‘PUÇ KUSHTETUES’ NDAJ GARDËS SË REPUBLIKËS

Nga Myzafer Elezi

Dje, shumica parlamentare miratoi në Kuvend projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 33/2021 “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”.

Nëpërmjet ndryshimeve në ligjin për Gardën e Republikës, qeveria Rama ka realizuar një ‘puç kushtetues’ ndaj këtij institucioni.

Siç është bërë publike, ka disa muaj që Drejtori i Përgjithshëm i Gardës së Republikës së Shqipërisë ka dhënë dorëheqjen nga detyra. Kërkesa për dorëheqje është në përputhje me nenin 18, pika 2/”b”, të Ligjit nr. 33/2021 “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, në të cilin parashikohet se:

“Drejtori i Përgjithshëm i Gardës së Republikës lirohet nga detyra me urdhër të Kryeministrit me propozim të ministrit, kur:

b) jep dorëheqjen”;

Por, aktualisht Drejtori i Përgjithshëm vijon të ushtrojë detyrën në krye të Gardës së Republikës, pasi dorëheqja e tij nuk është pranuar nga kryeministri Edi Rama.

Dorëheqja nga funksioni shtetëror, sigurisht nëse nuk është e imponuar, apo “me orientim nga lart dhe propozim nga poshtë”, është një akt personal i nëpunësit, dhe si e tillë duhet të respektohet.
Askush nuk është i detyruar të qëndrojë në një funksion nëse ai nuk e dëshiron një gjë të tillë.

Ajo që pritej nga stafi i Gardës së Republikës, ishte emërimi i një drejtori të ri të përgjithshëm nga radhët e Gardës së Republikës, në përputhje me kriteret e parashikuara në nenin 17 të Ligjit nr. 33/2021, për emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm, dhe konkretisht:

Neni 17
Kriteret e emërimit të drejtorit të Përgjithshëm të Gardës së Republikës

1. Drejtori i Përgjithshëm i Gardës së Republikës emërohet nga Kryeministri me propozim të ministrit dhe i jepet grada “Drejtues madhor”.

2. Drejtori i Përgjithshëm i Gardës së Republikës duhet të plotësojë këto kritere:

a) të ketë vetëm shtetësinë shqiptare;

b) të jetë punonjës i Gardës që mban gradën “Drejtues i parë” ose “Drejtues i lartë”;

c) të mos ketë masa për shkelje të rënda disiplinore brenda 3 (tri) viteve të fundit;

ç) të mos ketë konflikt interesi në ushtrimin e detyrës.

Në vend që të emërohej një tjetër Drejtor, nga radhët e Gardës së Republikës, siç duket Qeveria e ka paracaktuar drejtorin e ri të Gardës, i cili kriter kryesor duhet të ketë “besnikërinë e palëkundur ndaj partisë”, pavarësisht kritereve që parashikon ligji organik, me qëllim për ta përdorur atë si një vegël qorre në duart e Kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm.

Ndaj, një grup pune nga Ministria e Brendshme, me porosi të veçantë nga ministri i Brendshëm, me ‘shpejtësi rrufe’ hartuan një projektligj për disa ndryshime në Ligjin nr. 33/2021 “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, në të cilën u ndryshuan kriteret e emërimit të drejtorit të Përgjithshëm të Gardës së Republikës.

Ky projekt (tashmë ligj) ndryshoi tërësisht kriteret ligjore të parashikuara në pikën 2 të nenit 17 të ligjit aktual.

Është e qartë se ligji është i pororsitur, qëllimi i të cilit është që në krye të Gardës së Republikës, të emërohet një tjetër person nga jashtë strukturës së Gardës së Republikës, të cilin Qeveria Rama ka vendosur ta gradojnë “Drejtues madhor”, duke kapërcyer menjëherësh 10 grada.

Kujtoj këtu se, në nenin 34 “Emërtimi i gradave”, të ligjit aktual nr. 33/2021, grada “Drejtues madhor” klasifikikohet e nivelit të fundit në klasifikimin dhe hierarkinë e sistemit të gradave, dhe punonjësi e fiton atë pasi të ketë ezauruar afatet e qëndrimit në gradë, nga grada “Nënkomisar” deri në “Drejtues i lartë”, pra të ketë jo më pak se 14 oficer në Gardën e Republikës.

Siç duket, qoka ndaj drejtorit të ri të Gardës së Republikës, është ndryshimi i kritereve të emërimit dhe marrjes së gradës, enkas për gradimin madhor të tij.

Me shumë gjasa, drejtori i Përgjithshëm i Gardës së Republikës do të vijë nga jashtë radhëve të këtij institucioni.

Partia Demokratike e ka denoncuar me forcë këtë ‘puç kushtetues’ ndaj institucionit të Gardës së Republikës, të ndërmarrë nga Qeveria Rama ndaj një institucioni që sipas ligjit duhet të jetë i depolitizuar.

Misioni i Gardës së Republikës është garantimi i sigurisë së personaliteteve shtetërore dhe objekteve në ruajtje, ndaj Partia Demokratike nuk mund të pranojë devijimin e misionit të kësaj strukture, dhe përdorimin e saj për qëllime politike, duke shkelur parimin e ligjshmërisë, i cili është një prej parimeve bazë të organizimit dhe funksionimit të Gardës së Republikës.

Artikulli paraprakUrime 22 Marsin, nga një demokrat!
Artikulli tjetërE vetmja alternativë e opozitës për Kryeministër!