Mjaftuan dy humbje pas 40 ndeshjesh të shkëlqyera që tifozët e Realit të Madridit të shfaqnin pakënaqësinë ndaj lojtarëve të tyre. Kjo sjellje e fansave madrilenë ndodhi në “Bernabeu” gjatë fitores që Reali mori ndaj Malagës. Menjëherë pas sfidës, Zinedin Zidan e kritikoi ashpër vendimin e tifozëve për të vërshëllyer ekipin dhe tha se ata duhet t’i transmetojnë qetësi dhe mbështetje pa kushte në çdo moment. Trajneri i “galaktikëve” nuk u ndal me kaq, por urdhëroi që të gjithë futbollistët dhe stafi i tij të mblidheshin në dhomat e zhveshjes për të diskutuar këtë moment.
Për të kuptuar problemin dhe faktin pse tifozët janë të zhgënjyer nga skuadra, Zidan ka bërë një mbledhje, e cila ka zgjatur afro 10-15 minuta, ku trajneri ka folur përpara të tijve. Ai u ka kërkuar përqendrim maksimal dhe respekt ndaj tifozëve, të cilët, sipas tij, kanë një vend të rëndësishëm në ekipin madrilen.
“Unë e thashë edhe përpara gazetarëve që tifozët duhet të na transmetojnë dashuri dhe mbështetje. Duhet t’i kënaqim ata në çdo moment dhe të japim maksimumin në fushën e lojës”, tha Zidan përpara lojtarëve.
Gjatë kësaj mbledhjeje të shkurtër foli edhe kapiteni Serxho Ramos. Në qendër të kritikave të tifozëve të Realit ishin Ronaldo dhe Danilo, por në kampin madrilen i tremben faktit se kjo situatë mund të precipitojë. Kjo nuk është hera e parë që ndodh kjo situatë, por është e përsëritur për të disatën herë. Rafa Benitez u largua nga Reali pikërisht, sepse tifozët nuk e donin dhe kërkuan menjëherë shkarkimin e tij.
Ky është një nga momentet më të vështira që po kalon Kristiano Ronaldo me fanellën e Realit. Pas një viti fantastik që la pas, portugezi nuk është më ai i dikurshmi. Tifozët e vërshëllyen performancën e tij ndaj Malagës. Ai humbi dy raste të pastra, ku gjendej i vetëm përballë portierit Kameni.