PSG kërcënon!…

PSG e Barcelona janë armiq që prej sezonit të shkuar, kur Neymar u transferua në Francë për shifrën rekord prej 222 milionë eurosh, ndërsa lufta ka rinisur këtë verë.
Klubi blaugrana kërkon Adrien Rabiot, duke tentuar ta blejë që tani, me shpresën se PSG do të dorëzohet, sepse mesfushori nis vitin e fundit të kontratës dhe verën e ardhshme do të largohet falas, nëse nuk rinovon.
Tentativat e Barcelona-s kanë bezdisur jo pak PSG-në, sepse po përsëritet historia e verës së shkuar me mesfushorin Marco Verratti, i cili u kontaktua nga përfaqësuesit e klubit katalan. Për pasojë, parizienët janë gati ta denoncojnë Barcelona-n në FIFA dhe e përditshmja Sport raporton se në zyrat e klubit blaugrana ka mbërritur një letër ku paralajmërohet padia për kontakt të paligjshëm me Rabiot.
Ndonëse ka refuzuar të rinovojë, Rabiot mbetet te PSG dhe po luan titullar, ndërsa trajneri Thomas Tuchel shpreson ta bindë gjatë sezonit që të rinovojë në Paris. Në krahun tjetër, Barcelona mbrohet duke theksuar se këtë verë ka dërguar në Paris menaxherin e përgjithshëm Pep Segura dhe drejtorin sportiv Erik Abidal, për të informuar PSG-në për interesimin për Rabiot. Ky i fundit nuk ishte pjesë e Francës kampione bote pikërisht për faktin se nuk ishte titullar sezonin e fundit te PSG, ndaj ka vendosur të largohet dhe ka pasur kontakte edhe me Milan-in.

Exit mobile version