Presidenti rus, Vladimir Putin, ka kërcënuar Perëndimin lidhur me dhënien e autorizimit Ukrainës për përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi.
Putin ka deklaruar se nëse Perëndimi lejon Ukrainën të kryejë sulme në territorin rus me raketa që i janë furnizuar Kievit nga vendet perëndimore, kjo sipas tij do të fusë vendet e NATO-s në luftë me Rusinë.
“Nëse merret ky vendim, nuk do të thotë asgjë më pak se përfshirja e drejtpërdrejtë e vendeve të NATO-s në luftën në Ukrainë. Kjo do të ndryshonte vetë natyrën e luftës. Kjo do të thotë se vendet e NATO-s janë në luftë kundër Rusisë”, tha Putin në një video të postuar nga presidenca ruse.
Megjithatë, pak më herët, Rusia raportoi se kishte rimarrë 10 fshatra në rajonin e Kurskut, ku Ukraina nisi një pushtim në shkallë të gjerë muajin e kaluar.
“Trupat çliruan 10 vendbanime në vetëm dy ditë”, tha ministri rus i Mbrojtjes në një postim në Telegram.
Ndërkohë, kushte të reja po krijohen nga agresioni rus në frontin e luftës me Ukrainën, gjë që e vë komunitetin perëndimor në një gjendje shqetësimi dhe alarmi për nivelin e mbështetjes që do t’i japë Kievit.
Volodymyr Zelensky tha më herët se ushtria ruse ka filluar kundërsulmin në rajonin perëndimor të Rusisë, Kursk dhe se Ukraina priste një kundërsulm.