Pushteti i një njeriu që ka futur gjithë vendin në krizë

Nga Lutfi Dervishi

Nëse një njeri në Tiranë ka hall (të madh apo të vogël) dhe kërkon ta zgjidhë, në mendje ka vetëm një njeri që mund t’i mbarojë punë: Kryeministrin.
Nëse ka ndonjë njeri, grupim, shtresë, apo parti të pakënaqur, zemërimin duhet ta demonstrojë para një njeriu: Kryeministrit.
Nëse ka ndonjë oligark të kënaqur, por që do të kënaqet akoma më shumë, vetëm një njeri mund t’ia kthejë ëndrrën në realitet: Kryeministri.
Nëse ka ndonjë ndërkombëtar që do të çojë përpara një punë apo reformë, ka vetëm një adresë për të trokitur: zyrën e Kryeministrit.
Nëse dikush ëndërron të zgjidhë ngërçin apo krizën, njeriu i parë që ka në mendje është Kryeministri.
Nëse ka një njeri me një të drejtë që ligji ia njeh 100 për qind, ai nuk duhet t’i besojë ligjit, por duhet të shkojë te Kryeministri.
Para se mendja “të shkojë” tek partia, qeveria, ministria, institucioni, parlamenti, prokurori, polici, gjykatësi, gazetari, madje edhe te protestuesi, ajo vete te një individ: Kryeministri.
Vetë Kryeministri për çdo të interesuar ka vetëm adresën ShqipëriaQëDuam.al!
Në kushtet e rrënimit të institucioneve të vjetra të drejtësisë (3) dhe të përpjekjes për të ngritur (13) institucione të reja të drejtësisë së re; në kushtet e largimit të opozitës nga parlamenti, është krijuar një boshllëk ku nuk ka më asnjë pushtet në këmbë që kufizon dhe balancon pushtetin e një njeriu.
Nëse Lenini u mbajt mend për këmbënguljen “i gjithë pushteti sovjetëve” (partisë), kjo periudhë do të mbahet mend si koha kur të gjitha pushtetet i ka një njeri.
Kryeministri nuk ka partnerë në koalicion që të thotë se po e pengojnë; nuk ka më ministra ndaj të cilëve mund të bëjë protestë opozita apo studentët; nuk ka asnjë gardh kushtetues që ta fokusojë tek qeverisja dhe situata ndërkombëtare i lejon luksin të shqetësohet më shumë për të ardhmen e rajonit të Ballkanit sesa të ardhmen e opozitës në vend.

Pushtetit që nuk ka as kuletën dhe as shpatën – drejtësia e re – për fat të keq ende nuk i kanë dalë as dhëmbët, as thonjtë.
Nuk ka Gjykatë Kushtetuese të shqyrtojë ligje që mund të cenojnë lirinë dhe të drejtat e njeriut. Nuk ka Gjykatë të Lartë që të paktën të numërojë dosjet e reja që u shtohen 30 mijë dosjeve që presin për shqyrtim dhe mund të mos kemi as Gjykata Apeli për shkak të vetingut… Në fakt, me vendimet e fundit ndaj figurave të errëta të krimit të rrugës dhe atij të organizuar nuk ka më as Gjykatë Fakti. Tani gjithnjë e më shumë i ngjajmë njeriut që zgjohet dhe sheh vetëm epilogun e një filmi horror.
Vetingu provoi se pema e drejtësisë ishte kalbëzuar prej kohësh me rrënjë e me degë. Por edhe vetingu do të bëhet vetë për veting nëse nuk do të ndalohen kandidaturat flagrante që kanë kaluar shkallën e pare, si dhe nëse nuk u jepet fund standardeve të dyfishta në skanim.
Nuk kapërdihet që njërit “subjekt të rivlerësimit” i kërkohet të përgjigjet se sa banorë ka Tokio dhe tjetri pyetet për emrat e banorëve të Tokios.
Nxitimi nga miqtë për të vënë në lëvizje, sa më shpejt të ishte e mundur, trenin e ri të drejtësisë edhe në shkelje të ligjit, e ka bërë të “përhershme” prokuroren e përkohshme, kandidaturë që i madh dhe i vogël, i majtë dhe i djathtë, vendor dhe ndërkombëtar, duhet të jenë tashmë të bindur që, më e pakta, as nuk është dhe as nuk mundet të ngjitet në lartësinë e detyrës.
Dyshimi për drejtësinë e re do të davaritet vetëm ditën kur qeveria do të jetë “e frikësuar” dhe jo entuziaste për këtë reformë, nëna e të gjitha reformave; ditën kur njerëzit që janë kandidatë për t’u hetuar nga Gjykata Sepciale Kudnër Korrupsionit (SPAK) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) do të dridhen dhe jo të tregojnë gishtin nga të tjerët… kjo ditë duhet shpallur “Dita e Drejtësisë”. Në këtë ditë mund të thuhet se beteja ia ka vlejtur, ia ka vlejtur se ka qenë betejë për drejtësi të pastër dhe jo drejtësi të kapur.

Nuk ka pushtetarë që i gëzohen drejtësisë. Pushtetari i gëzohet pandëshkueshmërisë.
Deri tani fjala është “reforma”, kryefjala është PANDËSHKUESHMËRIA! Dhe jo vetëm pandëshkueshmëria!
Pandëshkueshmëri, plus tallje.
Që votat blihen në Shqipëri është njëlloj sikur të thuhet se “sot është e shtunë”. Pas 3 dekadash, zgjedhjet mbeten thembra e Akilit e demokracisë në Shqipëri. Zgjedhjet parlamentare janë kontestuar më 1991-shin, 1996-n, 1997-n, 2001-shin, 2009-n dhe tashmë edhe ato të 2017-s. Pranimi i zgjedhjeve (1992, 2005, 2013) ka qenë përjashtim. Zgjedhjet e fundit ishin model për qetësinë, fushatën pa shumë shpenzime në dukje dhe shpejtësinë me të cilën u mbyllën. Vetëm 3 ankesa sa për shenjë në KQZ (nga një nga PD, PS dhe LSI).
Por pjesa e padukshme për të cilën bëhet sot sherri është vendosja e fatit të zgjedhjeve jo më në ditën e votimit dhe as gjatë fushatës elektorale. Përgjimet e bëra publike të disa grupeve kriminale shfaqin lidhjen e shkurtër të krimit të organizuar me pushtetin politik. Ne vetëm mund të spekulojmë me përmasat e kësaj dukurie, por është revoltues reagimi si ndaj raportimit, ashtu edhe ca më keq ndaj vetë dukurisë së shëmtuar të shitblerjes së votës. Nuk ka distancim dhe dënim, por justifikim dhe shfajësim. Refuzimi është në një zë: “Nuk janë fakte, nuk janë prova, janë indicie, le të flasë drejtësia”. Shitblerja e votës nuk është çështje që duhet t’ia kërkojmë drejtësisë, është çështje që duhet t’ia kërkojmë Kryeministrit, në mënyrë që lista e njerëzve që duan “takim” me të të jetë më e shkurtër se ajo e përshkruar më sipër.
Dhe kur flasim për zgjedhjet dhe shitblerjen e votës nuk kemi përballë engjëjt me djajtë, por të kapurit me presh në dorë së paku nuk duhet të fluturojnë me presh.
Ku janë faktet? Ndonjëherë “fakti është brenda” dhe nuk ka nevojë ta shohë njeri. Zgjedhjet e parakohshme vendore në Dibër më 2016-n, përgjimet e grupeve kriminale, dosja 339 dhe ndonjë dosje tjetër e mbyllur tregojnë se frika për një mekanizëm shit-blerje vote është e përligjur dhe memecëria e prokurorisë është komprometuese.

Dhe kur drejtësia sillet si shërbëtore edhe për raste skandaloze të grabitjes së parave publike, kupa e mbushur plot nis të derdhet. Abuzimi pinderik me fonde publike në një anë dhe arroganca ndaj të pamundurit në anën tjetër (kujto tentativën apo prishjen e paligjshme të shtëpive) krijojnë mjaftueshëm “tritol” për të shpërthyer në formën e protestës së studentëve, protestës së kukësianëve apo “shpërthimeve” të kontrolluara para derës së Kryeministrit.
Opozita ka denoncuar një pjesë të abuzimeve pinderike në parlament dhe në media. Opozita ka organizuar edhe protesta masive. Protesta e 16 shkurtit ishte më e madhja e organizuar nga kjo opozitë që prej 2013-s. Përgjigjja e parë: tallja dhe shpotia. Përgjigjja e dytë: relativizimi: “Ne nuk vrasim protestues”.
Opozita në Shqipëri nuk është opozitë e shtypur, është opozitë e tallur. Dhe është tallja e bashkuar me pandëshkueshmërinë që çon në dëshpërim dhe veprime dëshpëruese.
“Gjuha eshtra nuk ka dhe eshtra thyen”—thotë një fjalë e urtë.
Opozitën nuk e fajëson dot se nuk po qeveris mirë, sikundër nuk e duartroket dot për gjuhën, për vezët, për miellin, për bojën në Kuvend dhe as për kokëfortësinë ndaj miqve.
S(A) duhen dëgjuar miqtë?
Sot ndërkombëtarët i kërkojnë opozitës të bëjë betejë në parlament dhe të denoncojë në gjykatë! Kështu duhet në çdo rrethanë dhe në çdo kohë. Kjo është receta standarde për një vend ku ekzistojnë gardhet kushtetuese dhe parimi i shenjtë i ndarjes dhe balancimit të pushteteve.

Miqtë e Shqipërisë kanë investuar shumë për transformimin e vendit; kanë ardhur jo më larg se ‘97-a edhe me ushtri për të vendosur paqe, për shkak të marrëzisë sonë; kanë investuar miliarda me synimin që edhe ne të bëhemi si ata, të bëhemi një vend normal dhe i parashikueshëm, të bëhemi një vend me ekonomi tregu, ku mbizotëron konkurrenca dhe jo PPP-të dhe oligarkët. Miqtë kanë investuar për një drejtësi të pavarur dhe jo një drejtësi ku njerëzit e drejtësisë janë shërbëtorë ndaj politikanëve dhe kriminelëve dhe prokurorë e gjyqtarë ndaj atyre që nuk kanë paguar faturën e energjisë elektrike apo kanë shkelur vijat e bardha në rrugë. Miqtë kanë investuar prej 3 dekadash për një media të lirë dhe të pavarur dhe jo për një vend ku media bëhen politikanët. Miqtë kanë investuar për një vend ku ka ndarje dhe balancim të pushteteve dhe jo të gjitha pushtetet në dorë të një njeriu; kanë investuar për pluralizëm politik dhe jo për parti sulltanësh. Miqtë kanë investuar që vendi të ketë një parlament si bartës i sovranitetit të popullit dhe jo një parlament ku përbërja e tij është vullnet i listës që hartojnë 3-4 kryetarë partish.
Hapi i parë i zgjidhjes së krizës është njohja dhe pranimi se kemi krizë. Hapi i dytë, duke u marrë me rrënjët e problemit dhe jo thjesht me frutat e kalbura, që i shohim në ekranin e madh apo të vogël.
Miqtë kanë investuar dhe janë në të drejtën e tyre të “kërkojnë llogari” për investimin, sikundër duhet të kuptojnë se në kriza, të cilat ne i kemi ciklike, as nuk e kanë kapur demin për brirësh dhe as kanë parë për rrënjët e problemit.
Është koha për të dëgjuar miqtë e Shqipërisë, por është edhe koha që vetë miqtë të bëjnë bilanc.
Ne kemi kohë gjithmonë për të bërë bilancin e marrëzive tona. Madje kemi kohë të ulemi për të parë një film horror, të dremisim pak dhe kur të zgjohemi të habitemi me epilogun e tij.

Exit mobile version