“Punësimi i të fejuarave të djemve, janë thjesht tregues i…”, Prokuroria pezullon nga detyra kreun e Urdhrit të Stomatologut, BIRN rendit shkeljet

Prokuroria e Tiranës njoftoi të shtunën më 4 tetor, vendimarrjen për pezullimin e ushtrimit të detyrës ndaj Presidentit të Urdhërit të Stomatologut, Nikoll Deda, i akuzuar për shpërdorim detyre, nepotizëm dhe abuzime financiare. Sipas njoftimit, Prokuroria kishte nisur një hetim ndaj Dedës në janar të këtij viti, pas kallëzimit të një personi me inicialet A.G, që e akuzonte atë për abuzime financiare dhe manipulime me vendimarrjen e Këshillit Kombëtar.

Po ashtu, në kallëzim është parashtruar se me vendimin e Gjykatës Administrative në vitin 2020 është vendosur sigurimi i padisë për dy vendime, por shtetasi Nikoll Deda, në cilësinë e presidentit të Urdhrit të Stomatologëve, ka vijuar në mënyrë të jashtëligjshme me mbledhjen e Këshillit Kombëtar dhe Asamblesë, ku ka marrë vendime të dyshimta me karakter financiar, si dhe ka kryer punësime të familjarëve të anëtarëve të Këshillit Kombëtar dhe të vetë familjes së tij.

Duke iu referuar kallëzuesit, prokuroria bënë me dije se në shtator të vitit 2020 është vendosur blerja e një godine, në funksion të Urdhrit të Stomatologut, me sipërfaqe 350 m2, në vlerën 700 mijë euro. Sipas tij, për sa kohë ka një vendim për sigurim padie të vitit 2020, Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Stomatologut nuk duhet të merrte vendime të tilla me impakt ekonomik kaq të lartë. Gjithashtu, ka referuar se Këshilli Kombëtar ka aprovuar marrjen e nje kredie pranë një banke në vlerën prej 250 mijë euro me qëllim “blerje ambientesh”, për të cilin është marrë vendimi po nga presidenti Deda.

“Nga hetimet rezultoi se me veprimet/mosveprimet e tij, shtetasi N.D. ka krijuar një ‘klimë posedimi privat’ duke përqendruar në duart e tij funksionet e këshillave rajonale qoftë për sa i përket administrimit të buxhetit të urdhrit të stomatologut ne nivel qarku, qoftë përsa i përket pajisjes me licencë të stomatologeve për ushtrim individual profesioni,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

 

 

“Për më tepër, punësimi i të fejuarave të djemve të tij në Urdhrin e Stomatologut, apo fëmijëve të anëtarëve të Këshillit Kombëtar, janë thjesht tregues i personalizimit të ‘Urdhrit të Stomatologut’ nga shtetasi N.D., duke krijuar një klimë posedimi privat të këtij enti publik,”shtoi Prokuroria.

Deda është marrë i pandehur dhe ndodhet aktualisht në një proces gjyqësor për një tjetër procedim penal. Sipas Prokurorisë, pavarësisht telasheve ligjore, ai ka vazhduar të ndërmarrë veprime aktive për përqendrim të mëtejshëm të kompetencave në duart e tij, duke shfrytëzuar strukturat e Urdhrit të Stomatologëve të Shqipërisë.

Artikulli paraprak“Është alternativa e vetme”/ Ish-presidenti Topi rikonfirmon mbështetjen për Bashën: Gati për bashkëpunim!
Artikulli tjetërCilat janë frutat dhe perimet që duhet të konsumoni në nëntor