Disa aktivistë opozitarë rusë janë paraburgosur përkohësisht përballë Dhomës së Lartë të Parlamentit rus derisa Prokurori i Përgjithshëm, Yuri Chaika, është betuar për një mandat të dytë pesëvjeçar.
Aktivistët kanë mbajtur pano ku shkruhej: “Përkrahja për Chaika është përkrahje për Tsapoks”, duke iu referuar kështu Tsapok Gang, që fajësohet për zhvatje si dhe disa vrasje dhe vjedhje në një zonë ruse të quajtur, “Krasnodar Krai”.
Lideri opozitar rus, Aleksei Navalny, e ka akuzuar Chaika se ka lidhje me bandën famëkeqe që në vitin 2010 tronditi me vrasjen e 12 personave brenda një nate.
Policia ruse liroi aktivistët opozitarë pas disa orësh. Në muajin dhjetor, Fondacioni Kundër Korrupsionit i Navalnit, e ka akuzuar Chaikan dhe dy djemtë e tij për korrupsion dhe përfitim të jashtëligjshëm të shumave të mëdha të parave. Chaika, që ka qenë në këtë post nga viti 2006, pasi është rikonfirmuar në të njëjtin post, ka thënë se një nga themeluesit e “Hermitage Capital”, William Browder, britanik i lindur në SHBA, qëndron prapa “gënjeshtrave” që thuhen për të dhe familjen e tij.
Browder ka akuzuar zyrtarët e taksave në Rusi se kanë kryer mashtrime të mëdha, mashtrime këto që janë zbuluar nga avokati i tij, Sergei Magnitsky, i cili më pas vdiq në burg në vitin 2009, pasi nuk iu dha ndihma e duhur mjekësore. Browder është dënuar në mungesë në vitin 2013 për evazion fiskal nga një gjykatë në Moskë, me 9 vjet në burg.
Akuzat e “Wikileaks”
Kryeprokurori i Rusisë, Yuri Chaika, i konsideroi “delirime” spekulimet e “Wikileaks”, mbi bashkëpunimin e tij me inteligjencën amerikane. Në një material të zbuluar nga faqja që ka publikuar disa qindra mijëra dokumente të klasifikuara amerikane, figuronte edhe një email të një agjencie me lidhje të ngushta me CIA-n, që përfshinte “pikëpamjet” e Chaikas, në lidhje me luftën e klaneve të interesave brenda Kremlinit.
Zëdhënësi i kryeprokurorit deklaroi se, publikimi i këtyre materialeve në këtë moment ka si qëllim të vetëm destabilizimin e Rusisë, përpara zgjedhjeve të ardhshme presidenciale.
Megjithatë, spekulimet janë përcjellë gjerësisht në mediat ruse dhe mund të dëmtojnë rëndë pozitat e tij zyrtare, raporton TCH.
Në dokumentin e zbuluar, i cili i përket vitit 2009, përflitet një përkatësi e qartë e Chaika me klanin e drejtuar nga ish-ideologu i Kremlinit, Vladislav Surkov, i njohur gjerësisht si “eminenca gri” në sferat drejtuese të Moskës zyrtare.
Sipas dokumentit, ky klan ishte i përfshirë në një luftë të ashpër për pushtet ndaj grupit të udhëhequr nga zëvendëskryeministri Igor Sechin dhe Shefi i Shërbimeve të Sigurimit, Nikolai Patrushev.