Në Paris nuk është kapërdirë ende eliminimi nga Barcelona pas humbjes 6-1 në “Camp Nou”. Klubi francez ka dërguar në zyrat e UEFA-s një dosje ku ka vënë në dukje gabimet e arbitrit Deniz Aytekin, që sipas drejtuesve të PSG ndikuan në rezultatin përfundimtar të sfidës.
Mes episodeve të kontestuara nga Paris Saint Germain ishin 2 penalltitë e akorduara në favor të katalanasve, sidomos ajo e Luis Suarez, si dhe ajo që nuk u dha në favor të parisienëve pas një kontakti në zonë mes Mascheranos dhe Di Marias.
Ishin të shumta videot dhe fotot që pasqyronin episodet e dyshimta që e bënë Paris Saint German të ndjente mungesën e respektit nga UEFA. Sipas drejtuesve të kampionëve të Francës, Aytekin ra pre e presionit dhe u kushtëzua jo pak nga ambienti i krijuar nga më shumë se 96 mijë të pranishmit në “Camp Nou”.
Megjithatë, Paris Saint Germain nuk e diskutoi aspak eliminimin dhe nuk kërkon që të riluhet ndeshja, ashtu siç kërkohet në një peticion në portalin change.org, ku janë mbledhur mbi 250 mijë firma. Ajo që kërkoi klubi transalpin ishte t’i vinte në dukje qeverisë së futbollit evropian faktin se Aytekin ishte i papërshtatshëm për të gjykuar atë ndeshje.
PSG kërkon nga UEFA të drejtën pas eliminimit në Ligën e Kampionëve. Edhe pse protagonistët e ndeshjes kanë theksuar se gjykimi nuk është justifikimi i vetëm për humbjen e thellë ndaj Barcelonës, drejtuesit e klubit duan që të paktën gjyqtari Deniz Aytekin të mos shohë më fushën e lojës në aktivitete ndërkombëtare.
Sipas mediave ndërkombëtare, në UEFA është dërguar një dosje e mirëfilltë me vlerësimet e ish-gjyqtarëve ndërkombëtarë për sjelljen e Aytekin gjatë ndeshjes dhe episodet, të cilat parisienët mendojnë se kanë ndikuar plotësisht në eliminimin e skuadrës së tyre.