Pasnesër mblidhen në Tiranë të gjithë protagonistët e ndarjes së Kosovës. Zyrtarisht mikpritës do të jetë presidenti i Republikës, sepse ai ka bërë ftesat për mbledhjen në kuadët të iniciativës Brçko. Por jozyrtarisht do të ketë takime informale në grup ose veç e veç midis protagonistëve të iniciativës së krijimit të Serbisë së Madhe, përkatësisht Edi Ramës si nikoqir, Hashim Thaçit si pretendent i autorësisë së ndarjes së Kosovës, Aleksandër Vuçiq si ideator dhe sponsor i projektit kundër integritetit territorial të Kosovës, ndoshta kreut të presidencës Boshnjake, Dodik dhe të rekrutuarës në këtë projekt antishqiptar, zonjës Frederica Mogherini. Nuk do të mungojnë gjithashtu të gjithëditurit, enciklopedistët dhe eruditët e mëdhenj, Baton Haxhiu e pionieri Gent Cakaj.
Të gjithë këta janë rreshtuar prej kohësh në korin e korbave të ndarjes së territorit të shtetit më të ri në Europë, Kosovës. Të gjithë këta jo vetëm do të argëtohen së bashku në Tiranë, por do të përpiqen gjithashtu të gjejnë mënyra e mjete për ta rikthyer në tavolinën e bisedimeve idenë e ndarjes së Kosovës përmes të ashtuquajturës korrigjim i kufijve.
Por cilët prej tyre janë përgjegjës kryesorë për këtë? Disa kanë shpallur se do të protestojnë kundër ardhjes në Tiranë të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq dhe kryetarit të Presidencës boshnjake, Milorad Dodik.
Në analizën time ky veprim është i gabuar. Eshtë i gabuar se Vuçiq shkon vazhdimisht për vizitë në Kosovë dhe nuk ka arsye kur shkon në Kosovë, të mos vijë në Shqipëri. Ndërkaq organizatorët e kësaj proteste asnjëherë nuk janë angazhuar në një protestë kundër tij në Kosovë.
Së dyti, ndonëse Vuçiq është ideatori i ndarjes së Kosovës, këtë projekt antishqiptar ai deshi dhe do të dojë ta implementojë me shqiptarët – antishqiptarë me emrat Hashim Thaçi, Edi Rama, Baton Haxhi Stanishiqi dhe Gent Cakaj. Nëse këta shqiptarë – antishqiptarë nuk trazohen në veprimtarinë e tyre kundër tërësisë territoriale të Kosovës, pse u dashka të kundërshtohet presidenti i Serbisë?!
Sa i përket Milorad Dodik duhet thënë se ai është një ndër aktorët që ka ndikuar në Perendim e posaçërisht në Europë që të dështojë plani për ndarjen e Kosovës. Dodik gjatë gjithë kohës së këtij debati deklaroi se nëse Kosova bashkohet me Shqipërinë, atëherë edhe Republika Srpska do të bashkohet me Serbinë. Ato që ne kundërshtarët e shkëmbimit të kufijve i artikuluam vazhdimisht i përçoi me mesazhet e veta te Fuqitë e Mëdha vetë kreu u serbëve boshnjakë. Ishte kjo një ndihmë për ne. Dodik së paku nuk u mor me intrigat e Thaçit, Ramës dhe Baton Stanishiqit, nuk u përpoq të fshehë qëllimet e tij as para popullit serb, as para opinionit ndërkombëtar! Madje thuhet se Batoni ishte ankuar në Beograd te Vuçiq se Dodik po i bën dëm projektit të ndarjes së Kosovës!
Atëherë pse u dashka të protestohet kundër kreut të presidencës boshnjake?! Ata që desh e realizuan projektin serb të ndarjes së Kosovës ishin shqiptarët – proserbë të Kosovës e të Shqipërisë. Mjetet që ata përdorën ishin tipike ortodokse, mashtruese, me intrigime dhe çvendosje permanente drej qëllimit të Beogradit. Ishin kryeministri i Shqipërisë, presidenti i Kosovës dhe lakejtë e tyre, spiunë të Beogradit.
Atëherë vijmë te konkluzioni se protestat duhen drejtuar kundër këtyre, përkatësisht kundër Edi Ramës në Tiranë dhe Hashim Thaçit në Prishtinë. Nëse me datën tetë maj organizohet ndonjë protestë, ajo duhet ti drejtohet kryeministrit Rama, për ti kërkuar atij llogari për tradhtinë që tentoi tia bëjë Kosovës. Po kështu i duhet kërkuar hesap Hashim Thaçit.
Nëse nuk ndodh kjo dhe devijohet një protestë e tillë, atëherë do të kemi të bejmë me një protestë politike, por jo kombëtare dhe patriotike. Politike, sepse organizatorët besojnë se fitojnë më shumë votues kur protestojnë kundë Vuçiq apo Dodik, sesa nëse do të protestonin kundër Edi Ramës dhe Hashim Thaçit.
E ritheksoj se pas qershorit 1999 shqiptarët nuk kanë e nuk do të kenë me ndonjë rrezik të jashtëm. Këtë ma ka përforcuar anëtarësimi i Shqipërisë në NATO më 2009-ën. Nëse shqiptarët nuk përparojnë, nuk ndjehen të sigurt, nuk ushtrojnë sovranitetin e tyre në të gjithë territorin e tyre, kjo vjen për shkak të politikave të mbrapshta të lidershipit në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni ose Mal të Zi e Luginën e Preshevës. Në rastin konkret duhet të ndëshkohet ajo pjesë e lidershipit shqiptar që u investua në projektin e Serbisë së Madhe përmes ndarjes së Kosovës.