Bledi KASMI
Toni Bler ka mbërritur dy ditë më parë në vilën kryeministrore të Dhërmiut për të kaluar disa ditë pushimesh bashkë me kreun e qeverisë. Marrëdhënia e tyre është e veçantë. Prej tre vitesh ata janë kontraktorë, por pa kontrata zyrtare të njëri-tjetrit. Njëri lobues dhe tjetri klient.
Tony Blair tha dy vite më parë se do të këshillonte kryeministrin Rama, se si të anëtarësojë vendin në Bashkimin Europian. Po atë ditë Rama tha se ish-kryeministri britanik do të këshillojë qeverinë shqiptare në mënyrë personale dhe vullnetare, duke përdorur eksperiencën e jashtëzakonshme dhe gjenialitetin politik.
Tre vite pas këtyre objektivave të shpallura, të dy mund të shpallen se kanë gënjyer shqiptarët. As Shqipëria nuk është anëtarësuar në Bashkimin Europian sikurse premtonte lobisti Bler dhe as këshillimet e tij nuk kanë qenë falas sikurse deklaronte Bleri.
Për këtë flasin faktet. Dy vjet më parë në gushtin e vitit 2014, Rama vizitonte Kuvajtin dhe një nga diplomatët kuvajtianë u habit nga kërkesa e çuditshme që i ishte bërë nga Kryeministri i Shqipërisë. Rama i kishte kërkuar një fond 5 milionë euro për të paguar lobistin Bler. Fondi i dhënë nga Kuvajti u zyrtarizua në Kryeministri me frazën “Ne kemi një ndihmë shumë bujare nga qeveria e Kuvajtit, 5 milionë euro në dispozicionin tonë për përmirësimin e procesit të reformave, si dhe për të na ndihmuar adresimin e drejtë të prioriteteve kyçe”.
Se çfarë procesi reformash ndihmuan këto 5 milionë euro këtë e dinë xhepat e lobistit Bler dhe klientit të tij Kryeministër që i përdor vizitat zyrtare për të zgjidhur hallet personale. Por, sot të dy ata janë në kushte të tjera. Të dy kanë halle të ngjashme. Të dy po hetohen për mashtrim. Lobisti në Angli dhe klienti i tij në Shtetet e Bashkuara.
Tony Blair është vënë nën akuzën për mashtrim lidhur me nisjen e luftës në Irak në vitin 2003, ndërsa Rama se ka mashtruar autoritetet zyrtare në Uashington, duke financuar në mënyrë të kundraligjshme fushatën e Presidentit Obama në shumën e 80 mijë dollarëve.
Përsëri ngjashmëritë mes halleve të tyre të përbashkëta vazhdojnë. Gazeta britanike “The Telegraph” shkruante pak muaj më parë se zotit Blair do t’i ndalohet hyrja nëpër ambasadat britanike në shumë vende e midis të cilave edhe në Shqipëri. Kjo për shkak të abuzimit me paratë e taksapaguesve britanikë. Mirëpo ky sanksion ndaj Blerit nga qeveria britanike nuk e pengon që të pushojë në vilat qeveritare të Shqipërisë me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Sepse këtu ligji është i Maliqit, dhe Maliqi është vetë Zot e vetë shkop në këtë vend.
Ndërsa Blerit nuk i lejohet hyrja në ambasadat britanike, klientit të tij në Tiranë nuk i është lejuar hyrja në Konventën e Demokratëve në Shtetet e Bashkuara. Nëse lobistit do t’i kërkohet të zgjidhë këtë hall të fundit të Ramës nuk do të jetë e lehtë. Hetimit në Shtetet e Bashkuara i është bashkuar edhe stafi i Presidentit Obama, ndërsa Gjykata amerikane pritet që të shpallë fajtorët në muajt tetor dhe nëntor.