PSG e nis 2018-ën në mënyrë spektakolare

Paris Saint-Germain është kthyer në fushë mbrëmjen e djeshme për fazën e 1/32-ve të Kupës së Francës. Skuadra e Emery ka luajtur në shtëpinë e Renne-s dhe ka siguruar kalimin në raundin pasardhës me një fitore të thellë 6-1. Vendasit kanë rezistuar vetëm 9 minuta, me miqtë që kanë zhbllokuar takimin me një gol të Mbappe. Tetë minuta më vonë i ka ardhur radha Neymar që të shkruajë emrin e tij në listën e golashënuesve dhe të dyfishojë avantazhin e PSG-së.
Pas shtatë minutash “pushim” ka ardhur edhe goli i tretë i miqve, i shënuar nga Angel di Maria, i cili ka marrë vendin e Edinson Cavani-t në tredhëmbëshin e Parisit. “Pokeri” është kompletuar dy minuta para fundit të pjesës së parë, teksa Neymar ka realizuar golin e tij të dytë personal.
Vendasit, gjithsesi, kanë arritur të shënojnë golin e ngushëllimit në pjesën e dytë falë penalltisë të transformuar në gol nga Llamas. Gëzimi i Rennes ka zgjatur vetëm tetë minuta, me Di Maria që ka shënuar golin e pestë në të 74-ën dhe Mbappe që ka fiksuar shifrat në 6-1 një minutë vonë.

Exit mobile version