Kylian Mbape u prezantua zyrtarisht si lojtari i ri i Paris Saint Germain gjatë një konference për shtyp. “Është një kënaqësi e madhe për mua të jem pjesë e këtij ekipi. Parisi është një nga klubet më të mira të botës njëherazi ambicioz e me një projekt shumë të fortë”, u shpreh Mbape.
Francezi 18-vjeçar deklaroi gjithashtu se ishte shumë pranë qëndrimit tek Monaco, por më pas vendosi të transferohej tek PSG: “Në të vërtetë fillimisht isha pro qëndrimit tek Monaco. Por më pas bisedova edhe me familjen time dhe bashkë morëm vendimin e duhur për t’iu bashkuar këtij grupi kaq të rëndësishëm. Për mua vlen shumë kjo aventurë e re në Paris”, tha ai.
Sheiku Nasser Al-Khelaifi, pronar i klubit të Parisit, ishte i pranishëm në këtë konferencë për shtyp për t’i uruar sulmuesit mirëseardhjen. “Mirësevjen në shtëpi Mbape. Jam i sigurtë se bashkë do të shkruajmë faqe shumë të bukura në historinë e këtij ekipi. Ky është një moment special për Paris Saint Germain. Mbape është vetëm 18 vjeç, por që tani e njeh e gjithë bota”, tha Al-Khelaifi.
Francezi Kylian Mbape është huazuar nga Monaco dhe vitin e ardhshëm pritet që Parisi ta mbyllë blerjen e tij me shifën e 180 milionë eurove siç është rënë dakord paraprakisht, pikërisht në korrik të vitit 2018 në mënyrë që të mos penalizohej këtë vit nga rregullat e fair play-t financiar.