Punimet për ndërtimin e bypass-it të qytetit të Vlorës, protestojnë sërish banorët e Kaninës

Banorët e fshatit Kaninë, në Vlorë, kanë vijuar dhe këtë të martë protestat për të kundërshtuar mënyrën se si po zhvillohen punimet për ndërtimin e bypass-it të qytetit të Vlorës.

Sipas banorëve, në hyrje të parcelave bujqësore është vendosur një tub me lartësi minimale, që lejon kalimin vetëm të këmbësorëve, duke e pamundësuar hyrjen e mjeteve të tonazhit të rëndë, përfshirë ato bujqësore, zjarrfikëset dhe ambulancat. Ata theksojnë se kjo situatë përbën rrezik serioz për sigurinë dhe jetën e banorëve, veçanërisht për të moshuarit dhe familjet që jetojnë pranë aksit të punimeve.

“Shqetësimi është shumë i madh. Së pari është fjala për jetën e njerëzve. Këtu jetojnë familje, të moshuar që çdo ditë dalin te ullinjtë. Mund të përfundojnë në rrugë, pasi nuk ka asnjë barrierë. Nuk kemi akses në pronat tona. Mjetet e mëdha nuk mund të kalojnë. Pse është kaq e vështirë t’i jepet një zgjidhje kësaj situate? Ne nuk do të ndalemi, do të vazhdojmë me protestat,” tha një nga banorët për Euronews Albania.

Një tjetër protestues kërkoi që mbikalimi që është parashikuar për kalimin e banorëve të rishikohet dhe të ndërtohet më i lartë, në mënyrë që të lejojë kalimin edhe të automjeteve të emergjencës dhe atyre bujqësore.

“Protestojmë sepse po ndërtohet një mbikalim për kalimin tonë në anën tjetër të rrugës, por është shumë i ulët. Kjo zonë pritet të marrë zhvillim, pse të mos ndërtohet një mbikalim me lartësi të mjaftueshme, që të kalojnë edhe zjarrfikëset dhe ambulancat”, tha ai.

Banorët i bëjnë thirrje autoriteteve që të ndërhyjnë sa më parë për të gjetur një zgjidhje teknike që garanton sigurinë dhe të drejtat e tyre për akses në pronat dhe jetën e përditshme.

Artikulli paraprakKërcënime ndaj votuesve dhe përfshirje të personazheve me precedentë në zgjedhje, SPAK dhe BKH intensifikojnë hetimet në Elbasan! Takime pune me drejtuesin e Prokurorisë
Artikulli tjetër“Një biznesmeni iu gjetën mbi 200 mijë euro”- Kontrollet me urdhër të SPAK në Elbasan, gazetarja Klodiana Lala: U sekuestrua telefoni i një zyrtari të bashkisë, dyshime se bleu vota për kandidatin e PS