Pse të rinjtë duhet t’i bashkohen protestës mbarë qytetare të 16 Shkurtit?

Stiliano RUSHAJ

Të protestosh është një e drejtë që buron nga vetë kushtetuta, ligji themlor për çdo shtet që përpiqet të garantojë një rend demokratik dhe të konsolidojë një shtet të së drejtës për çdo qytetar. Shqipëria këto vitet e fundit ka pësuar një regres të dukshëm për shkak të një modeli të gabuar të zhvillimi ekonomik e social të bazuar në qeverisje me tipare klienteliste dhe aspak tranparente. Poashtu modeli politik i Rilindjes është në koherencën të plotë me përpjekjen për të rivijëzuar konturet e institucioneve demokratike e kushtetuese të ndërtuara tashmë prej fillimit të viteve 90’, duke e gërryer në vënd të konsolidojë proçesin e demokratizimit të vendit.
Ndaj dhe protestat e studentëve që nisën si një “Dhjetor të dytë” kishin në thelb një kundërshtim ndaj këtij modeli jo të drejtë e në dëm për qytetarët. Ndonëse jo të artikuluara qartë apo të privuara nga ndikimi i grupeve afër qeverisë, arsyet kryesore pse të rinjtë nisën të protestonin ishin ekonomike dhe politike njëherazi. Ekonomike sepse modeli i gabuar ekonomik rrit barrën e taksave për qytetarët por centralizon në mënyrë korruptive rishpërndarjen e tyre vetëm tek një grusht oligarkësh. Ndërsa politike, sepse me kapjen e sistemit të votës së lirë dhe të drejtë, kompromentohet i gjithë proçesi demokratik dhe konsolidimi i shtetit të së drejtës. Në këtë kuptim 16 Shkurti duhet ti bëjë bashkë studentët e të rinjtë e “Dhjetorit të dytë” për t’iu bashkuar një proteste mbarë qytetare e cila kërkon të rikthejë shpresë dhe zhvillim për dy arsye thelbësorë në funksionimin e një Shqipërie të drejtë.
I. Të rinjtë duhet ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri. Të rinjtë, profesionistët vazhdojnë të largohen masivisht nga Shqipëria. Mundësia për një arsimim cilësor dhe meritokratik është zbehur dukshëm. Nga ana tjetër, mundësitë për tu punësuar apo vetëpunësuar në sektorin privat janë bërë poashtu të pamundura për shkak të një regjimi taksash aspak të drejtë e favorshëm dhe nga mungesë e theksuar investime të huaja.

Ndërkohë që në Shqipëri, afro një brez i tërë është zhdukur këto 6 vitet e fundit, aq sa sipas një studimi të Bankës Botërore, grupmosha më vitale e popullsisë 15-25 vjeç është zvogëluar nga 25% e popullsisë së përgjithshme në vetëm 20% të popullsisë së përgjithshme. Këta të rinj që i ikin Shqipërisë dhe përfundojnë në vendet e BE, si Gjermania vetëm vitin e fundit kanë qënë një kontribues i rëndësishëm për rritjen ekonomike.
Në Shqipëri rritja ekonomike nuk mund të ndihet nga qytetarët pasi kontribuesit kryesor janë tranzaksionet apo paratë që kanë burim nga trafiqet e lëndëve narkotike dhe ato të korrupsionit qeveritar. Ndërsa në Gjermani të rinjtë e të rejat që kanë emigruar vitin e fundit, sipas Institutit Gjerman për Kërkime Ekonomike (DIW) i kanë sjellë rreth 1/7 e rritjes ekonomike ose 0.2% nga 1.5% rritjë reale që ka patur vendi. Për ta kontekstualizuar, ekonomia e Gjermanisë është rreth 300 herë më e madhe se ekonomia e vendit tonë, ndaj dhe një shtim prej 0.2% do të thotë plotë 6 miliard euro, ose 3/5 e gjithë ekonomisë sonë, apo 2 buxheti shteti të njëpasnjëshme.
Ndaj nëse do të vazhdohet në këtë mënyrë, duke mos tu garantuar asnjë e ardhme për të rinjtë, ata të detyruar do vazhdojnë të largohen nga vendi i tyre masivisht duke kontribuar në vende të tjera dhe jo në Shqipëri.
II. Të rinjtë duhet të kenë mundësi të votojnë në mënyrë të lirë dhe të drejtë. Qytetarëve duhet ti rikthehet pushteti legjitim i votës por vetëm nëpërmjet një qeverie që do mund t’ia mundësojë. Tashmë është e njohur botërisht jo vetëm nga raporti i OSBE-
OHDIR për zgjedhjet e 2017, apo dhe nga studimi i mbështetur prej Bashkimit Europian, që evidentonte se mbi 20% votave ishin tentuar të bliheshin apo ishin blerë përgjatë zgjedheve të përgjithshme të vitit 2017.

Së fundmi edhe instituti mirënjohur suedez “V-Dem”, pranë universitetit të Gotenburgut vlerëson se ndonëse Shqipëria shfaqet si një vend me demokraci liberale nga pikëpamja formale – pra me një ndarje pushteti, ekonomi tregu apo dhe institucione demokratike – në fakt standartet e votimeve janë jo vetëm disa herë nën ato të vendeve të Bashkimit Europian por dhe ato mbeten nën mesataren e vetë vendeve të rajonit të Ballkanit. Ky përkeqësim ka ndodhur sidomos vitet e fundit ç’ka është reflektuar edhe në mungesë të theksuar të debatit publik, e cila nga ana e saj ka prodhuar ligje anti-qytetare siç ishte ai për teatrin kombëtar (ligji Fusha), ligji për arsimin e lartë, apo dhe shumë projekte të tjera korruptive e jo transparente.
Gjithashtu rritja ekonomike që pretendohet nga qeveria, raporti e vë theksin, se nuk ka krijuar mirëqënie por përkundrazi ka shtuar pabarazitë socio-ekonomike, sepse në fakt shumica e popullsisë nuk kanë ndikim në politikat kryesore publike. Kjo në fakt është mjaft e evidentueshme nëse do të vëmë re ndarjen e buxhetit të shtetit, ku pjesën më të madhe e zënë shpenzimet për “PPP”, shpenzimet për konçensione e tendera për oligarkët e qeverisë qëndrore dhe ato të qeverisjes lokale dhe asgjë për mbështjetje të fermerëve, industrisë së lehtë dhe ushqimore, agro-turizmit, sipermarrësve të rinj, profesionistëve në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, etj.
Mungojnë në mënyrë të theksuar strategji dhe mbështetje direkte për të rinjtë, studentët, mësuesit, infermierët, mjekët, policët, pedagogët, pensionistët, naftëtarët, puntorët , etj.
Ndaj 16 Shkurti duhet ti bëjë bashkë të gjithë si qytetarë të këtij vendi për të kërkuar dhe protestuar që Shqipërisë ti rikthehet së pari e drejta për të votuar e zgjedhur në mënyrë të lirë dhe të drejtë, dhe së dyti të kenë mundësinë për të zgjedhur një model ekonomik i cili të jetë funksional dhe të sjellë zhvillim të qëndrueshëm për rininë, dhe për të gjithë qytetarët.

Exit mobile version