PSG nuk ndalet!

Lufta midis Barcelonës dhe Neymar e PSG vijon ende, por kësaj radhe në merkato. Katalanët shohin tek miliarderët francezë pengesën më të madhe për të arritur tek mesfushori brazilian Coutinho, dëshira më e madhe e tyre gjatë merkatos që sapo lamë pas. Liverpool fiksoi një çmim shumë të lartë për yllin 25-vjeçar gjatë verës dhe për këtë arsye blaugranat u stepën disi për të arritur këtë marrëveshje.
Megjithatë, mediat spanjolle dhe në veçanti e përditshmja “Sport” bën të ditur se tashmë në garë për fantazistin është edhe PSG, një konkurent për t’u patur frikë në garën e merkatos. Mendohet që afrimi i Coutinhos të jetë një kërkesë ekskluzive e Neymar, që dëshiron një futbollist të kombëtares të zbarkojë nën kullën Eifel. Madje mendohet që drejtuesit e parizienëve të kenë nisur kontaktet direkte me kolegët e Liverpool për të mbyllur sa më shpejt këtë marrëveshje, në mënyrë që të shmangin garën me Barcelonën për afrimin e Coutinhos.
Në kryeqytetin francez paratë nuk duket të jenë problem, edhe pse gjithçka mund të mbulohet me largimet e verës së ardhshme, ku emrat në qarkullim janë të shumtë, duke nisur me uruguajanin Edinson Cavanin. Goleadori i PSG nuk gëzon më simpatinë e Neymar që tashmë ka ndikim shumë të madh tek presidenti Al Kelaifi, që është gati t’i plotësojë një tjetër dëshirë brazilianit, atë të afrimit të Coutinhos, që më shumë sesa një nevojë për skuadrën duket si një hakmarrje ndaj Barcelonës nga ana e numrit 10.
Ndërkohë, Barcelona është duke monitoruar Andre Silvan. Sipas asaj që raporton “Mundo Deportivo”, Barcelona është duke monitoruar sulmuesin e Milanit dhe Portugalisë, Andre Silvan për ta transferuar në të ardhmen. 21-vjeçari kontribuoi me një gol dhe një asist për Cristiano Ronaldon në fitoren 2:0 të Portugalisë kundër Andorrës.
Në tribuna ishte drejtori sportiv, Robert Fernandez, duke rritur edhe më shumë spekulimet. E përditshmja katalanase raportoi se ai ishte atje për të shikuar nga afër Andre Silvan dhe talentin e Sporting Lisbonës, Gelson Martins. Milani transferoi Silvan nga Porto verën e kaluar për 38 milionë euro plus bonuse.
Edhe De Gea ka rënë në radarin e PSG-së. Portieri i Manchester Unitedit, David De Gea, që kërkohet tash e një kohë nga Real Madridi, ka rënë edhe në radarin e Paris Saint-Germain, raporton e përditshmja sportive franceze, “Le10 Sport”. PSG e ka prioritet portierin spanjoll, pasi hoqi dorë nga ai i Atletico Madridit, Jan Oblak, për shkak të çmimit të lartë, 100 milionë funte.
Arlind RAMA

Exit mobile version