Nga Ben Andoni
Ka më shumë shqetësim në opozitë dhe nga zëra të ndryshëm të Shoqërisë Civile se: kryeministri Rama mund të marrë një mandat të katërt, sesa gjetjes së mekanizmave për të zvogëluar korrupsionin dhe mënyrat që të çojnë drejt shpërdorimit të pushtetit, siç po ndodh rëndom në vendin tonë. Dhe, kjo është deridiku me të drejtë. Rama me pushtetin dhe me arrogancën sesi po e trajton qeverisjen dhe mbi të gjitha larjen e duarve para rasteve të shumta të korrupsionit, saqë tashmë çdo gjë duket “jashtë tij”, thjesht po e relativizon gjithçka, duke amnistuar marrjen e përgjegjësisë. Vetë, kreu i opozitës de facto, Sali Berisha, nga ana tjetër jo vetëm e ka shpërdoruar konceptin e korrupsionit, pasi mbi kurriz mban disa akuza por po e snobon hapur. Në të dyja rastet, pushteti i të parit gati mbi çdo institucion dhe të dytit mbi çdo strukturë të opozitës ka lënë tokë djerrë në transparencë por mbi të gjithë luftën e vërtetë ndaj korrupsionit. Dhe, duke folur në çdo moment për antikorrupsionin dhe figurën e pastër, Berisha, thjesht ka shpërbërë pritshmëritë e publikut ndaj institucioneve. Këtë herë, pushtetit të drejtësisë, sipas të cilës Berisha do i duhet të kalojë një procedurë, që në raste deputetësh të tjerë duhet të ishte thjesht rutinë, por që në rastin e tij do të pengohet deri në fund. Madje, edhe nga shumë deputetë që mëtojnë se janë mëndjehapur dhe nuk janë fare berishistë. Ka një aksiomë që i atribuohet Lordit Acton, një politikani britanik, thënë gati dy shekuj më parë, por që është kanonike për demokracinë,: “Pushteti tenton gjithnjë të korruptojë dhe pushteti absolut të korrupton absolutisht”. Rasti i Shqipërisë është një provë e gjallë e këtij konstatimi.
Ndaj, sot, bota demokratike, që po vuan nga një krizë shumë-planëshe, i duhet t’u kujtojë vendeve si Shqipëria, që nëse do kërkonin vlerësimin e besimit të njerëzve tek të zgjedhurit e tyre në parlament, bashkë me zvogëlimin e rreziqeve të korrupsionit politik, duhej më së pari të paktën të bënin transparencë dhe mbi të gjithë të shmangshin nga konfliktet e interesit.
Por, publiku shqiptar, jo vetëm është i privuar nga transparenca, megjithë institucionet e shumta të kontrollit, ndërsa konfliktet e interesit i merr vesh, kur politikanët mbajnë rradhë tek SPAK-u. Kështu, po ndodh për inceneratorët; kështu po ndodh me kompleksin “Partizani”, që është kthyer në një sagë; çështjet në mjekësi, arsim etj., me radhë. A mund t’ua ndalë dikush këtë dëshirë të paepur pushtetarëve tanë për absolutizëm? Me sa duket jo, qoftë edhe fakti se në mënyrë kanonike e dinë po aq mirë se pushteti absolut të korrupton po kaq. PS-ja po e provon për ditë, kurse te PD-ja, megjithë ndarjen, Berisha ua ka ofruar në tavë, dhe e ka kthyer në normë mosbindjen demokratike, paçka problemeve “të parëndësishme me drejtësinë”. (Javanews)