Mesazhi ynë kundër një sistemi të kalbur. Në qarkun Elbasan sapo lamë pas një fushatë zgjedhore. Jo thjesht sepse ishim një ekip i ndershëm, pa para dhe pa patronazhistë, por sepse ishim ndryshe nga gjithë të tjerët: nuk ishim të lidhur me bandat, mafien, ose pazaret e natës. Ishim aty për një qëllim, të thonim të vërtetën dhe të përfaqësonim qytetarët, jo klanet.
Ne e ndërtuam fushatën tonë me njerëzit dhe për njerëzit. Nga Prrenjasi e deri në Belsh, nga Librazhdi në Gramsh, Cërrik e Peqin, e deri në zemrën e Elbasanit, fushata jonë nuk kaloi nga sallonet me drita të shtrenjta, por nga rrugicat e lagështa, kanalet vaditëse të prishura, çezmat e thata, qendrat shëndetësore të rrënuara dhe shkollat me mure që rrëzohen. Ne nuk premtuam “ëndrra” të sponsorizuara, por ofruam një program realist, të zbatueshëm dhe me vizion afatgjatë për zhvillim të qëndrueshëm.
Shëndetësia dhe Arsimi, kolonat e rrënuara të shtetit.
Në Librazhd dhe Prrenjas, dhe gjithë Qarkun, ka ende qendra shëndetësore pa mjekë, me infermierë të vetëm që shërbejnë për katunde të tëra, madje dhe këta të fundit shkojnë me grafik. Mungojnë mjetet më bazike për emergjencat, shëndetësia sot nuk është një e drejtë, por një luks i rezervuar për pakicën që përfiton nga pushteti.
Shkollat? Në shumë zona janë të ndërtuara pa cilësi dhe nuk kanë as ngrohje dimrit, as libra të mjaftueshëm, as mësues të motivuar. Arsimi është bërë një listë statistikash, jo një investim për të ardhmen. Ne kërkojmë investim real në shëndetësi dhe arsim: rritje pagash për mjekët dhe mësuesit, rikonstruksion total të institucioneve bazë dhe garantim të kushteve dinjitoze për të gjithë.
Rrugët kapilarë, aty ku shteti mungon fizikisht..
Në Peqin, Belsh, Cërrik dhe zonat malore të Gramshit, rrethinave të Elbasanit, Prrenjasit dhe Librazhdit, nuk ka rrugë, ekzistojnë ca rrugë traktori që nuk janë prekur që nga koha e komunizmit. Në këto vende nuk bëhet fjalë për asfalt elektoral, bëhet fjalë për lidhjen minimale mes qytetarit dhe shtetit. Pa rrugë nuk ka ekonomi, nuk ka transport mjekësor, nuk ka turizëm, nuk ka jetë. Ne kërkojmë një riformatim të infrastrukturës kapilare: çdo fshat të lidhet me njësinë më të afërt administrative në mënyrë funksionale, me rrugë të kalueshme 12 muajt e vitit.
Ekonomia reale, aty ku jetojnë njerëzit..
Ndërkohë që pushteti ndërton fasada, qytetarët jetojnë me bujqësi, blegtori dhe pemëtari, sektorë që po shuhen nga mungesa e subvencioneve, çmimet e larta dhe mungesa e tregjeve. Në Gramsh dhe gjithë qarkun, pemët mbeten pa mbledhur sepse nuk ka rrugë për t’i çuar në treg. Në Librazhd dhe gjithë qarkun, uji i vaditjes nuk vjen kur duhet, sepse kanalet janë në mëshirë të fatit.
Ne paraqitëm një plan për zhvillim agroturizmi dhe turizmi malor, i bazuar në pasuritë natyrore të qarkut Elbasan. Kërkojmë infrastrukturë mbështetëse, grante për fermat familjare dhe një rrjet funksional marketingu për prodhimin vendas.
Por çfarë ndodhi në zgjedhje?
Votat nuk na u vodhën në kuti. Ato u blenë, u intimiduan, u manipuluan përpara se të arrinin në dorën e votuesit të ndershëm. Qindra qytetarë nga diaspora dhe brenda vendit kanë votuar për kandidatë e listës tonë dhe të tjerëve jashtë dy grupimeve mafioze, por ku janë votat tona? Ku është zëri ynë?
Shumë njerëz na takojnë tani pas zgjedhjeve dhe thonë se na kanë mbështetur me votë, por votat nuk janë reflektuar në rezultatet zyrtare. Ky është një proces i deformuar, sigurisht me dakordësinë e dy autokratëve që kanë rënë dakord për një plan të caktuar dhe e kanë realizuar atë.
Kjo shitje e interesave të demokratëve, njerëzve të lirë, ka kohë që ka filluar me:
1- Dakordësinë për amnistinë penale për të dënuarit nga SPAK,
2- Bërjen e kodit zgjedhor ku i falen qeverisë 12 mandate në tavolinë,
3- Votën e diasporës pa asnjë masë sigurie mbrojtëse,
4- Listat e mbyllura, disa të nënës, disa të njerkës,
5- Dhe shumë shkelje të tjera që rrënojnë demokracinë tonë.
Për këtë arsye, ne u sulmuam, jo sepse ishim të dobët, por sepse ishim të rrezikshëm për ta. Sepse ishim të ndershëm, të organizuar, me struktura dhe me një program të qartë. Sepse nuk jemi pjesë e “Trekëndëshit të Bermudës”, që përfaqëson interesat e paligjshme të tre brezave të korrupsionit politik.
Qëndrimi ynë është i thjeshtë:
1- Të mos tërhiqemi.
2- Të mos shitemi.
3- Të mos heshtim.
Ky sistem, që nga viti 1945, është ndërtuar për të nënshtruar qytetarin dhe për të mbajtur pushtetin në duart e pakicës së lidhur me dhunën, paranë dhe krimin. Por ai po plaket dhe po shembet nga brenda. Ne do të jemi aty, pa frikë, kur të bjerë.
Thirrja jonë është:
I bëjmë thirrje SPAK-ut dhe faktorit ndërkombëtar të mos mjaftohen me deklarata formale. Shqiptarët nuk kanë më nevojë për mbështetje morale, kanë nevojë për veprim real dhe garanci për zgjedhje të ndershme.
Ne, të Qarkut Elbasan dhe në çdo cep të Shqipërisë, do vazhdojmë të qëndrojmë në krah të qytetarit të zakonshëm, sepse jemi të bindur që rruga e drejtësisë është më e gjatë, por është e vetmja që nuk të çon në humbje.
Nga ne,
Bujar Vreto Naim Meta Emin Cani Blerim Kuqja , Avokat Ibrahim Sako, Leonard Ozuni , Erald Çarçiu!