Kryeministri Edi Rama ka deklaruar sonte në emisionin “Zona e debatit” të Baton Haxhiut në TV “Klan Kosova”, se nëse Donald Trump zgjidhet President i SHBA-ve, atëherë marrëdhëniet e Shqipërisë me të do të cenohen.
Rama tha se Trump është një fatkeqësi për SHBA-të dhe uroi që ai të mos zgjidhet kurrë President.
Këto deklarata, Rama i bëri nën cilësinë e Kryeministrit të Shqipërisë.
Pyetje – Përgjigjet
Gazetari: Çfarë mendimi keni për Donald Trump?
Rama: Unë e kam thënë hapur atë që mendoj për Donald Trumpin dhe nuk e kam fare problem ta përsëris as këtu as kudo që të jetë; as në shqip dhe as në anglisht, që Donald Trump është kërcënim për Amerikën dhe nuk diskutohet që është kërcënim edhe për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane.
Gazetari: Që i bie?
Rama: Që i bie që mos e dhëntë Zoti që amerikanët ta zgjedhin President. Sepse do të ishte një President që do t’i bënte dëme të mëdha Amerikës dhe sigurisht do të ishte një kërcënim real për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane.
Gazetari: Po flet si Kryeministër apo si intelektual?
Rama: Jo mo flas si Kryeministër…
Gazetari: Si Kryeministër?
Rama: Unë nuk e ndaj asnjëherë veten nga vetja. Sot jam edhe Kryeministër, por në radhë të parë jam Edi Rama.