Shkruar nga Manuel Funke, Christoph Trebesch & Moritz Schularick
Përgjatë dekadave të fundit, populistët janë ngjitur në pushtet në një listë të gjatë vendesh. Italia zgjodhi Silvio Berlusconin, ndërsa Turqia Recep Tayyip Erdoganin. Venezuela kishte deri disa vite më parë Hugo Chavez dhe tani Nicolás Maduro. Fqinji i saj, Brazili, qeverisej deri në vitin 2023 nga Jair Bolsonaro.
Presidenti aktual i Argjentinës, anarko-kapitalisti Javier Milei, është qartazi një populist. Shtetet e Bashkuara zgjodhën në vitin 2016 për president Donald Trumpin. Dhe mund ta bëjnë sërish pas pak javësh. Udhëheqësit populistë karizmatikë, argëtues dhe ndonjëherë tërësisht qesharakë, gjenden në të gjithë skajet e spektrit politik.
Kështu Chavez dhe Maduro janë socialistë, ndërsa Milei dhe Trump konservatorë. Ndonjëherë, ata e kundërshtojnë kategorizimin e thjeshtë majtas-djathtas. Por e përbashkëta e të gjithëve,është dëshira për ta konsoliduar pushtetin personal duke përdorur të njëjtin mesazh plot zemërim ndaj establishmentit.
Populistët e shesin veten si njerëz anti-sistem që luftojnë për hallet e popullit të thjeshtë, që përfaqësojnë “popullin e vërtetë” kundër një elite të korruptuar. Populizmi si dukuri është në rritje. Por teksa efektet e tij në sistemet politike të vendeve, dhe shkalla në të cilën ai nxit degradimin e demokracisë janë diskutuar shumët vitet e fundit, janë më pak të studiuara dhe analizuara pasojat e tij ekonomike.
Po çfarë politikash ekonomike ndjekin populistët dhe cilat janë rezultatet? Për të mbushur disi këtë boshllëk, ne kryem një studim gjithëpërfshirës të udhëheqjes populiste në mbarë botën. Ndërtuam një grup të dhënash që mbulon 120 vjet histori dhe 60 vende, si dhe identifikuam 51 liderë populistë, të cilët i përcaktojmë si ata që e vendosin konfliktin midis “popullit” dhe “elitës” në qendër të fushatave elektorale apo të qeverisjes të tyre.
Më pas studiuam politikat ekonomike që ndoqën dhe pasojat që patën. Ajo çfarë zbuluam ishte shqetësuese. Edhe pse në pamje të parë, udhëheqja populiste mund të duket sikur ka efekte ekonomike të përziera, pra pozitive dhe negative, vumë se re shumica e udhëheqësve populistë e dobësojnë ekonominë e një shteti, sidomos në planin afatgjatë.
Ata e bëjnë këtë kryesisht duke e dëmtuar sundimin e ligjit dhe dobësuar kontrollet dhe balancat politike. Studimi ynë e bën të qartë se megjithëse populistët mund ta shesin veten si zgjidhja e duhur për sëmundjet e një vendi, ata priren që ta përkeqësojnë jetën e qytetarëve të tij.
Pra ata e dëmtojnë “popullin” që pretendojnë se po e shpëtojnë. Gjatë gjithë historisë moderne, populizmi ka përjetuar dy valë kryesore. E para ishte në vitet 1930, gjatë Depresionit të Madh dhe pasojave të tij të rënda. Gjatë Luftës së Ftohtë, populizmi u tërhoq disi, por pas rënies së Murit të Berlinit në vitin 1989, u rikthye fuqishëm.
Sot, bota gjendet sërish në një epokë populizmi. Rekordi u shënua në vitin 2018, me 16 nga 60 vendet që ne anketuam që qeveriseshin nga populistët. Ato përfaqësonin më shumë se 30 për qind të PBB-së globale. Ende sot populistët qeverisin më shumë se një duzinë shtetesh.
Edhe pse populistët tejkalojnë ndarjet ideologjike, ekzistojnë disa dallime domethënëse midis populistëve të krahut të majtë dhe atyre të djathtë. Këta të fundit e vënë theksin tek ndarjet etnike dhe kulturore, duke i akuzuar elitat për bashkëpunim me pakicat dhe emigrantët, dhe për mosdhënien përparësi të interesave të “qytetarëve të vërtetë”.
Populistët e majtë sulmojnë elitat ekonomike dhe financiare për plaçkitjen e vendit në kurriz të popullsisë vendase. Populizmi i majtë është në përgjithësi një histori e mesit të shekullit XX, duke përjetuar një ringjallje të shkurtër në dekadën e parë të shekullit XXI-të.
Ndërkohë populizmi i krahut të djathtë është rritur shumë kohët e fundit. Në të dyja rastet, populizmi është një fenomen serial. Vendet që tashmë janë qeverisur nga populistët, kanë një probabilitet më të lartë për t’u ngjitur sërish në pushtet. Argjentina – vendlindja e liderit të parë modern populist, Hipólito Yrigoyen – është qeverisur nga populistët për gati 40 për qind të historisë së saj që nga viti 1900.
Italia ka pasur udhëheqje populiste për 29 për qind të asaj periudhe. Sllovakia është qeverisur nga populistët për pothuajse 60 për qind të kohës që nga fitimi i pavarësisë së saj në vitin 1993. Një pjesë e shkakut për këtë qëndrueshmëri, është se populistët zhduken rrallë shpejt ose vetë nga skena politike.
Përkundrazi, ata bëjnë gjithçka që kanë në dorë për të rritur shanset e tyre për ta mbajtur pushtetin, qoftë përmes strategjisë së tyre thelbësore të polarizimit dhe propagandës, apo nëpërmjet metodave më drastike si ligjet e reja elektorale, vënia nën kontroll e mediave si dhe frikësimi i gjyqësorit dhe opozitës.
Për pasojë, populistët qëndrojnë në pushtet mesatarisht 6 vite, krahasuar me 3 vite për sundimtarët jo populistë. Ata kanë shumë më tepër gjasa për t’u rizgjedhur, me një probabilitet prej 36 për qind, krahasuar me vetëm 16 për qind për jo populistët. Ky hendek, shpjegohet me popullaritetin dhe aftësinë e tyre për të izoluar veten nga levat e demokracisë.
Marrim rastin e ish-kryeministrit italian Berlusconi, një miliarder dhe manjat i medias, i cili u ngjit në pushtet duke u paraqitur si një politikan anti- establishment, pas skandaleve të mëdha të korrupsionit që shpërthyen në Itali në fillim të viteve 1990. I etiketuar shpesh si një “klloun” nga kundërshtarët dhe mediat ndërkombëtare për skandalet e pafundme, Berlusconi qëndroi më gjatë në pushtet se çdo kryeministër tjetër në historinë italiane të pasluftës.
Ai u largua nga detyra në vitin 2011, pasi e kishte qeverisur vendin pa pushim për gati 2 dekada. Por edhe sot politika italiane mbetet e formësuar në thelb nga imazhi i tij populist. Shumë prej pasardhësve të tij janë populistë, përfshirë kryeministren aktuale, Giorgia Meloni, fushata e të cilës kundër emigrantëve dhe anti-BE, kopjoi shumë pjesë nga manuali i populistëve.
Pavarësisht qëndrueshmërisë së populizmit, ka pasur pak studime se si ecin ekonomitë në vendet e drejtuara prej tyre. Megjithatë është e lehtë të gjesh shembuj të populistëve që shkaktojnë dëme ekonomike. Brexit, flamurtari i të cilës ishte populisti Boris Johnson, shkaktoi rënie ekonomike të ndjeshme.
“Britania globale” e premtuar nga mbështetësit e Brexit, ka mbetur prapa vendeve të tjera, dhe gjatë 8 viteve të fundit, ekonomia britanike është rritur 5 për qind më pak se vendet e tjera të krahasueshme më të. Shkëputja e ekonomisë së Britanisë nga tregu i përbashkët evropian, ka çuar në rënie të tregtisë, investimeve dhe konsumit.
Edhe politikat e Berlusconit në Itali meritojnë vlerësime të dobëta. Që nga ngjitja e tij në skenën politike të Italisë, ekonomia ka rënë në stanjacion, me një rritje shumë të të ngadaltë të PBB-së. Që nga viti 2000, norma mesatare vjetore e rritjes ekonomike ka ngecur në rreth 0.5 për qind. Sistemi arsimor mbetet në krizë, ndërsa mendjet më të ndritura të vendit janë larguar diku tjetër. Por shembuj më të këqij gjenden në Amerikën e Jugut. Chavez dhe Maduro e kthyen Venezuelën, dikur një eksportuese e pasur e naftës, në një komb të varfër brenda 20 viteve. Proteksionizmi, nepotizmi dhe shtetëzimi i industrive të naftës, minierave, financave, telekomunikacionit dhe bujqësisë, krijuan një katastrofë ekonomike pa precedentë në një shtet modern në kohë paqeje, duke shkaktuar uri, krizë shëndetësore dhe një migrim masiv.
Në Argjentinë, presidenti Néstor Kirchner dhe pasardhësja dhe gruaja e tij, Cristina Fernández de Kirchner, e çuan vendin e tyre në prag të falimentimit. Megjithatë menaxhimi ekonomik i liderëve populistë nuk përgjithësohet aq lehtë. Kështu, SHBA nën qeverisjen e Trump pati norma të rritjes ekonomike të krahasueshme me ato të presidencave të mëparshme.
Edhe populistë të tjerë, si kryeministri indian Narendra Modi, Erdogan në Turqi dhe kryeministri hungarez Viktor Orban, kanë pasur një farë suksesi ekonomik. Por më në përgjithësi, historia ekonomike e populizmit që nga viti 1900, tregon se qeveritë populiste priren të jenë të dëmshme. Ne zbuluam se populistët në pushtet, shkaktojnë dëme të mëdha ekonomike, veçanërisht në periudhën afatmesme dhe atë afatgjatë. Pas 15 vjetësh, PBB-ja është mesatarisht 10 për qind më e ulët në vendet e drejtuara nga populistët sesa në ato të drejtuara nga jo populistët. Dy janë shpjegimet kryesore pse ndodh kjo.
E para ka të bëjë me proteksionizmin. Populistët shfrytëzojnë retorikën nacionaliste kur janë në opozitë, dhe praktikojnë nacionalizmin ekonomik sapo ngjiten në pushtet. Si majtas ashtu edhe djathtas, populistët vendosin tarifa dhe firmosin më pak marrëveshje tregtare, duke ngadalësuar rrjedhën e mallrave dhe shërbimeve. Po ashtu, ata ngrenë barriera për investimet e huaja, duke e dëmtuar rritjen ekonomike.
Arsyeja e dytë është edhe më themelore. Gjatë përpjekjeve të tyre për të mbetur në pushtet, liderët populistë e shkatërrojnë shtetin e së drejtës. Ata nuk kanë frikë të shkelin normat dhe kodet ligjore, si dhe të dobësojnë institucionet demokratike, duke shkarkuar gjyqtarë apo duke nisur hetime për bizneset që i pengojnë në synimet e tyre./Përshtatur nga “Foreign Affairs”
Shënim: Manuel Funke, studiues në Institutin e Kielit për Ekonominë Botërore. Christoph Trebesch, profesor i ekonomisë dhe drejtor i kërkimit në këtë institut. Ndërsa Moritz Schularick është president i institutit.