtarisht, edhe më të margjinalizuar nga elektorati, që në çdo sondazh, mes politikanëve të vjetër e të korruptuar dhe SPAK, mbështet në mënyrë plebishitare SPAK-un.
Kjo sjellje nga ana e Berishës është vetëvrasje politike, e cila nuk do të kishte kuptim pa marrë parasysh se si, i pandehur dhe në pritje të akuzave të reja, që priten të ngrihen, ai nuk ka hallin e elektoratit, as të zgjedhjeve, por të përballjes së tij me drejtësinë.
Prandaj Basha dhe Dumani janë sot njëkihësisht në syrin e ciklonit të Berishës.
Një drejtësi e legjitimuar nga mbështetja e madhe ndërkombëtare dhe qytetare është makthi i Berishës, i cili punon intensivisht për delegjitimimin e saj. Ky aksion i Berishës po dështon me sukses, në veçanti pas vlerësimit që Dumani mori nga Departamenti Amerikan i shtetit, i cili e vendos ish-kryeministrin, që DASH cilëson një kampion të korrupsionit, përballë kampionit të anti-korrupsionit. Një vlerësim që e tërboi Berishën, pasi aty ku dalta e tij e voglë u përpoq të hiqte cifla nga ngrehina e drejtësisë, amerikanët i investuan edhe njëherë fuqishëm tek investimi i tyre i madh për fundin e pandëshkueshmërisë, duke i bërë të paprekshme arritjet e SPAK, e duke i dhënë një hov të ri për të ardhmen.
Ata janë kërcënimet e tij imediate, ndërsa Rama mbetet aleati i tij i vetëm në përballjen me të dy./Alfapress.al