Parisi, pas dy humbjeve të njëpasnjëshme të pësuara kundër Strasbourg dhe Bayern Munich, është kthyer të fitoret dhe do të zbresë në fushë mbrëmjen e së mërkurës me synimin për të çuar në 3 numrin e fitoreve të njëpasnjëshme në të gjitha kompeticionet. Skuadra e Emery do të presë në shtëpi Caen, në një takim të vlefshëm për javën e 19-të të kampionatit francez. Kjo do të jetë dhe ndeshja e fundit për PSG në vitin 2017. Në javën e fundit të Ligue 1, Parisi ka marrë një fitore bindëse 4-1 në fushën e Rennes. Neymar ka shënuar dy gola dhe ka dhënë dy asiste, ndërsa golat e tjerë janë shënuar nga Kylian Mbappe dhe Edinson Cavani.
Kështu, “Les Parisiennes” kanë shënuar 11 gola në tre fitoret e fundit dhe pritet që ta mbyllin vitin me një tjetër rezultat bindës kundër Caen. Gjithashtu, vendasit nuk do ta kenë të vështirë ta mbajnë rrjetën e portës së tyre të paprekur, duke parë se miqtë nuk e kanë pasur të lehtë të gjejnë rrugën e golit në ndeshjet e fundit. Në fakt, Caen ka shënuar vetëm një gol në pesë ndeshjet e fundit të luajtura në të gjitha kompeticionet. Ata nuk kanë arritur të shënojnë asnjë në katër takimet e fundit të luajtura në transfertë. Historia, siç pritej, është në favorin e PSG-së, por Caen ka marrë një barazim 1-1 befasues në vizitën e fundit të bërë në “Parc des Princes”. Në total, Parisi ka fituar 13 takime dhe ka humbur vetëm një nga 20 përballjet e zhvilluara kundër Caen.