Putin i gatshëm që të bashkëpunojë me May

Presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë se është i gatshëm për “dialog konstruktiv” rreth “çështjeve urgjente” me Kryeministren e re britanike, Theresa May, ka njoftuar mbrëmë zyra e Putin.
Në mesazhin e dërguar shefes së re të qeverisë britanike, Putin ka thënë se është i bindur se “ruajtja dhe rritja e bashkëpunimit potencial ruso-britanik në sfera të ndryshme ka të bëjë me interesat vitale të popujve të të dyja vendeve”.
Putin e ka falënderuar paraardhësin e May, David Cameron përmes një telegrami, ku ka thënë se, “shpresoj që përvoja jote e pasur do të vihet në shërbim të Mbretërisë së Bashkuar dhe tërë botës”, njofton më tej Kremlini.
Putini ka paralajmëruar muajin e kaluar se referendumi britanik për t’u larguar nga Bashkimi Evropian do të ketë “pasoja… për tërë Evropën dhe për ne, natyrisht”.
Marrëdhëniet e Britanisë me Rusinë janë përkeqësuar viteve të fundit, kryesisht për shkak të rastit të ndjekur penalisht nga Londra të vrasjes së një nga kritikëve të Kremlinit, Alexander Litvinenko, i cili ishte helmuar në Londër.
Britania është gjithashtu një nga përkrahësit kryesorë të sanksioneve perëndimore kundër Moskës rreth agresionit rus në Ukrainë.

Exit mobile version