Putin: Sanksionet, formë e fshehtë proteksionizmi

Në një artikull të botuar në numrin e së enjtes të gazetës gjermane të biznesit, “Handelsblatt”, Putini kritikoi sanksionet “me motive politike”, duke i përshkruar ato si një formë të fshehtë të proteksionizmit tregtar.
Ai thotë se barrierat ekonomike po përhapen gjerësisht dhe po kthehen në një normë sjelljeje. “Sanksionet e vendosura në mënyrë të njëanshme dhe të motivuara politikisht për investimet, tregtinë dhe në veçanti, transferimi i teknologjisë janë kthyer në formën e fshehur të tyre”.
Lideri rus thotë në artikullin e botuar si i ftuar i gazetës se sanksionet, jo vetëm që nuk do të çojnë askund, por ato janë “edhe në kontradiktë me parimet e G20-ës” për të punuar së bashku në interes të të gjitha vendeve.
“Unë jam i bindur se vetëm marrëdhëniet e hapura të tregtisë së lirë, të bazuara në norma dhe standarde të njësuara mund të nxisin rritjen e ekonomisë botërore dhe të mbështesin përmirësimin e marrëdhënieve midis shteteve”, shtoi Putini.
Është planifikuar edhe që në kuadër të takimit të G20-ës, Putini të takohet me Presidentin e SHBA, Donald Trump. BE dhe SHBA kanë vendosur një sërë sanksionesh kundër Rusisë pas aneksimit prej saj të Krimesë në vitin 2014 dhe mbështetjes së Rusisë për separatistët pro rusë në Ukrainën Lindore. Moska është përgjigjur me masa të saj, duke përfshirë ndalimin e importimit të ushqimeve perëndimore.
Muajin e kaluar, Uashingtoni shtoi 38 individë dhe sipërmarrje në listën e tij të sanksioneve, duke bërë që Rusia të anulonte një takim me diplomatë amerikanë të nivelit të lartë. Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov paralajmëroi se masat e reja “kërcënojnë seriozisht të gjithë marrëdhënien” midis Moskës dhe Uashingtonit.
Gjermania së fundi e kritikoi ashpërsimin e sanksioneve kundër Rusisë. Kancelarja Angela Merkel e karakterizoi të çuditshëm raundin e fundit të masave kufizuese amerikane. Më parë, ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel i pati kritikuar si “egoiste” sanksionet e reja amerikane. Ai kritikoi faktin se ato u vendosën pa konsultime paraprake me partnerët evropianë. Prej sanksioneve të reja mund të preken edhe firma evropiane, të cilat bashkëpunojnë me ato ruse.

Exit mobile version