Sali Berisha dhe njerëzit e tij ishin të karikuar se mitingu hapes i ditës së shtunë do të ishte i tillë që do të tërhiqte gjithë vëmendjen e demokratëve dhe qytetarëve njësoj si në 11 dhjetor 2021 por ajo çfarë u pa në stadiumin me kullë të Air Albania ishte komplet e kundërta.
Partia Demokratike që dikur angazhohej të kishte fushata që nisnin me mitingje të mëdha është reduktuar në një thelë. Për këdo që shihte stadiumin Air Albania aty nuk kishte as sa gjysma e atyre që janë pretenduar të ishin në 11 dhjetor 2021.
Një gjendje e mjerë dhe pa asnjë emocion dëgjohej në fjalimet e trishta dhe që mbusheshin nga ovacione të stisura nga ato pak që ende mendojnë se Berisha ka një të ardhme dhe se kjo e ardhme është me Metën. Ndërsa bodigardi përpiqej të mbulonte rrezet e diellit mbi fytyrën e Berishës, gorillat rreth tij duket se po shihnin nga lart nëse mbase koha me shi mund t’i jepte shpjegim dështimit të qartë që Berisha korri sot në çeljen e fushatës.
Arsyet e kësaj disfate duhet të lexohen tërësisht tek Sali Berisha dhe njerëzit e tij që kanë vendosur të djegin gjithë Partinë Demokratike për të shpëtuar të vetëshpallurin Steve Jobs nga çështjet penale. Shumë demokratë që edhe për një moment kanë besuar tek Berisha e kanë parë që ai nuk ka përzemër asnjë çështje të tyre por tërësisht hallet e tija. Prandaj kanë vendosur të distancohen dhe të mbajnë një qëndrim të largët dhe aspak miqësor me të.
Dëshpërimi është i dukshëm edhe në fytyrën e zëdhënëses së Sali Berishës që me gjithë sharmin dhe bukurinë e saj nuk mundi të elektrizonte turmën e madhe që ishte menduar në Stadiumin e mitingut anti-amerikan që në legjendën e Sali Berishës konsiderohet si stadiumi i rithemelimit të PD-së.
Kjo tkurrje që erdhi si pasojë e një krize të thellë identitetare e një njeriu që premtoi konservatorizmin dhe polli Belindin e Autobuzit Falas do të prodhojë pasoja për ardhmërinë e një koalicioni që është gjithnjë e më pak solid që pas ardhjes së Escobar në Tiranë.
Me sa duket shpresa e Doktorit mbetet ende tek Celibashi dhe artificat e tij ligjore që po përpiqen të përdoren nga Doktori dhe Ilir Metaj për të shpëtuar atë pak nder që mendojnë se u ka mbetur.
Foltorja dhe Partia e Lirisë në çiftimin e tyre me ç’duket prodhuan një mushkë që nuk bën as për të ngarkuar drutë e jo më për të mbushur një stadium.
Legjendat e Sali Berishës dhe Ilir Metës që mbledhin qindra mijëra shqiptarë në sheshe për të vazhduar revolucionin po përfundojnë në Berishën dhe Metën që mbledhin ato çunat e bandave që i mbushin sallat dhe familjarët e tyre. Mbase, po ta bëjnë pak më moderne mitingun e radhës ato çunat mund t’i sjellin edhe nga një zonjë, që së paku mitingu i tyre të mos ngjajë si mitingu i pensionistëve të lodhur!