Kur Edinson Cavani të shënon gola të tillë që në fillimin e sfidës, sigurisht që fati i ndeshjes është i përcaktuar, pak a shumë si ajo shprehja, që dita e mirë duket që në mëngjes. PSG në ndryshim nga sfida e mesjavës me Lillë, ndaj Bordeaux zgjidhi gjithçka shumë shpejt falë uruguajanit të saj që ishte njeriu i fitores 0-3 në “Chaban Delmas”. Cavani e mbylli takimin me një dygolësh, pasi në pjesën e dytë, ashtu siç e hapi sfidën ashtu dhe e mbylli me golin e 0-3.
Por të fitosh në Bordeaux nuk duhet të kesh në një ditë të mirë vetëm një futbollist, në fakt ndaj zhirondinëve, PSG luajti një prej ndeshjeve më të mira në këtë sezon me Di Marian, që ishte një tjetër futbollist që spikati, jo vetëm me lojë, por dhe me gol.
Me këtë fitore PSG për një mbrëmje ju bashkangjit Monacos në krye të klasifikimit, ndërsa Boreaux humbi shansin për t’u afruar me zonën europiane.