Milionat e Paris Saint Germain shkëlqejnë në Champions League. Parizienët e Unai Emery dominuan Bayern Munich, që u duk një skuadër e vogël përballë yjeve të ekipit francez. Treshja e ëndrrave Neymar-Cavani-Mbappe ishte thjeshtë fantastike, duke vallëzuar mes mbrojtësve të Bayern-it. Në minutën e 2-të Dani Alves i shërbyer nga Neymar mposhti Ulreich për avantazhin e Parisit. Bayerni shpërdoroi shumë raste për të barazuar shifrat dhe në minutën e 31-të, Cavani i asistuar nga Mbappe shënoi edhe të dytin. Fitorja e Paris Saint Germain dhe vendi i parë në grupin B pas 2 ndeshjeve të para u vulos nga goli i Neymar në të 63-ën. Në sfidën tjetër të këtij grupi kishte festë për Celtic Glasgow që mposhti me shifrat 3-0 brenda në Bruksel, Anderlechtin me finalizimin e Griffits dhe autogolin e Kara dhe golin në sekondat e fundit të Sinclair.
Në grupin C, Chelsea regjistroi një fitore të madhe, duke hedhur një hap të sigurtë drejt kualifikimit në fazën tjetër. Një gol i Batshuayai në minutën e 94-ën, la me gisht në gojë Diego Simeonen me Antonio Conten fitoi duelin me rivalin e tij. Në Ëanda Metropolitana përfundoi me suksesin 2-1 me përmbysje të Bluve të Londrës që u ngjitën në kuotën e 6 pikëve dhe kryesojnë bindshëm grupin C. Golit të Griezmann nga pika e bardhë e penalltisë iu përgigj Alvaro Morata përpara se të vinte finalizimin me vlerën e tre pikëve që mban firmën e beglut Mitchy Batshuayi. Në orën 18-të, në Baku, Qarabagut nuk i mjaftoi rikthimi në fushë i Ansi Agollit për të ndalur Romën që triumfoi me shifrat 1-2. Manolas dhe Dzeko në 15 minutat e para shënuan 2 herë për verdhekuqtë, ndërsa rrjeta e Pedro Henriques vetëm sa rihapi sfidën.
Në grupin D fitore për Barcelonën dhe Juventusin. Një autogol i Coates i mjaftoi blaugranave për të mposhtur në Lisbonë Sportingun vendas. Në Torino, ndërkohë bardhezinjtë morën fitoren e parë falë suksesit 2-0 ndaj Olympiacosit. Higuain i ardhur në fushë nga stoli dhe Mandzukiç ishin autorët e golave për skuadrën e Alegrit.
Në grupin A fitore të thella për Manchester United dhe Baselin. Në Moskë, formacioni i Jose Mourinhos kaloi 4-1 Cska-në e Moskës, duke marrë fitoren e dytë në grup. Lukaku, Martial me penallti dhe sërish Lukaku, shënuan në pjesën e parë për United, ndërsa Mkhitaryan e çoi rezultatin në 0-4 në fraksionin e dytë. Në fund kishte vend edhe për golin e nderit të skuadrës ruse që u realizua nga Kuchaev. Në St Jakob Park Baseli me Taulant Xhakën në fushë që u ndëshkua sërish me karton të verdhë shpartalloi Benficën me rezultatin e thellë 5-0. Lang hapi serinë e golave që në minutën e 2-të, ndërsa Oberlin i çoi shifrat në 2-0 në të 20-tën. Ricky Van Vonsëinkel nga pika e bardhë e penalltisë, sërish Oberlin dhe më pas Rivieros fiksuan shifrat përfundimtare të këtij takimi në 5-0 me Baselin që zhyti në krizë Benficën, duke marrë tre pikët e para.