Publikohet emri i kreut të bandës që trafikonte drogë nga Shqipëria në Itali

Policia italiane ka zbardhur sot disa nga detajet e operacionit “Shqiponja e Zezë”, i cili çoi në shkatërrimin e një bande narkotrafikantësh shqiptarë që vepronin në rajonin e Lombardisë.
Operacioni i koduar “Shqiponja e zezë” ka nisur hetimet në vitin 2013 e deri në ekzekutimin e urdhër arrestimeve janë verifikuar 57 episode të trafikut të drogës të tipit heroinë e marijuanë nga Shqipëria drejt Italisë e Zvicrës.
Në krye të kësaj bande qëndronte shqiptari Ekil Nderjaku 34 vjeç, i cili merrej me furnizimin e drogës nga Shqipëria dhe transportimin e saj në Itali e Zvicër. Droga transportohej me automjete të modifikuara enkas.

Baza e trafikantëve shqiptarë kishte një apartament në qytetin e Komos ku banonin dy anëtarët e tjerë të bandës, çifti Adelina Tafa e Shkëlqim Tafa.
Adelina Tafa merrej me përgatitjen e dozave të drogës, prerjen, përzierjen e konfeksionimin e saj, ndërsa bashkëshorti Shkëlqim Tafa merrej me ruajtjen e sasisë së drogës.
Mes 17 shqiptarëve të arrestuar, shumica janë korrierë, të cilët paguheshin 100 euro për transportin e çdo kg droge.
Nga viti 2013 e deri më sot kësaj bande trafikantësh policia italiane i ka sekuestruar 440 kg marijuanë, 10 kg heroinë e 220 kg lëndë përzierëse për përgatitjen e dozave të drogës.

Exit mobile version