Konflikti i krijuar në fushë mes Neymar dhe Cavanit gjatë ndeshjes me Lionin duket se është përshkallëzuar në dhomat e zhveshjes, aq sa është dashur ndërhyrja e kapitenit Thiago Silva dhe mbrojtësit tjetër Marquinhos për të evituar atë që mund të ishte kthyer në një konflikt të ashpër fizik mes uruguajanit dhe brazilianit. Në të vërtetë siç u pa, mes të dyve pati tension në fushë pikërisht për një goditje dënimi dhe një penallti, për të cilat të dy lojtarët kërkuan të ishin protagonistë.
Siç raporton e përditshmja sportive “L’Equipe”, mbrëmjen e së dielës pas fitores 2-0 ndaj Lionit, Edinson Cavani u pa të largohej nga fusha pa dashur të festonte fitoren me pjesën tjetër të skuadrës dhe as të përshëndeste tifozët. Shumë i irrituar për atë që kishte ndodhur në fushë u drejtua i pari për në dhomat e zhveshjes. Pak pas tij vijon “L’equipe”, mbërriti dhe Neymar, të cilit Cavani iu drejtua i nervozur në spanjisht. Debati u kthye me tone të ashpra dhe ofendime të rënda kundrejt njëri-tjetrit, aq sa u desh ndërhyrja e Silvas dhe Maquinhos për të shmangur që konflikti të degjeneronte në grushta.
Pas atyre shifrave marramendëse të shpenzuara në këtë merkato nga PSG, kanë nisur të ngrenë kokë edhe problemet e para të egos, ashtu siç edhe mund të parashikohej për faktin se në të njëjtin grup luajnë lojtarë të mëdhenj, yje të futbollit. Neymar dhe Cavani tashmë nuk e ndjekin më njëri–tjetrin as në rrjetet sociale. Presim të shohim se si do ta menaxhojnë ata të dy këtë konflikt në fushë, pasi protagonizmi do të jetë i vetmi problem i klubit francez në rrugën drejt titujve.
Cavani ka reaguar duke thënë se këto janë gjëra normale në futboll. “Këto gjëra janë trilluar, nuk e di pse shkruhen këto lajme. E vërteta është se këto janë gjëra normale, gjëra që ndodhin në futboll”, tha Cavani. “Lexova për këtë kur isha me vëllain, rreth asaj se si njerëzit thonë se si ‘Cavani nuk do të lerë askënd t’i ekzekutojë penalltitë dhe se ka probleme me Neymarin’. E vërteta është se nuk ka asnjë problem”, shtoi sulmuesi uruguajan. “Ai vetëm sa ka arritur dhe siç kam thënë edhe më parë, ne duam që ai të adaptohet sa më parë. Mendoj se kjo po ndodh, Neymar tashmë ka treguar se po adaptohet shumë shpejt”, theksoi mes të tjerash Cavani.
Ndërkohë, sulmuesi italian, Mario Baloteli i njohur për karakterin e tij paksa të çuditshëm, ka vendosur t’i japë një këshillë në mënyrën e tij Neymarit, i cili thuajse është kacafytur me Cavanin rreth çështjes se kush duhet të gjuajë penalltitë apo goditjet e dënimit nga tani e tutje. “As nuk duhet të pyesësh për t’i gjuajtur ato”, ishte këshilla e Balotelit drejtuar Neymar nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale. Sigurisht që këshilla e Balotelit nuk është ndër më brilantet e mundshme duke marrë parasysh historinë e tij.