Shqipëria është renditur në vendin e 80-të nga 180 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2024, me një përmirësim prej 5 pikësh krahasuar me një vit më parë.
Sipas raportit të “Transparency International”, Shqipëria ka grumbulluar 42 nga 100 pikë të mundshme, duke lënë pas disa shtete të rajonit.
Një nga faktorët kryesorë që ndikoi në këtë përmirësim është puna e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
“Në Shqipëri, prokuroria dhe gjykatat e specializuara kundër korrupsionit kanë fituar besimin e qytetarëve pasi kanë dënuar ish-ministra, deputetë dhe kryebashkiakë,” thuhet në raport.
“SPAK vazhdon të hetojë një ish-president, ish-kryeministër dhe zyrtarë të tjerë të lartë,” thekson raporti.

Por pavarësisht progresit, raporti ngre shqetësime mbi transparencën dhe kontrollin kundër korrupsionit, duke vënë në dukje një marrëveshje të diskutueshme të qeverisë me investitorë.
“Qeveria e Shqipërisë ka lidhur një marrëveshje të errët investimi, me vlerë miliarda dollarë amerikanë, duke rrezikuar shkatërrimin e deltës së çmuar të lumit Vjosa,” paralajmëron raporti duke nënkuptuar këtu projektin e propozuar nga dhëndri i Presidentit Donald Trump, Jared Kushner.
Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit, i cili publikohet nga “Transparency International” paraqet një pamje jo të mirë të situatës në të gjithë botën.
Nga 180 vende ku janë mbledhur të dhënat, vetëm 19 prej tyre kanë arritur të shënojnë përmirësime. Shqipëria dhe Kosova janë ndër to, ndryshe nga disa prej fqinjëve të saj, që kanë pësuar rënie.
Vendet fqinje sikurse Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut kanë shënuar përkeqësim, ndërsa Kosova ka shënuar përmirësim duke mbledhur 44 pikë nga 100 në total dhe duke u renditur në vendin e 73 nga 180 vende në total.
Renien më të madhe në pikë vijon ta ketë Serbia duke u renditur në vendin e 105 nga 180 vendet e përfshira. Për këtë sipas raportit ka ndikim roli dominues i ekzekutivit dhe dobësitë institucionale ndaj korrupsionit që po rriten si rezultat I kontrollit të fortë të presidentit Vucic.

Maqedonia e Veriut ka shënuar një renie prej dy pikësh krahasuar me një vit më herët, duke u radhitur në vendin e 88.
Mali i Zi nuk ka pësuar ndryshim, duke u rendiutr në vendin e 65 me 45 pikë në total, edhe pse kritikohet qasja ndaj reformave.
“Qasja gjysmake e Malit të Zi ndaj reformave e ka lënë kapjen e gjyqësorit të pa adresuar, gjë që rrezikon të minojë progresin e bërë nga Prokuroria Speciale e Shtetit dhe të përjetësojë mosndëshkimin e zyrtarëve të nivelit të lartë,” citohet në raport.
Ndërsa për Bosnjë dhe Hercegovinën raporti thotë se legjislacioni aktual për korrupsionin është i pamjaftueshëm për të siguruara pavarësi të gjyqësorit. Ajo renditet në vendin e 114 me vetëm 33 pikë, duke pësuar një renie prej dy pikësh krahasuar me një vit më herët. /citizens.al