Interi dhe Milani i kanë kthyer sytë tek pronarët kinezë të klubeve, duke shpresuar se ndryshimi i pronësisë do të rikthejë dy skuadrat e Serisë A në nivele të larta. Interi përfundoi në duart e grupit “Suning”, gjigantit të elektronikës që bleu 68,55 për qind të aksioneve, duke paguar 270 milionë euro. Në orët e fundit u realizua edhe shitja e Milanit, me Berlusconin që i dha fund epokës te kuqezinjtë pas 30 vjetëve.
Një konsorcium në të cilin është përfshirë edhe qeveria kineze, me Djallin që praktikisht kaloi i gjithi në duart e kinezëve për shifrën e 740 milionë eurove. Shtrirja e biznesit aziatik te dy ekipet e Milanos ishte lëvizja e fundit e madhe e kinezëve, që prej vitesh kanë nisur pushtimin e futbollit europian.
Përveç arabëve dhe investuesve të tjerë ndërkombëtarë, Anglia është një tjetër treg i lakmuar nga lindorët. Aktualisht, Aston Villa, Birmingham dhe Wolverhampton janë në pronësi të grupeve kineze. “CMC Holding” ka blerë 13 për qind të aksioneve të “City football group”, pronare e Manchester City-t dhe disa skuadrave të shpërndara nëpër botë. Ndërkohë, që gjatë kësaj fundjave 88 për qind e aksioneve të West Bromwich Albion kaluan në pronësi të një grupi investues nga Shangai.
Kinezët janë shtrirë edhe në Spanjë, ku Desports bleu pjesën më të madhe të aksioneve të Granadas. Ndërkohë, grupi “Wanda” zotëron 20 për qind të Atletico Madrid, ndërsa 45 për qind e aksioneve të Espanyol është në kontrollin e “Rastar”. Në Francë, Ledus kontrollojnë Sochaux, ndërsa edhe 80 për qind e aksioneve të Nice është në duart e kinezëve. Në gjeografinë e futbollit europian të pushtuar nga Kina, jashtë nuk mbeten as Den Haag në kampionatin holandez dhe Slavia Praga në Republikën Çeke.
Silvio Berlusconi e shiti Milanin pas 30 vitesh si president i klubit. Tashmë është arritur marrëveshja mes “Fininvest” që zotëron 99.93% të aksioneve dhe një konsorciumi investitorësh kinezë, që këta të fundit të paguajnë 740 milionë euro për të blerë të gjitha aksionet e familjes Berlusconi. Fillimisht është nënshkruar një kontratë paraprake, ndërsa brenda vitit do të mbyllet gjithçka.
Një marrëveshje kjo e papritur, sepse aksionet e Berlusconit nuk i bleu konsorciumi kinez që përfaqësohej nga menaxherët Gancikoff e Galatioto, as grupi “Fosun”, pas të cilit fshihej menaxheri Jorge Mendez, i cili hyri në kontakte me Cavalierin kohët e fundit, por një grup tjetër lindor që përfaqësohet nga Yonghong Li, i cili ka vepruar në fshehtësi të plotë. Ende nuk janë zbuluar emrat e investitorëve të tjerë.