Putini me Kuran në dorë dhe muslimanët

Nga Roald A. HYSA

Një propagandë e ulët dhe ordinere filoruse po na shfaqet me imazhin e Putinit, që puth Kuranin dhe tregon respekt ndaj liderave çeçenë, ku janë pikërisht trupat ruse ato që e shkatërruan dhe e rrafshuan kryeqytetin çeçen Groznin. Historia e marrëdhënieve të Rusisë me vendet muslimane që i ka okupuar prej kohësh është e mbuluar me gjakun e miliona dhe miliona frymëve njerëzore të zhvendosura e të dëbuara me dhunë nga trojet e tyre amtare, që nisin nga Krimea, Ingushetia, Çeçenia, Dagestani, Çerkezia e shkon përtej maleve të Kaukazit në Afganistan e Buharanë e sotme në Uzbekistan. Pogromet ruse ruse nisin qysh në kohën e perandoreshës Ekaterina dhe dashnorit të saj katil princit Potjomkin, të cilët në programet e veta kishin si ëndërr ta rimerrnin Stambollin dhe ta ripagëzonin Kostandinopojë. Madje për këtë Ekaterina e kishte pagëzuar nipin e vet Kostandin perandorin e ardhshëm të Kostandinopojës, që do të vendosej në fronin bizantin, pikërisht Stambollin. Imam Shamili është një nga emrat e mëdhenj ndër shumë nga ata prijësa muslimanë që i rezistuan valëve ruse, të cilat në mënyrë të rregullta i kanë zhvendosur me dhunë popullsitë e këtyre vendeve. Mos ta harrojmë Çerkezinë dhe popullin e saj të masakruar, që i kemi edhe sot e kësaj dite midis nesh në Shqipëri e Kosovë. Masakra pa fund që nisin nga vitet 1850 e vazhdojnë edhe një shekull më pas me të paktën dy milionë çeçenë që u internuan për më shumë se dyzet vjet në Siberi nga pogromet komuniste të Stalinit. Mos të harrojmë këtu të famshmin Enver Pasha ish-Shefi i Shtabit të Shtatmadhorisë së Perandorisë Osmane, i cili ra dëshmor duke luftuar në Turkestanin e largët kundër hordhive të ushtrisë së kuqe leniniste, të cilat po masakronin pa mëshirë popullsinë e pafajshme muslimane për ta futur me dhunë Turkestanin në Bashkimin Sovjetik. Rënia e Bashkimit Sovjetik nuk ka ndryshuar asgjë nga këto politika, ku popullsitë muslimane të vendeve që i përmendëm më sipër kanë vazhduar pandërprerje qysh nga Boris Jelcini e më pas katili i stërvitur në kampet e KGB-së presidenti aktual Putin. Shifrat janë të larta, ku sa për të cituar një fakt më duhet t’ju tregoj se vetëm në Luftën e Dytë Ruso-Çeçene, që zgjati rreth 9 muaj (7 gusht 1999- 30 prill 2000) humbjet njerëzore në ushtarakë e civilë së bashku shkojnë nga 50,000-80,000 frymë. Rrethimi dhe shkatërrimi i Groznit është nga historitë më të dhimbshme në shifra. Në vitin 2003 Organizata e Kombeve të Bashkuara e emërtoi Groznin qytetin më të shkatërruar në tokë, sepse nuk kishte mbetur asnjë ndërtesë e vetme pa u dëmtuar nga bombardimet ruse. Forcat ruse gjatë rrethimit të Groznit patën 368 të vrarë dhe 1469 të plagosur (sipas burimeve ushtarake ruse), ndërsa humbjet civile çeçene shkojnë nga 5,000 – 8,000 frymë të pafajshme. Përpjekjet e Çiçikovit me frymët e vdekura nuk do të kishin gjetur përkrahës më të mirë se sa injorantët modernë që përloten nga një foto e Putinit që puth Kuranin. Kuçedra e pansllavizmit, siç e përshkruante Hafiz Dalliu, nuk i ka humbur ende të shtatë kokat e saj, ku një ndër to i ka fryrë vazhdimisht zjarrit të propagandës filoruse dhe ende vazhdon t’i fryjë sot në Ballkan. Kush preket nga fotografia e Putinit të mos harrojë më së paku atë që ndodhi në Bosnje Hercegovinë e Kosovë si pasojë e modeleve pansllaviste të marra nga këto lloj pogromesh, që kanë nisur nga mesi i shek. 19 e deri më sot kur po flasim.

putin kuran

 

Exit mobile version