Presidenti rus, Vladimir Putin urdhëroi të hënën një “pushim të përditshëm humanitar” në sulmet ajrore të Moskës ndaj kryengritësve sirianë, një dritare prej pesë orësh për të lejuar civilët t’u largohen luftimeve pranë Damaskut. Në Ghoutan Lindore, një periferi e Damaskut, gjatë javës së kaluar janë vrarë më shumë se 500 njerëz. Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu tha se duke filluar nga e marta, pushimi i zjarrit i forcave ruse do të fillojë nga ora 9 paradite deri në 2 pasdite, “me qëllim të shmangies së viktimave civile”, siç u shpreh ai. Urdhri i Presidentit Putin vjen dy ditë pas fillimit të një armëpushimi të paqendrueshëm prej 30 ditësh në të gjithë Sirinë, i kërkuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. Në Ghoutan Lindore pranë Damaskut luftimet nuk janë ndalur dhe sipas aktivistëve, të hënën, me fillimin e bombardimeve nga ajri, u vranë të paktën 10 njerëz. Në një telefonatë, Presidenti francez Emmanuel Macron i shprehu Presidentit të Turqisë Rexhep Tajip Erdogan “shqetësimet e tij të forta” rreth sulmeve ajrore që kishin si objektiv civilët dhe spitalet në Ghoutan Lindore të mbajtur nga kryengritësit. Por kreu francez i bëri gjithashtu thirrje zotit Erdogan për t’i dhënë fund sulmeve ajrore të Ankarasë në Afrin të Sirisë Veriore, kundër milicisë kurde të mbështetur nga SHBA. Turqia e konsideron këtë milici një grup “terrorist” të lidhur me kryengritësit kurdë që luftojnë kundër qeverisë turke prej tre dekadash. Të dielën, Turqia tha se armëpushimi i OKB-së nuk do të ndikojë në operacionet e saj në Sirinë Veriore.
Gjatë gjithë konfliktit sirian që filloi në vitin 2011, ka pasur disa propozime në Këshillin e Sigurimit për të mbajtur përgjegjës shkelësit e të drejtave të njeriut në Siri, por këto rezoluta janë bllokuar nga Rusia dhe Kina duke shfrytëzuar forcën e vetos. Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini gjithashtu shprehu shqetësimin e saj dhe atë të ministrave të Jashtëm evropianë për një rritje të dhunës në të gjithë Sirinë, siç tha ajo “nga aktorë të ndryshëm, padyshim para së gjithash nga regjimi dhe mbështetësit e tij”.