Psikoterapisti Neli Demi, kandidat i Koalicionit Euroatlantik për zgjedhjet e 11 majit, në një prononcim për BIRN deklaroi se reagimet e Edi Ramës pas arrestimit të Veliajt quhen “apel emocional” në psikologjinë politike – një teknikë që synon të largojë vëmendjen nga argumentet racionale dhe ta orientojë atë drejt reagimeve instinktive dhe ndjesore.
“Kjo sjellje, në mënyrë të qëllimshme, zakonisht përdoret për të treguar dominim, për të shmangur perceptimin e dobësisë dhe për të dhënë mesazhin se ai është ende në kontroll të situatës,” tha Demi, i pasigurtë nëse në reagimet e para, gjuha verbale dhe trupore e kryeministrit kanë qenë plotësisht të përllogaritura.
Demi e analizon më tej ligjërimin e Ramës si një kombinim mes “gjuhës emocionale, agresivitetit verbal dhe një strategjie të dyfishtë për të mbrojtur veten, pa u shfaqur hapur kundër SPAK-ut”.
“Në këtë mënyrë, ai po synon të aktivizojë instinktet e solidaritetit dhe ndjeshmërisë tek popullata që në fakt së shpejti do të jenë edhe votues, ndërsa përpiqet të krijojë një narrativë ku drejtësia është bërë e padrejtë,” shtoi ai.
“Një sulm i hapur ndaj SPAK-ut do të tingëllonte si hipokrizi, dhe për këtë arsye ai menjëhere pas reagimit agresiv të fillimit, u përpoq t’i rikthehet mbrojtjes së “pronës,” analizon Demi.
“Manipulim emocional’
Narrativa e Ramës ndaj arrestimit të Veliajt ishte e mbushur me terma që synonin të ngjallnin emocion si dhe të preknin ndjeshmërinë e publikut, duke anashkaluar faktet apo provat e dosjes hetimore.
Në këtë drejtim, Rama i portretizoi prokurorët si të ‘pashpirt’, pasi kanë ‘penguar një nënë që të çojë fëmijën në kopsht”, apo ndaluar një baba në rrugë me “fëmijën në karrocë”.
Theksimi i këtyre shembujve tregon sipas psikoanalistit Demi si Rama “po përpiqet të ndryshojë kornizën e interpretimit të ngjarjeve”.
“Në vend që publiku ta shohë hetimin apo edhe arrestimin si një çështje ligjore për korrupsionin e supozuar, z. Rama përpiqet ta zhvendosë fokusin drejt padrejtësisë njerëzore, duke e paraqitur SPAK-un në sytë e publikut si të pamëshirshëm,” i tha ai BIRN.
“Përmendja e fëmijëve synon që të aktivizojë simbolikën universale të fëmijëve si qenie të pafajshme, duke zgjuar reagime emocionale tek publiku pasi fëmijët janë një simbol universal i pafajësisë, dhe përmendja e tyre krijon një lidhje emocionale me publikun,” shtoi ai.
Sipas Neli Demit, kjo gjuhë metaforike është përdorur nga Rama për të krijuar për veten imazhin e “protagonistit tragjik” që përballet me të keqen.
“Ndryshe nga Berisha, që përdor një gjuhë të drejtpërdrejtë dhe konfrontuese, apo Veliaj, i cili preferon një qasje më teknokratike dhe PR-friendly, Rama ka një stil më të ndërlikuar dhe teatror dhe kësisoj ai krijon një realitet paralel, ku ai është artisti që lufton kundër kaosit, një lloj protagonisti tragjik që duhet të merret me “injorancën” dhe “padrejtësinë” e institucioneve që e keqkuptojnë ose e shënjestrojnë,” thotë Demi.