Nga Neli Demi
Politika shpesh shihet si një qenie që funksionon me ligje të ndryshme nga pjesa tjetër e shoqërisë.
Pritshmëritë këmbëngulin që politika dhe politikanët, të jenë realitete dhe individë të purifikuar.
Vlerësimi për politikën dhe individët e përfshirë në të, po ashtu këmbëngul të jetë ai i të “përdalës” së përherëshme.
Është pikërisht kjo dikotomi midis pritshmërisë dhe vlerësimit që e bën politikën të perceptohet si një qënie e ndryshme nga çfarë ne perceptojmë tek individët dhe grupimet të llojeve të ndryshme në të përditëshmen tonë.
Qoftë pritshmëritë puritaniste ashtu edhe vlerësimet si demoniake mbi politikën dhe politikanët, janë në një masë të caktuar, projektime dëshirash dhe zhgënjimesh personale e sociale të individëve apo shoqërisë votuese. Dhe si të gjitha projektimet mund të kenë një dozë subjektiviteti.
Në shoqëri me një demokraci të zhvilluar e me traditë të qëndrueshme të funksionimit demokratik të institucioneve të zgjedhura dhe ku mekanizmi i kontroll-balancimit funksionon realisht, distanca pritshmëri-vlerësim priret të jetë më e vogël sesa në vende të pamësuara me marrëdhënie demokratike, marrdhënie të cilat e kanë ( duhet ta kenë) fillimin e tyre që kur individi vjen në jetë dhe jo kur individi bëhet ligjërisht i aftë për të votuar. Ky “mësim” me demokracinë që “në djep” dhe eksperienca graduale me binomin pritshmëri-vlerësim, i bën individët dhe shoqërinë që të mund të përcaktojnë pritshmëri më realiste dhe rrjedhimisht vlerësime më afër pritshmërive.
Në vendet me të kaluar diktatoriale e me të tashme autoritariste, siç është edhe Shqipëria, ku proceset demokratizuese kryesisht janë bërë top-down ( nga lart-poshtë) dhe ku mungon pronësia e mjaftueshme e këtyre proceseve nga një masë kritike njerëzish, tendencat dominuese të përzgjedhjes së politikanëve udhëhiqen nga dinamikat e vjetra ndër-personale. Kjo me pak fjalë do të thotë që individët/ shoqëria kërkon siguri dhe sigurinë ia jep më “i forti”. Pavarësisht nëse ky i forti është abuzues apo jo. Dhe tek këta të fortë projektohet puritanizmi i shpjeguar më lart. Kjo lloj qasjeje rrit tejskajshmërisht mundësinë e zhgënjimit që bën të mundur në vetëvete domonizimin e politikës dhe të gjithë politikanëve.
Unë mendoj që në këtë moment në Shqipëri po hasim pikërisht këtë realitet demonizimi shoqëruar me mungesë shprese.
Për tu rikthyer tek “të fortët” nga të cilët duhet të ruhemi, do të doja të sillja një koncept që fatkeqsisht është i mjaft-gjendur në politikë: Triada e Errët.
Triada e Errët është një koncept psikologjik relativisht i ri (Paulhus & Williams, 2002) që përmbledh tre konstrukte keqdashëse dhe të ndërlidhura të personalitetit: narcizismi, psikopatia dhe Makiavelizmin.
Ndërkohë që të gjithë pjesët e Triadës së Errët bashkëndajnë karakteristika të dëmshme sociale si p.sh. pandjeshmëria, pabesia/mashtrimi dhe vetë-lartësimi, secila prej tyre ka trajtat e veta të veçanta (shih foton).
Përcaktimet moderne të narcizismit e përshkruajnë atë si një ndjesi të mirëqenë vetë-rëndësie. Karakterizohet nga një vetë-perceptim që nuk përputhet me realitetin p.sh. në formë të grandiozitetit dhe ndjenja superioriteti si dhe qasje armiqsore ndaj çdo stimuli që perceptohet i rrezikshëm për egon e tij/saj.
Psikopatia perceptohet si pjesa më malinje e triadës dhe karakterizohet nga impulsivitet, mungesë ndjeshmërie dhe keqardhjeje si dhe tendenca antisociale.
Makiavelizimi apo “qëllimi justifikon mjetin” nga ana tjetër karakterizohet nga manipulimi strategjik, mungesa e moralit konvencional dhe një këndvështrim cinik mbi botën (realitetin) dhe në mungesë të një përqafimi ideologjik të politikës (apolitik), ata shkojnë me këdo për të arritur synimin e tyre.
Politika është një terren shumë ftues dhe pjellor për njerëz me struktura të tilla të personalitetit për shkak të pushtetit që ofron dhe pushteti është “oksigjeni” i tyre. Ky fakt bën të mundur që njerëz të tillë, përpara se të përfshihen në politikë, bëjnë gjithçka për të marrë atibutet e “të fortit” duke u përfshirë në aktivitete të paligjshme, duke mashtruar, mbjellur frikë e pasiguri në komunitet e tyre dhe duke përdorur këtë frikë për të ofruar “siguri dhe mbrojtje” duke premtuar në mënyrë jo të qendrueshme një ditë një gjë e ditën tjetër të kundërtën e saj.
Prandaj është shumë e rëndësishme për çdo person që voton të mund të ulet e të mendojë përpara se të hedhë votën: Çfarë mendoj dhe çfarë ndjej unë për këtë njeri që kërkon votën time? Pse mendoj dhe ndjej këtë gjë? Çfarë di unë për të? Si është bërë “i fortë” ky person?