“Putin ose kaos”, risovjetizimi i Rusisë

Miodrag Soric

Ndërtimi i kështjellave të fantazisë nuk kushton gjë. Por mirëmbajtja e tyre mund të kushtojë para. Presidenti Vladimir Putin premton pas rizgjedhjes së tij të pritshme si President më shumë para për arsimin dhe shëndetësinë, paga më të larta, rritje ekonomike, një luftë më konsekuente kundër korrupsionit, siguri juridike, një infrastrukturë më të mirë – shkurt: deklaron të gjitha ato që premtoi edhe në zgjedhjet e fundit, por të cilat mjerisht nuk i respektoi. Në intervista dhe në konferenca vjetore shtypi ai premton sërish qumësht dallandyshesh. Por a do të ndryshojë gjë pas rizgjedhjes së tij?

Risovjetizimi vazhdon
Me siguri që jo. “Ta shtyjmë si të mundemi” do të vazhdojë – një zhvillim që i kushton miliona shtetit. Reformat e ekonomisë së tregut mbeten ëndrra. Në të vërtetë, “risovjetizimi”, shtetëzimi i ekonomisë vazhdon. Tri të katërtat e produktit të brendshëm bruto të Rusisë e gjenerojnë firma, të cilat ndodhen nën kontroll shtetëror – tendenca në rritje. Mungesa e efikasitetit, burokracia e gjithanshme, mungesa e konkurrencës janë pasojat. Veçanërisht mirë këtë mund ta kuptosh po të vështrosh sektorin bankar. Ndërkohë, në shumë institute financiare fjalën e fundit e ka Banka Qendrore. Kur bankat punojnë keq, ato i drejtohen Bankës Qendrore, e cila vazhdon t’i financojë: gjithnjë në kurriz të taksapaguesit. Shembull tjetër: degë ekonomie, të cilat shteti i ka kategorizuar se janë kaq të rëndësishme, sa këtu nuk lejohet të angazhohen të huajt. Kush mund të habitet, që firmat e huaja i kthejnë kurrizin tregut rus në një numër gjithnjë e më të madh? Edhe nëse shoqatat lobiste si dhomat e tregtisë së jashtme preferojnë të skicojnë një pamje tjetër.
Rritja ekonomike e Rusisë ka vite që është e dobët. De facto ekonomia ndodhet në stanjacion që prej vitit 2013. Vrull i ri mund të vijë në treg vetëm nëse shteti do të lejonte më shumë konkurrencë, do të luftonte burokracinë dhe korrupsionin dhe nëse gjykatat do ta bënin punën pa ndikim nga jashtë. Edhe këto janë ëndrra. Sepse të gjitha këto do të rrezikonin pushtetin e Putinit. Në fund të fundit janë shumë nga ata që e shoqërojnë në rrugën politike, shokët e tij dhe mbështetësit, të cilët e kanë kthyer shtetin në pre.
Popullariteti i një Aleksej Navalni te rusët e rinj buron para së gjithash nga rrethana se ai e dënon publikisht dhe pa frikë korrupsionin e klasës politike. Por për të mbetur tek e vërteta: Navalni me narcizmin e tij, madje ngritjen në piedestal të vetes është gjithçka tjetër por jo alternativë ndaj qeverisë aktuale. Dënimi i korrupsionit nuk mjafton si program ekonomik. Një gjë politikani i opozitës megjithatë e arriti: tek shumë nxënës dhe studentë nuk konsiderohet më në modë që të korruptohesh.

Ndikimi i medieve të drejtuara nga shteti
Si rezultat, në 18 mars rusët do të rizgjedhin Putinin, megjithëse prej vitesh pagat reale janë në rënie, çmimet e ushqimeve rriten dhe aktualisht nuk duket në horizont ndonjë përmirësim i gjendjes. Pse? Sepse mediet e drejtuara nga shteti u mbushin mendjen njerëzve që në zgjedhjet e ardhshme “presidenciale” alternativa e vetme është “Putin ose kaos”. Ata zgjojnë frikëra se situata mund të bëhet kaq e keqe sa në vitet 1990. Dhe kështu, televizori në dhomën e ndenjies mund frigoriferin gjithnjë e më të zbrazët në kuzhinë. Por dikur frigoriferi do të kundërgodasë.

Exit mobile version