Nga Bujar LESKAJ
Programi qeverisës 3 i qeverisë Rama përbën një pseudoprogram, shportë-zgjatim i pseudo-arritjeve të programeve qeverisëse 1 dhe 2 në 8 vitet 2013-2021. Ai paraqitet regresiv, kallp dhe i gënjeshtërt, pse përpiqet t’u shesë shqiptarëve dështime të hidhura, duke i paraqitur si suksese të bujshme.
⦁ “Suksesi” 1. Gjoja “Rimëkëmbje ekonomike”
Pseudoprogrami 3(fq.4) flet për rimëkëmbje ekonomike nga tërmeti dhe pandemia, kur në të vërtetë vendi u gjunjëzua nga të dyja fatkeqësitë natyrore, ndërkohë që paketa qeveritare për rimëkëmbjen u cilësua nga FMN, BB dhe BERZH si më e ulta në rajon, në përqindje të PBB-së dhe dy programet me kredi të buta sovrane dështuan tërësisht, duke përdorur një përqindje të ulët të fondit në dispozicion dhe ndihmuar kryesisht kompanitë që kishin më pak ose asfare nevojë, por ishin tek grupi klientelist i qeverisë.
Plagët më të mëdha të vendit, braktisja, shpopullimi masiv dhe rënia në varfëri u thelluan deri në në dëshpërim. Për vetëm gjashtë vite 2015-2020, sipas INSTAT, nga Shqipëria janë larguar në emigracion rreth 400 mijë vetë.
Sipas të dhënave të EUROSTAT, në vitin 2018, niveli i të ardhurave për familje e rendiste Shqipërinë në vendin e fundit ndër vendet e rajonit. Sipas raportit të Bankës Botërore (tetor 2020), niveli i popullsisë që jeton me më pak se 5.5 $ në ditë për banor(pra në pragun e varfërisë), është rritur tronditshëm në 41,5 përqind, nga 35,6 përqind, krahasuar me një vit më parë. Niveli i varfërisë në Shqipëri rezulton të paktën dy herë më i lartë se në të gjitha vendet e rajonit.
Programi qeverisës 2(2017-2021) zotohej se do të përgjysmonte diferencën midis papunësisë rinore e papunësisë së përgjithshme (fq 21). Në fakt, bëri të kundërtën. Në vitin 2020, niveli i papunësisë për grupmoshat 15-29 vjeç ishte 21,4 përqind, afro dy herë më i lartë se mesatarja kombëtare prej 11.9 përqind.
Pseudoprogrami qeverisës 3 mburret se uli nivelin e papunësisë në rekordin historik të 11 përqind të forcës së aftë për punë. Nuk ka më paradoks dhe të vërtetë të hidhur, se sa të mburresh që ke ulur papunësinë, kur vendi yt njohu pakësimin e forcave të veta të punës me 300 mijë punonjës në 6 vjet (2015-2020), ose me mbi 20 përqind, për shkak të emigracionit masiv.
II. “Suksesi” 2. Gjoja “Rindërtim në kohë”
Programi qeverisës 3(fq.11) shkruan se “Rindërtimi është sot programi më i madh urban, ekonomik e social, që garanton më shumë se veç rimëkëmbjen pas tërmetit”.
Në të vërtetë, shpenzimi i fondeve publike u rrit ndjeshëm në kulmin e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 25 prillit. Ndërsa investimet për projektet infrastrukturore (asfalti elektoral) ecën me ritme të shpejta, qeveria “harroi” përdorimin e fondit të rindërtimit. Në fund të tremujorit të parë 2021 u përdor për rindërtimin dhe rikuperimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit 2019 vetëm 63 përqind e fondit. Kjo, në një kohë kur numri i të pastrehëve nga tërmeti vijon të jetë i lartë dhe shumë banorë jetojnë ende në kushte të vështira dhe në çadra.
Buxheti i Shtetit vuri në dispozicion për këtë vit 28 miliardë lekë, ose 228 milionë euro për rindërtimin, kurse kjo qeveri shpenzoi në një të katërtën e vitit vetëm një të dhjetën e kësaj shifre!
Shpenzimi i fondeve për rindërtimin pati ecuri shumë të dobët edhe gjatë vitit 2020, ku realizimi vjetor ishte vetëm 57 përqind.
III. “Suksesi” 3. Gjoja “Të ardhura për frymë rekord”
Pseduoprogrami 3(fq. 15) flet për të ardhura për frymë, sipas tij, rekord.
Në të vërtetë, sipas EUROSTAT, të ardhurat për frymë kanë rënë nga 5.323 $ për vitin 2019 në 4.898 $ në vitin 2020 Në treguesin e të ardhurave për frymë në vitin 2020, Shqipëria renditet e fundit në rajon. Të ardhurat për frymë vitin e kaluar ishin 4.898 $ në Shqipëri, 7.933 $ në Malin e Zi, 7.497 $ në Serbi dhe 6.019 $ në Maqedoninë e Veriut.
Progami qeverisës 3 mburret se u rritën të ardhurat në buxhetin e shtetit dhe këtë vit do të jenë 157 miliardë lekë më shumë se në vitin 2013. Kemi të bëjmë me një zotim absurd, për realizimin me 10.6 për qind tejkalim, të të ardhurave buxhetore. Një tejkalim i tillë nuk është vërejtur deri tani në asnjë nga të 30 vitet fiskale ushtrimore 1991-2020. Mesatarja e tejkalimit të të ardhurave buxhetore ka qëndruar në 3-4 për qind më shumë, edhe në vitet më të mira të rritjes ekonomike (2002, 2008, 2018). Si mund të rriten tri herë më shumë të ardhurat? Do të bien paratë nga qielli?!
Është qesharake të besosh në mburrje të tilla kur qeveria ende sot nuk ka përcaktuar minimumin jetik, pragun e shpenzimeve që i duhet çdo familjeje për të jetuar pa cenuar dinjitetin. Ky minimum duhet të ishte përcaktuar me kohë dhe të ishte në themel të politikave sociale e ekonomike. Në 8 vite, sekti rilindas bipolarizoi shoqërinë. Jo thjesht në kuptimin ekonomik, por edhe në atë social e psikologjik. Punonjësit tatohen progresivisht deri në 23% të të ardhurës, ndërsa pronarët regresivisht në kohë me 8% të dividendit.
Arsimi, që është arma e parë për të luftuar papunësinë dhe varfërinë, lëngon akoma reformat e nisura që para 7 vjetësh dhe ende të papërfunduara. Shëndetësia, që është arma e dytë, jo vetëm që nuk është falas sikurse u premtua, por po vuan ikjen masive të trurit dhe koston e rëndë të pandemisë.
Në 8 vite, sekti Rama nuk rriti as edhe një herë të vetme pagat e punonjësve të administratës, burimin kryesor të të ardhurave për një pjesë dërrmuese të popullsisë dhe që do të shërbente si referencë nxitëse për sektorin privat.
IV. “Suksesi” 4. Gjoja “Rilindje Urbane”
Programi qeverisës 3(fq. 15-16) vijon me Rilindjen Urbane, duke i paraqitur investimet e saj si reforma që përmirësuan jo vetëm pamjen e qendrave, por edhe cilësinë e jetës së qytetarëve në qytetet tona.
Në të vërtetë, kemi të bëjmë me shpenzimet faraonike të fasadës urbane, prej 59 miliardë lekë ose 484 mln euro, të cilat nuk u bazuan asnjëherë në efektivitetin, efiçiencën dhe ekonomicitetin e parasë publike, por në mburrjen dhe kënaqësinë e “Rilindasit të Madh”, liderit global, si dhe në grykësinë e “rilindasve” lokalë.
Shumica e këtyre shpenzimeve janë në thelb fasada dhe betone dekoresh, që shiten si reforma. Sjell në vëmendje shembujt skandalozë të gjoja rivitalizimit të Sheshit të Flamurit dhe të Sheshit të Skelës në Vlorë, me vlerë përkatësisht 6.7 mln euro dhe 5.3 mln euro, për punime të përfunduara tetë vite më parë në këto sheshe, në konflikt të hapur me 3 E-të e domosdoshme të përdorimit të parasë publike dhe vetëm për kënaqësinë vizuale egoiste të Krye-Rilindasit. Përpos kësaj, në tenderin e projektit të Sheshit të Flamurit, oferta e shpallur fituese kishte një diferencë prej 156 milionë lekë ose 1.28 milionë euro nga oferta e konsorciumit të dy kompanive të skualifikuara padrejtësisht, çka përbën një dëm të konsiderueshëm ekonomik për Buxhetin e Shtetit, për të cilin Partia Demokratike ka kryer kallzim penal në Prokurori.
V. “Mega-Suksesi” 5. Gjoja “Ulje e borxhit publik”
Pseudoprogrami 3 në fq. 15 shkruan “Ulëm borxhin publik dhe përmirësuam shërbimin e borxhit, duke rritur ndjeshëm raportin e lekëve të investuara me ato të marra borxh”.
Në të vërtetë, ka ndodhur e kundërta. Cilësimi më sipër përfaqëson Mega-Gënjeshtrën e programit qeverisës 3. Gjatë të gjithë periudhës 2017-2021, borxhi publik ka qenë objekt i rritjes së vazhdueshme në vlerë nominale.
Në programet qeverisëse 2013-2017 dhe 2017-2021, qeveria e sektit Rama u angazhua dhe premtoi uljen graduale të borxhit publik në rreth 60% të PBB-së deri në fund të mandatit. (pika 2.1 stabiliteti mikroekonomik, faqe 9 e programit 2017-2021).
Në të vërtetë është NJË GËNJESHTËR E PËRSËRITUR!
Sjellim në vëmendje se në vitin 2013, tetë vite më parë, borxhi publik ishte 65,6 përqind e PBB-së. Ndërkohë, në fund të mandatit të parë, në vitin 2017, ai u raportua nga Ministria e Financave në vlerën 70 përqind dhe në fund të vitit 2020 në vlerën 77,9 përqind të PBB-së.
Sa besim duhet të kenë qytetarët shqiptarë te një Qeveri që nuk e ka përmbushur angazhimin e vet në 8 vite dhe premton po të njëjtën gjë për 4 vitet e ardhshme?!
Ajo që e bën edhe më shqetësuese këtë situatë është fakti se në vlerën e raportuar në këta tregues, nuk përfshihen detyrimet e prapambetura (borxh publik i fshehur), të cilat deri në fund të vitit 2020, sipas raportimit të Ministrise se Financave dhe Ekonomise, vlerësohen në rreth 14 miliardë lekë, pa përfshirë këtu stokun e TVSH-së së rimbursueshme. Këto të dhëna raportohen në bazë të vet-deklarimit të institucioneve buxhetore, duke mbartur riskun e mosdeklarimit dhe raportimit të pasaktë të detyrimeve.
Nëse përfshihen detyrimet e rreth 80 kontratave koncesionare të formës PPP, të lidhura në vitet 2014-2020, borxhi publik shtohet me 11.6 përqind duke arritur në 89.5 përqind të prodhimit tonë kombëtar.
Nëse të gjitha detyrimeve të mësipërme, të pa-pasqyruara ne raportimet qeveritare per borxhin, i shtojmë edhe 446 milionë euro, detyrime të pritshme nga gjyqet ndërkombëtare, borxhi publik i Shqipërisë gjatë periudhës 2014-2021 shtohet edhe me 23.4 përqind, duke kapur vlerën alarmante të pritshme mbi 100 përqind të PBB-së!
Në vend të ulte borxhin, sekti Rama e rriti në gati 100 përqind të prodhimit kombëtar, duke e ekspozuar ekonominë tonë ndaj pasojave të ngjashme me krizën greke të borxhit publik të viteve 2011-2015.
Nga analizat, kuptohet qartë se motivi i shtimit të nivelit të borxhit publik nga sekti Rama në këto tetë vite qeverisje, nuk ka qenë rritja e investimeve publike për të përmirësuar jetesën e qytetarëve. Është marrë borxh për të paguar borxhe të mëparshme, ose/dhe për të kryer shpenzime jo mbi bazen e efektivitetin, efiçiencës dhe ekonomicitetit(3 E-ve), vetëm dhe thjesht për asfalt dhe kapital elektoral, duke gënjyer zgjedhësit.
VI. “Suksesi” 6. Gjoja “Investime në energjitikë”
6.1. Dështimi me parkun fotovoltaik të Akërnisë
Në faqen 24, në programin 3 shkruhet “Nisim punimet për ndërtimin e Parkut Fotovoltaik të Karavastasë…në pranverën e vitit të ardhshëm (Mars 2022)”.
Në të vërtetë, realiteti flet ndryshe:
Më 10 nëntor 2018, qeveria shpalli fituesin e tenderit ndërkombëtar të Parkut Fotovoltaik të Akernisë, Vlorë dhe tha se parku do të ndërtohej për një afat 18 muaj. Kaluan 30 muaj dhe jo vetëm parku fotovoltaik nuk është ndërtuar, por konsorciumi fitues i tenderit na ka hedhur në arbitrazh ndërkombëtar për mos-zbatim kontrate. Sasia e dëmshpërblimit të kërkuar është 110 milionë euro, e njëjta me dëmshpërblimin që shteti ynë duhet t’i paguajë sipërmarrësit italian Francesco Becchetti.
Kryeministri dhe ministri përgjegjës duhet/do të mbajnë përgjegjësi për këtë dëm të lartë shkaktuar financave publike, apo do të ngelet faji/përgjegjësia jetime, si tek gjoba Becchetti?!
6.2. Koncesione/PPP thellësisht problematike
Megjithë kërkesat e përsëritura nga FMN, Banka Botërore, USAID, BERZH, dhe KLSH për ndalimin e akordimit të PPP-ve me ofertë të pakërkuar, të stigmatizuara haptazi nga Transparency International në vitin 2020, si kapje e shtetit, sekti Rama ideoi, nxiti dhe frymëzoi në vitet 2017-2020 akordimin e 2.8 miliardë euro koncesione dhe PPP me:
⦁ përzgjedhje të gabuar të një partneriteti publik-privat, pa një studim të thelluar të raportit kosto-përfitim,
⦁ kompleksitet të lartë të kushteve kontraktuale,
⦁ akordimin duke u bazuar në një kuadër ligjor të munguar ose të paplotë,
⦁ mungesë totale të transparencës dhe pjesëmarrjes së pakët të publikut në proces, si dhe
⦁ me risk real të dështimit të projektit, me kosto të larta dhe afatgjata mbi Buxhetin e Shtetit.
Në Pseudoprogramin 3, nuk ka asnjë fjalë për grabitjen që qeveria ka në proces t’i bëjë Portit të Vlorës, duke e shndërruar, nga një port publik të rëndësishëm tregtar dhe industrial, në një port jahtesh për privatin.
6.3 Probleme të mëdha në prokurimet publike
Rritja e fortë e numrit të prokurimeve me një pjesëmarrës jo vetëm ka ulur ndjeshëm konkurrencën e pjesëmarrësve dhe për pasojë efektivitetin në përdorimin e fondeve publike, por çon gradualisht në krijimin e monopoleve në tregun e prokurime publike për sektorë të ndryshëm, kryesisht në sektorët e ndjeshëm të shërbimit për qytetarin.
Autoritetet kontraktore realizojnë vendosjen e ekzagjeruar të kritereve të veçanta të kualifikimit dhe procedura e prokurimit çohet qëllimisht drejt pjesëmarrjes së vetëm një konkurrenti, pra në përcaktimin e fituesit që në shpalljen e tenderit.
VII. “Suksesi” 7. Gjoja “Siguri e pronës”
Në faqet 36-37, Programi 3 flet për sigurinë e pronës, duke u shprehur se “Reforma ligjore dhe institucionale e ndërmarrë përgjatë vitit 2020, është reforma më e madhe në fushën e pronës në Shqipëri”. Ligji 20/2020 “Për Kadastrën” përfaqëson një ligj haptazi antikushtetues dhe ka si qëllim të vërtetë grabitjen e pronës pronarëve të ligjshëm. Nuk mundet që një institucion i vetëm, edhe të krijojë/prodhojë tituj pronësorë, edhe të bëjë shpronësime “për interesa publikë”, edhe të bëjë regjistrime. Jemi para konfliktit të kompetencave si dhe mungesës totale të elementeve të kontrollit shtetëror.
Rastet e zonës së bregdetit të detit Jon, ku kompani klienteliste të qeverisë marrin titullin “investitorë strategjikë”, janë tipike dhe demaskojnë qëllimin e përdorimit të këtij ligji për grabitjen e pronës në bregdet.
xx
Një pseudoprogram si ky i ngjan si dy pika uji një fotoje të retushuar të Instagramit qeveritar. Ai ka vetëm një siguri matematike: do t’i shtyjë edhe më fort shqiptarët drejt emigrimit, duke braktisur vendin e tyre. Do të rehatojë edhe më tej mafien ekonomike, sikurse do të na e zgjasë për në kalendat greke rrugën drejt BE-së.