Pseudoreforma e drejtorive dhe zyrave arsimore!

Myqerem TAFAJ

Që kur u publikua VKM për riorganizimin e drejtorive dhe zyrave arsimore, u duk qartë mungesa e logjikës elementare në hartimin e tij dhe në skemën e kësaj reforme. Por, për cudi, asnjë reagim i organizuar nga sindikatat, i vetmi sektor publik ku ato ekzistojnë dhe mësuesit janë antarë të tyre!
Kjo Pseudoreformë parashikon:

1.Ministrisë i hiqen, për herë të parë që kur Shteti shqiptar ka krijuar ministri për Arsimin, kompetencat dhe përgjegjësitë e drejtimit të arsimit parauniversitar dhe këto i jepen një (Super)Drejtorie të Përgjithshme qendrore, jashtë ministrisë! Ku është marrë ky model? Nëse DAP-i, pas 20 vitesh të funksionimit të saj, ka propozuar këtë model, do të ishte një arsye e mjaftueshme për ta shkrirë vetë DAP-in, sepse thjesht kjo drejtori njeh kafenetë më lukzose të Tiranës, por kurrsesi Shqipërinë, dhe aq më pak arsimin shqiptar.Pér analogji Qeveria mund të krijojë një drejtori të Përgjithshme të Arsimit të lartë, një tjetër për shkencën, një tjetër për sportin dhe një për rininë. Pastaj mund të shkrihej MASR dhe ministrja të quhej ministre shteti pa portofol pranë Kryeministrit!

2. Kjo pseudoreformë shkrin Inspektoriatin, i cili u ngrit në v. 2011 me rekomandimin dhe mbështetjen e Bankës Botërore (BB), u trajnua personeli i tij nga ekspertë ndërkombëtar të përzgjedhur nga zyra e BB dhe ai duhet të konsolidohej. Inspektoriati kurrsesi nuk i heq përgjegjësinë drejtorive arsimore për vlerësimin e brendshëm të cilësisë. Pérkundrazi, Inspektoriati kishte përgjegjësinë e vlerësimit të jashtëm të cilësisë dhe të inspektimit në shkallë kombétare, cka do të ndikonte jo vetëm në rritjen e cilësisë, por edhe në përgatitjen e shkollave dhe nxënësve edhe për testet internacionale, sidomos PIZA.

3. Eshtë paradoksale të argumentosh shpërndarjen rajonale të drejtorive të arsimit duke marrë si model skemën e drejtorive të sektorëve të tjerë. Ministrja përmendi madje edhe drejtoritë e bujqësisë. Me këtë logjikë, Superdrejtorinë e Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar duhet ta kishte cuar Ministrja në Lushnjë, meqënëse është në zemër të Myzeqesë, si zona bujqësore kryesore e vendit.

Fatkeqësi e madhe të arsyetosh në këtë ményrë. Ministres duhet ti kishin shpjeguar këshilltarët e saj, historinë e arsimit shqiptar dhe rolin kyç të Shkodrës në zhvillimin e arsimit parauniversitar dhe atij të lartë në vendin tonë. Si mund të mos jetë në Shkodër drejtoria rajonale e arsimit?

4. Si mund të bëhet ky riorganizim tani kur viti shkollor po shkon drejt mbylljes dhe sistemi éshtë para provimeve të lirimit dhe atyre të maturës? Apo riorganizimi bëhet në funksion të zgjedhjeve lokale?!

Artikulli paraprakSituata është shpërthyese, Rama dhe Lleshaj kanë kryer krime
Artikulli tjetërBir Selman i nënës kë të qash më parë…