Raymond Domenech beson se Neymar ka lëvizur te PSG për t’u bërë lojtari më i mirë në botë, duke shtuar se ai mendon se gjithçka është krijuar për të arritur këtë qëllim. Neymar, për shumën e 222 milionë eurove u transferua në Francë nga Barcelona, verën e këtij viti, duke shkatërruar rekordin e mëparshëm në këtë drejtim. PSG ka vazhduar të tregojë formë mbresëlënëse në Ligën e Kampionëve dhe Ligue 1, pas nënshkrimit të Kylian Mbappe nga Monako, dhe Domenech mendon se skuadra nuk ka arsye të shikojë drejt Barcelonës.
“Unë pashë ndeshjen e tij të parë kundër Guingamp. Ishte fantastik. Çdo gjë ishte e përsosur dhe ai bën të drejtën në çdo moment. Ai mund të ndryshojë lojën, mund të ndryshojë PSG. Ata janë një klub që kurrë nuk ka arritur në finale të Ligës së Kampionëve, tani e kanë këtë mundësi. Parizienët mund të arrijnë në finale nëse nuk përballen me Manchester City në raundet e hershme. Eshtë një nga skuadrat më të mira në Europë, me siguri. Kjo skuadër është për të dhe do ta ndihmojë Neymar të fitojë “Topin e Artë”. PSG ka tani mundësinë të fitojnë Ligën e Kampionëve me Neymar dhe Mbappe, por nuk ka asnjë garanci. Asnjë klub nuk është i sigurt për ta fituar atë kompeticion vetëm, duke blerë lojtarë. Manchester City bleu shumë lojtarë të mirë dhe nuk mundi ta fitojë atë. Chelsea, Juventus, Real Madrid dhe Barcelona munden. Shumë prej tyre mund të fitojnë Ligën e Kampionëve”, tha Domenech.