Putin nuk do të marrë pjesë në bisedimet për armëpushim me Ukrainën në Turqi, tërhiqet dhe Trump

Presidenti rus Vladimir Putin nuk është përfshirë në delegacionin zyrtar që do të udhëtojë të enjten drejt Turqisë për bisedime armëpushimi me Ukrainën, ndonëse ai vetë kishte propozuar më herët një takim “pa parakushte”.

Sipas një urdhri të nënshkruar nga Kremlini të mërkurën, delegacioni rus do të përbëhet nga ndihmësi presidencial Vladimir Medinsky, zëvendësministri i Jashtëm Mikhail Galuzin dhe zëvendësministri i Mbrojtjes Alexander Fomin.

Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, i cili më herët kishte deklaruar se do të merrte pjesë vetëm nëse Putin do të ishte i pranishëm, është rrugës për në Ankara, sipas një burimi të lartë të qeverisë së tij.

“Nuk do të ndërmarr asnjë hap derisa të shoh kush vjen nga Rusia,” deklaroi Zelenskyy në një mesazh drejtuar kombit. “Deri tani, sinjalet në media nuk janë bindëse. Putin vazhdon të godasë Ukrainën. Sot, më qartë se kurrë më parë, bota e sheh se pengesa e vetme për paqen është mungesa e vullnetit të qartë nga ana e Rusisë.”

Ndërkohë, edhe presidenti amerikan Donald Trump nuk do të marrë pjesë në bisedimet, konfirmoi një zyrtar amerikan. Trump kishte lënë të kuptohet se mund të shkonte në Turqi, nëse edhe Putin do të ishte i pranishëm.

Bisedimet në Stamboll vijnë pas një propozimi nga një “koalicion i vendeve të gatshme”, përfshirë Britaninë, për një armëpushim 30-ditor që duhet të niste të hënën, i shoqëruar me paralajmërime për sanksione të reja ndaj Moskës nëse kjo e fundit nuk bashkëpunon.

Exit mobile version