Pas publikimit të lajmit se Partia Socialiste kishte një database me të dhënat e 910 mijë personave në Tiranë, SPAK ka thirrur për të dëshmuar drejtuesit e Lapsi.al, Armand Shkullaku dhe Andi Bushati.
Sipas Ora News, gazetarët e njohur që publikuan skandalin, janë thirrur ditën e sotme në orën 13:30 për te dëshmuar në prokurori lidhur me këtë çështje.
Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme nisi më herët hetimet në lidhje me databazën e votave të Partisë Socialiste.
SPAK do të sekuestrojë serverin e e-Albania për të krahasuar të dhënat me qëllim identifikimin e burimit ku janë marrë të dhënat personale të qytetarëve.
Në rast se provohet se databaza në fjalë po përdoret në fushatë, dosja duket se do të qëndrojë në SPAK si krim zgjedhor.
SPAK do të krahasojë të dhënat e dy databazave me qëllimin për të verifikuar nëse kemi të bëjmë apo jo me një krim zgjedhor, çka sipas legjislacionit të ri e bën ngjarjen kompetencë e Prokurorisë se Posaçme.
Nxjerrja e të dhënave personale përbën vepër penale dhe ndëshkohet edhe në rast se nuk bëhet për qëllime zgjedhore, por në këtë rast hetimi mund të jetë kompetencë e prokurorisë së rrethit.