PSG, 300 milionë për Neymar-Cristiano

“Neymar nuk do të largohet nga Barcelona”. Është fenomeni Ronaldo, ai që siguron tifozët e skuadrës katalanase se ylli brazilian do ta vazhdojë aventurën në stadiumin “Camp Nou”. Pavarësisht zërave që e lidhin Neymar me Paris Saint Germain për shkak të deklaratave kontradiktore të agjentit të tij, Wagner Ribeiro, ish-sulmuesi i Selecaos beson se ylli aktual i Brazilit nuk dëshiron t’i japë lamtumirën skuadrës spanjolle. “Nuk besoj se, Neymar do të largohet nga Barcelona ku ai është ambjentuar shumë mirë me qytetin dhe skuadrën. Nuk besoj aspak se, zhvendosja e tij drejt Parisit do të konkretizohet”, thekson Ronaldo që shton se Neymar është pjesë e një prej skuadrave më të mira të planetit ku ka arritur të fitojë gjithçka. Por pavarësisht deklaratës së fenomenit, Paris Saint Germain duket se po lëviz prapa kuintave për të siguruar shërbimet e 24-vjeçarit.
Presidenti Nasser Al-Hhelaifi kërkon të paguajë klauzolën e largimit të Neymar. Lajmin e bën të ditur “Gazzetta Dello Sport” që thekson se manjati nga Lindja e Mesme ka gati 300 milionë euro për brazilianin dhe portugezin e Realit të Madridit, Cristiano Ronaldo. Zlatan Ibrahimoviç nuk ka pranuar të rinovojë me kampionët e Francës dhe në këtë mënyrë, Al Khelaifi mendon për të bërë një revolucion të vërtetë, pasi Champions League mbetet objektivi i vërtetë i tij. Në llogarinë e Barcelonës, ai ka premtuar të derdhë 193 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër planifikohet të shkojë në arkën “Los Blancos”, madje sipas gazetës italiane, sulmuesi i skuadrës madrilene ka dhënë ok për finalizimin e operacionit menjëherë në fund të sezonit aktual, pasi parizienët i kanë ofruar plot 26 milionë euro në sezon.

Exit mobile version