Taulant Xhaka rinovoi kontratën e tij me Bazelin edhe për pesë vite. Kështu ai do të jetë pjesë e skuadrës kampione të Zvicrës deri në 2021. Ofertat për shqiptarin nuk munguan, mirëpo drejtuesit e Bazelit blinduan menjëherë të ardhmen e mesfushorit grintoz. Megjithatë, duket se as besnikëria që ai ka treguar për ekipin, nuk i ka mjaftuar që të marrë në krah shiritin e kapitenit dhe gradat në skuadër.
“Nuk e kam aspak të vështirë që të mendoj ta mbyll karrierën time te Bazeli. Të largohem jashtë vendit? Më duket mendim shumë, shumë i largët”, ishte deklarata e Taulant Xhakës në verë për mediat zvicerane, ndërkohë që për të kishte shumë skuadra që interesoheshin. Pavarësisht faktit se ai ishte edhe pjesë e Kombëtares shqiptare në skenën e rëndësishme futbollistike, atë të “Euro 2016”, mesfushori nuk e braktisi skuadrën me të cilën kishte nisur karrierën dhe kishte arritur deri në këtë pikë të formimit të tij.
Përballja me Granitin për herë të tretë nuk rezultoi e suksesshme për vëllanë e madh të Xhakave, pasi mesfushori i Arsenalit mundi sërish vëllanë e tij në Ligën e Kampionëve, brenda të njëjtit vit. Ndryshe nga Graniti, Shaqiri dhe shumë të tjerë, Taulanti është sërish pjesë e Bazelit dhe një nga shtyllat më të rëndësishme të skuadrës. Por, çfarë i mungon për t’u bërë kapiten?
Në një deklaratë të dhënë për mediat helvete, drejtori Sportiv i Bazelit ka lënë të kuptohet se pikëpyetja mbi të ardhmen e futbollistit ka qenë shkaku që nuk i ka lënë atij të gradohet. “Xhaka është një futbollist i shkëlqyer. Ai ka treguar prej kohësh se është një futbollist i përgjegjshëm. Ka një sens mjaft të mirë të diskutimit të gjërave me të gjithë skuadrën.
Gjatë verës, qëndrimi i tij nuk ishte fort i sigurt dhe për shiritin e kapitenit, siguria mbi të ardhmen është çështje e rëndësishme”, ka deklaruar Xhorxh Heitz për “NZZ.ch”.
Ai është një nga futbollistët që nuk preferon daljet e shpeshta në media dhe për këtë çështje është mjaftuar vetëm me një deklaratë të shkurtër: “Më pyesni pas dy apo tri vitesh për këtë gjë”.
Mustafi, idhulli i ri i tifozëve të Arsenalit
Shkodran Mustafi në zemrat e tifozëve të Arsenalit. 24-vjeçari, i cili u transferua gjatë verës nga Velencia tek “Topçinjtë” e Londrës, është shndërruar në një emër shumë të rëndësishëm në repartin e prapavijës. Pavarësisht kësaj, mbrojtësi deklaron se puna e tij duhet të jetë akoma edhe më e madhe, duke dhënë maksimumin në fushe, si shpërblim për tifozët, të cilët mbeten shumë të rëndësishëm për çdo ekip.
“Tifozët janë pjesa më e rëndësishme për një klub. Ata janë të pranishëm gjithnjë. Në ditë të mira dhe të këqija. Ata janë gjithmonë aty, krah nesh, edhe në transferta larg Anglisë, duke shpenzuar shumë para për të na dhënë kurajë. Në çdo moment nuk ngurojnë të na tregojnë dashurinë që kanë për ne dhe ti je i detyruar t’ua kthesh respektin duke fituar. Personalisht në çdo ndeshje do të japë maksimumin tim”.
Shkodran Mustafi foli edhe për garën në Premier League, duke e cilësuar si një kampionat shumë të vështirë dhe me shumë rivalitet. Pavarësisht konkurrencës ai është i mendimit se skuadra e tij i ka të gjithë elementët e duhur, për ta fituar këtë garë. Momentalisht Arsenali ndodhet në vendin e dytë në kuotën e 31 pikëve, me një distancë prej 3 pikësh nga Chelsea kryesues.