“Të shohim se çfarë do të bëjnë me mua”. Fjalët e Sergio Agueros në lidhje me klubin e tij aktual Manchester City ku Pep Guardiola po nis t’i besojë më tepër përforcimit të ri, Gabriel Jesus më shumë sesa argjentinasit hapin pistën e largimit të “El Kun”, duke rritur njëkohësisht edhe numrin e pretendentëve për shërbimet e Aguerros. Klubi që e synon prej kohësh është Reali i Madridit që ka provuar ta bëjë të tijin edhe në sezonet e mëparshme, por me sa duket sipas “The Times” madrilenët nuk do ta kenë aspak të lehtë, pasi iu duhet të përballen edhe me një konkurent të fortë. Bëhet fjalë për PSG.
Në Paris, pasi shitën Ibrahimoviç dhe zhgënjimit me Jese, mund të besojnë vetëm te Cavani, ndaj janë duke kërkuar një yll të ri për sulmin dhe Aguero konsiderohet zgjedhja ideale. Për këtë arsye, PSG po përgatit një superofertë prej 80 milionë paund, rreth 92 milionë euro. Një shumë kjo e vështirë për t’u refuzuar nga klubi anglez për një sulmues 28-vjeçar. Për të bindur vetë futbollistin, në klubin e sheikut Al Khelaifi janë gati t’i rrisin ndjeshëm pagën, duke i dhënë 14.4 milionë euro në sezon. PSG synon të rrisë kuotat për të triumfuar edhe në Europë, ndaj ka nevojë për një sulmues që jep garanci si Aguero që do ta ketë të lehtë integrimin në skuadrën ku bëjnë pjesë dhe bashkëatdhetarë të tij, si Di Maria, Pastore apo Lo Celso. Nëse Aguerro do të vendosë të lërë Anglinë, duket se ka se ku të zbarkojë.