Pushteti i gjatë i Edi Ramës si model i keqqeverisjes

Thënia e Balzakut te “Lëkura e Shagrenit” – se pushteti, sado i madh që të jetë, nuk të mëson se si ta përdorësh atë dhe vetëm rrit përmasat e njeriut të madh – gjen një jehonë të thellë në realitetin politik shqiptar. Një shembull që ilustron më së miri këtë ide është qeverisja e gjatë e Edi Ramës, i cili, ndonëse ka mbajtur pushtetin për dymbëdhjetë vite, ka treguar se madhësia e pushtetit nuk shoqërohet domosdoshmërisht me aftësinë për ta përdorur atë në favor të qytetarëve.

Edi Rama ka patur një kontroll të jashtëzakonshëm mbi institucionet e shtetit, duke përfshirë parlamentin, pushtetin lokal dhe median. Megjithatë, kjo fuqi e madhe nuk është reflektuar në reforma të prekshme dhe të qëndrueshme. Pavarësisht premtimeve elektorale të shumta, ekonomia shqiptare mbetet e dobët dhe e varur nga remitancat, korrupsioni vazhdon të jetë problematik, dhe emigracioni ka arritur nivele alarmante.

Siç thotë Balzaku, pushteti nuk të ndryshon natyrën; ai vetëm e amplifikon atë. Në rastin e Ramës, kemi të bëjmë me një lider që shpesh ka treguar një prirje për të centralizuar pushtetin. Ky centralizim ka kontribuar në dobësimin e demokracisë dhe në rritjen e perceptimit të qeverisjes si një oligarki e kontrolluar nga interesa të ngushta.
Një aspekt kryesor i keqqeverisjes së Ramës është shpërfillja ndaj shqetësimeve të qytetarëve. Shprehjet e pakënaqësisë publike për ndërhyrjet urbanistike, privatizimet e dyshimta dhe shkatërrimin e mjedisit nuk kanë gjetur pothuajse asnjë përgjigje konstruktive nga qeveria.

Një lider i madh nuk matet vetëm nga madhësia e pushtetit që ka, por nga aftësia për të udhëhequr drejtësisht dhe me ndërgjegje. Balzaku na kujton se pushteti është një barrë që jo çdokush di si ta mbajë. Pushteti i gjatë i Ramës mund të shihet si një rast studimor i një lideri që ka patur mundësinë për të transformuar vendin, por që ka zgjedhur ta shfrytëzojë atë për të forcuar pozitat e tij personale dhe të rrethit të tij politik./ Namir Lapardhaja

Artikulli paraprakKanibalizmi politik dhe njerëzor
Artikulli tjetër“Kur na u komunikua ngjarja, unë dorëzova çelsat ku mbaheshin armët e Mehmet Shehut dhe më pas, zbritëm kufomën…”