Nga Abdulla Diku
Shqiperia renditet aktualisht si vendi me burimet me te paketa pyjore ne Evrope.
Bazuar në të dhënat e kadastrës pyjore dhe INSTAT (2017) Shqipëria ka rreth 1.052 milion ha me pyje (36.6% të sipërfaqes së vendit), me një volum lënde drusore rreth 51.6 milion m3. Nisur nga këto shifra rezulton që pyjet ne Shqiperi janë mjaft të degraduara, duke pasur një volum prej vetëm 49 m3/ha. Në 20 vitet e fundit fondi pyjor kombëtar është reduktuar me 32 milion m3 ndërsa volumi mesatar për hektar është pakësuar me 40% duke rënë nga 81 m3/ha (1997) në 49 m3/ha (2017).
Ekziton një hendek i thellë ndërmjet rritjes natyrore të pyjeve dhe volumit të fondit pyjor që pakësohetdhe ku prerja e pyjeve e tejkalon me 2-3 herë rritjen e tyre.
Nëse në vitin 1997 pyjet e virgjër përfaqësonin rreth 7% të siperfaqes se fondit pyjor kombëtar tashmë (2017) këto pyje përfaqësojnë vetëm 1% të tij. Një tregues i reduktimit drastik të tyre në një periudhë kohore prej vetem 20 vitesh.
Shqipëria përfaqëson sot të vetmin vend në Evropë ku prerja e pyjeve e tejkalon me 2-4 herë rritjen natyrore të tyre. Pjesë e kësaj situate të vështirë të fondit pyjor kombëtar janë edhe pyjet e vjetër në Shqipëri.
Sot, ekzistojnë shume kërcënime ndaj pyjeve të vjetër të tilla si; zjarret, prerjet, kullotja, gjuetia,mbetjet, erozioni, hapja e rrugëve, ndërtimet, HEC-et, pronësia mbi tokën etj. Këto kërcënime i bëjnë këta grumbuj edhe më të ekspozuar ndaj rrezikut të zhdukjes perfundimtare të tyre.
Qëllimi i këtij artikulli ka të bëjë me evidentimin dhe promovimin e atyre pak zonave natyrore me pyje të vjetër Ahu që kanë mbetur në vend. Janë zona ku natyra ka zhvilluar veten e saj duke mos pasur asnjëndikim nga njeriu. Proçeset dinamike natyrore kanë ndjekur normalitetin e tyre të zhvillimit, duke arritur në ekosisteme pyjoreqëpërfaqësohen aktualisht me stadin e tyre klimaks. Pyjet e vjeter te Ahut përfaqësojnë Shqipërinë e egër ose ‘ishujt e fundit natyrorë’ të saj.
Pyjet e vjeter te Ahut
Çdo vend ka formuluar propozimet e tij lidhur me përkufizimin e pyllit të vjetër/virgjër. Në terminologjinë pyjore shqiptare, në këtë formulim mund të përfshihen grumbujt e pjekur dhe të tejpjekur (zakonisht mbi 120 vjeçarë), me strukturë natyrore (kopshtore).
Një propozim për të përkufizuar pyjet e vjetër në Shqipëri do të ishte: (i) Pyjet e krijuara në mënyre natyrore, (ii) që nuk kanë përjetuar ndikim të rëndësishëm njerëzor gjatë zhvillimit të tyre, (iii) ku dominojnë drurët me moshë ≥120 vjeçare , (iv) janë të vendosura në njësi territoriale uniforme (të pa fragmentuara) dhe (v) që zenë një sipërfaqe minimale prej 100 ha.
Evidentimi i pyjeve të vjetër të Ahut në Shqipëri
Përzgjedhja e grumbujve më kryesorë me pyje të vjetër Ahu, u bazuata në disa kritere kryesore;
a. Mosha e grumbujve pyjorë (mbi 120 vjeç)
b. Një sipërfaqe minimale ≥ 150 ha
c. Topografia dhe homogjeniteti i zonës (zonë e organizuar në formën e një lugine, shpati, pllaje etj. duke shfaqur një grumbull pyjor të pa fragmentuar)
d. Mungesa e ndikimit njerëzor mbi zhvillimin e ekositemit pyjor (grumbuj ku ndikimi njerëzor nuk ka ekzistuar në dinamikën e zhvillimit të pyllit).
e. Mundësia për të garantuar menaxhimin dhe mbrojtjen e këtyre grumbujve pyjorë në kushtet ku ata ndodhen sot, të pa shqetësuar nga njeriu.
Bazuar në kriteret e mesipërme rezulton se zonat me pyje të vjetër Ahu në Shqipëri janë:
1. Livadhi i Harushës (bashkia Malësia e Madhe)
2. Lumi i Gashit (bashkia Tropojë)
3. Curraj i Epërm (bashkia Tropojë)
4. Lumi i Tropojës (bashkia Tropojë)
5. Zall-Gjoçaj (bashkia Mat)
6. Rrajcë (bashkia Përrenjas)
Këto zona paraqiten në figurën nr. 1 në vijim.Katër nga gjashtë zonat e propozuara (Livadhi i Harushës, Lumi i Gashit, Curraj i Epërm dhe Lumi i Tropojës) gjenden në rajonin e Alpeve Shqiptare duke përbërë kështu edhe rajonin jugor të Alpeve Dinarike. Ndërsa Zall-Gjoçaj shtrihet në Zonën Malore Qendrore ndersa Rrajca në rajonin Lindor të Vendit.
Për dy nga zonat; Lumi i Gashit dhe Curraj i Epërm ka të dhëna interesante për moshën e disa drurëve të analizuar në zonë. Matjet jan realizuar nga një grup me studentë nga Fakulteti i Pyjeve dhe Shkencave të Drurit (Universiteti i Çek i Shkencave të Jetës), Departamenti i Ekologjisë Pyjore të drejtuar nga pedagogët Martin Mikoláš dhe Ondrej Kameniar (2016).
– Lumi i Gashit jane gjendur 9 drure (nga 35 te analizuar) me moshe mbi 250 vjecare, ku 2 prej tyre kan qene me moshe 401-450 vjec
– Curraj i eperm jan gjendur 8 drure (nga 32 te analizuar) me moshe mbi 250 vjecare, ku 4 prej tyre ishin me moshe 300-350 vjecare.
Table 1. Të dhëna për moshën e disa drurëve në Lumin e Gashit dhe Curraj iEpërm
Zona Drurë të analizuar Mosha, sipas klasave të moshës (çdo 50 vjet)
∑ >250 251-300 301-350 351-400 401-450
Lumi i Gashit 35 9 4 – 3 2
Curraj i Epërm 32 8 4 4 – –
Këto janë edhe të dhënat më të fundit lidhur me moshën e dy prej grumbujve pyjorë në fjalë.
Figura Figure 1. Zonat me pyje të vjetër Ahu në Shqipëri
Zonat me pyje te vjeter Ahu janë pasqyruar në këtë botim të hartografuara, ndarë në dy nën zona (figura nr. 2);
– Zona qendrore – përfaqëson ekosistemet me Pyje të vjetër Ahu
– Zona buferike – përfaqëson ekosisteme të tjera të cilat bashkëshoqërojnë ato të pyjeve të Ahut, kryesisht brezi i kullotave Alpine. Janë quajtur zona buferike me qëllim që për çdo aktivitet menaxhues apo të përdorimit të territorit, këto zona të shërbejnë si zbutëse të ndikimeve apo presioneve mbi pyjet e vjetër të Ahut.
Figure 2 Zonimi i siperfaqeve me pyje te vjeter Ahu
Në hartë, zonat e propozuara janë paraqitur si njësi uniforme gjeografike (lugina), ku pjesa buferike përfaqëson kurorën që rrethon zonat me pyje të vjetër Ahu. Është quajtur zonë buferike edhe për arsyen se në realitet ofron një farë mbrojtje për pyjet e vjetër të Ahut si nga pikpamja e territorit ashtu dhe ajo e aktiviteteve socio-ekonomike që zhvillojnë aty komunitetet vendore.
Pyjet e vjetër të Ahut në Shqipëri
Grumbujt me pyje të vjetër Ahu në Shqipëri përfaqësojnë sipërfaqe unike, thuajse natyrore dhe deri tani pa ndikime të rëndësishme nga njeriu. Ato janë evidentuar të jenënë 6 zona të ndryshme të vendit me sipërfaqe dhe karakteristika të ndryshme nga njëra-tjetra.
Në tabelën nr.2në vijim jepen zonat me pyje të vjetër Ahu në Shqipëri dhe sipërfaqet respektive të zonave qendrore dhe buferike të tyre;
Table2. Zonat me pyje të vjetër Ahu dhe sipërfaqet e tyre
Nr Emri i zonës Zonë qendrore, ha Zonë buferike, ha Totali, ha
1 Livadhi i Arushës 1058.5 1381.3 2439.8
2 Lumi i Gashit 5228.8 4123.4 9352.15
3 Lumi i Tropojës 1243.6 2973.8 4217.5
4 Curraj i Epërm 1644.1 895.8 2539.9
5 Zall Gjoçaj 792.2 1652.9 2445.1
6 Rrajca 1730.0 1025.4 2755.4
Shuma 11697.3 12052.5 23749.8
Sipërfaqja e zonave me pyje të vjetër Ahu në Shqipëri, vlerësohet në 11,697.3 ha. Kjo shifër përbën vetëm 1.1% të sipërfaqes së fondit pyjor të vendit.
Sipërfaqja e zonave buferike, përreth pyjeve të vjetërtë Ahut vlerësohet në 12,052.5 ha. Edhe kjo ështënjë zonë mjaft e rëndësishmepër mbrojtjen e ekosistemeve të pyjeve të vjetërtë Ahut por edhe zbutjen e ndikimeve nëkëto pyje.Sipërfaqja totale e zonave ku gjenden pyjet e vjetërtë Ahut (zonat qendrore dhe buferike) vlerësohet në 23,749.8 ha.
Pyjet e vjetër dhe sistemi kombëtar i zonave të mbrojtura
Ruajtaja e pyjeve te vjeter te Ahut eshte shume e rendesishme. Do te ishte nje vlere e shtuar edhe per sistemin Kombetar te zonave te mbrojutra prezenca e pyjeve te vjeter te Ahut ne to.
Sot, vetëm dy nga gjashtë zonat me pyje të vjetër Ahu janë pjesë e Sistemit kombëtar të zonave të mbrojtura. Për të patur një vështrim më të qartë lidhur me mbulimin ose jo të pyjeve të vjetër të Ahut brenda Sistemit kombëtar të zonave të mbrojtura shikoni të dhenat në tabelën nr. 1;
Table 3. Mbulimi i pyjeve të vjetër të Ahu në SKZM
Zona me pyje të vjetër Ahu Kategoria e zonës së mbrojtur Kategoria (IUCN)
Livadhi i Harushës Parku Kombëtar ‘Alpet Shqiptare’ II*
Lumi i Gashit Rezervë strikte natyrore/ rezervat shkencor I
Lumi i Tropojës Parku Kombëtar ‘Alpet Shqiptare’ II*
Curraj i Epërm Parku Natyror Bashkiak ‘Nikaj-Mërtur’ IV*
Zall-Gjoçaj – –
Rrajca Parku kombëtar Shebenik-Jabllanicë II
*Zonat përfaqësojnë propozime të pa miratuara ende
Dy zonat me pyje te vjeter Ahu qe janë të përfshira aktualisht brenda Sistemit kombëtar të zonave të mbrojtura jan Lumi i Gashit (kategoria I) dhe Rrajca (kategoria II). Zonat e tjera janë aktualisht jashtë këtij sistemi. Për tre nga këto zona (Livadhi i Harushës, Lumi i Tropojës dhe Curraj i Epërm) ka propozime konkrete për ti shpallur si zona të mbrojtura. Livadhi i Harushës dhe Lumi i Tropojës janë propozuar (propozim i vitit 2016, i cili nuk është miratuar ende) për tu shpallur si zona qendrore të Parkut Kombëtar “Alpet Shqiptare” (kategoria e II). Kjo në kuadër të hartimit të planit përkatës të menaxhimit i cili përfshinte thuajse gjithë rajonin e Alpeve Shqiptare.
Curraj i Epërm është propozuar si zonë qendrore e Parkut Natyror Bashkiak/Parkut Natyror Rajonal (kategoria e IV). Propozimi është bërë në kuadër të hartimit të planit të menaxhimit të Parkut Natyror Rajonal Nikaj-Mërtur (2014), i cili përfshin të gjithë territorin e njësisë Administrative Lekbibaj (Tropojë). Propozimi nuk është miratuar ende nga MTM.
Per pyjet e vjeter te Ahut ne Zall-Gjoçajt nuk ka asnjë propozim konkret për ti përfshirë atë në sistemin e zonave të mbrojtura në vend.
Fakti që vetëm dy nga gjashtë zonat kanë një status mbrojtje aktualisht është një thirrje për vlerësimin e situatës së këtyre pyjeve duke i përfshirë ato sa më shpejt në Sistemin kombëtar të zonave të mbrojtura të vendit.
Fauna
Pyjet e vjetër të Ahut strehojnë një numër të madh llojesh të florës dhe faunës, duke u bërë kështu zona mjaft të ndjeshme dhe njëkohësisht të rëndësishme mjedisore. Këto pyje përfaqësojnë vende strehimi dhe ushqimi për një numër të madh speciesh të rrezikuara, pjesë e listës së kuqe të IUCN dhe asaj të Shqipërisë. Pyjet e vjetër të Ahut janë të vetmet zona në Shqiperi ku takohen të tre llojet e mishngrënësve të mëdhenj: Ariu (Ursus arctos), Ujku (Canis lupus) dhe Rrëqebulli (Lynx lynx ssp. balcanicus) dhe të tre llojet e thundrakëve të mëdhenj: Dhia e egër (Rupicapra rupicapra), Derri egër (Sus scrofa) dhe Kaprolli (Capreolus capreolus).
Flora
Edhe flora paraqitet mjaft e larmishme dhe me shumë lloje që janë pjesë e listës së kuqe të IUCN dhe asaj të vendit tonë. Në këtë mënyrë pyjet e vjetër të Ahut bëhen banesa më e rëndësishme e këtyre llojeve që janë të rrezikuara tashmë. Rreth 81 specie bimesh me status të rrezikuar gjenden në këto pyje.
Vlerësimi i rreziqeve
Vlerësimi i rrezikut për secilën zonë është bërë duke vlerësuar çdo rrezik të mundshëm (aktual dhe potencial) për zonën me një shkallë nga 1 deri në 10, ku numri 10 përfaqëson nivelin më të lartë të rrezikut potencial për zonën përkatëse dhe numri 1 rrezikun më të vogël. Janë analizuar dhe vlerësuar vetëm 10 rreziqet më kryesore për këto zona;
Figure 3. Rreziqet kryesore për pyjet e vjetër të Ahut
Rreziqet kryesore për pyjet e Ahut Zonat me pyje të vjetër Ahu
Livadhi i Harushës Lumi i Gashit Lumi i Tropojës Curraj i Epërm Zall-Gjoçaj Rrajcë
Zjarret 9 8 7 8 9 6
Prerja e drurëve dhe pyjeve 1 2 8 2 8 6
Gjuetia dhe peshkimi 2 3 5 2 4 5
Mbetjet 1 2 5 2 3 5
Hapja e rrugëve auto 1 4 10 2 8 4
Vizitorët 2 3 6 2 3 4
Erozioni 2 2 4 2 4 4
Ndërtimet 2 4 6 1 2 2
Ndërtimi i HEC-eve 1 3 3 4 6 2
Pronësia mbi tokën 2 5 6 2 3 3
Shuma e vlerësimit 23
36
60
27
50
41
Sipas vlerësimit të bërë në tabelëne mësipërme kemi këtë situatë të ekspozimit të pyjeve të vjetër të Ahut ndaj rreziqeve kryesore;
Figure 4. Niveli i rrezikut sipas zonave me pyje të vjetër Ahu
Duke ju referuar tabelës dhe grafikut të mësipërm Lumi i Tropojës mbetet masivi pyjor më i rrezikuar aktualisht. Kjo për shkak të ndërtimit të rrugës që e përshkon masivin pyjor mes për mes tij, duke sjellë me vete rreziqe të tjera potenciale (prerja e pyjeve, zjarret, ndërtimet, mbetjet, gjuetia etj) në zonë. Një tjetër efekt i rëndësishëm i prezencës së rrugës dhe që ka shfaqur tashmë ndikimin në zonë, është ai i ndërtimeve që kanë filluar të bëhen në pjesën e sipërme të luginës; në bjeshkët e Sylbicës. Ndër masivet e tjera Zall-Gjoçaj paraqitet më i rrezikuari. Kjo për shkak të zjarreve, prerjeve dhe ndërtimit të rrugës, e cila aktualisht gjendet fare afër sipërfaqes me pyje të vjetër Ahu. Dy masivet e tjera; Lumi i Gashitdhe Rrajcakanë thuajse të njëjtin nivel rreziku. Rrajca mbetet më e rrezikuar për shkak se është lehtësisht më e aksesueshme ndërsa Lumi i Gashit kryesisht prej zjarreve dhe ndërtimeve që kanë filluar të bëhen në bjeshkët e Dobërdolit.
Mbrojtja e pyjeve të vjetër të Ahut
Për mbrojtjen e zonave me pyje të vjetër të Ahut dhe të natyralitetit të tyre, është e nevojshme që të ndërmerren disa masa;
– Mbrojtja nga zjarri
– Rritja e zbatimit te ligjshmerise
– Mbrojtja nga prerjet
– Ndalimi i gjuetisë dhe peshkimit
– Ndalimi apo kufizimi i ndërtimeve
– Komunikimi dhe interpretimi
– Hartimi dhe zbatimi i planeve për zhvillimin e qëndrueshëm të zonave
– Përmiresimi i bazës ligjore për pyjet e vjetër të Ahut
– Ngritja e një rrjeti kombëtar për pyjet e vjetër
– Plan menaxhimi për pyjet e vjetër të Ahut
Propozime për pyjet e vjetër të Ahut në Shqipëri
Duke qenë se pyjet e vjetër të Ahut nuk kanë mbrojtje specifike ligjore si të tilla, rekomandohet si fillim përfshirja e tyre në legjislacionin kombëtar dhe më tej në rrjetet apo organizatat ndërkombëtare. Disa nga rrjetet që janë të pranishme aktualisht në Evropë dhe Botë janë; UNESCO, Wilderness Europe, European beech network etj. Gjithashtu do të ishte i nevojshëm edhe krijimi i një rrjeti kombëtar me pyjet e vjetër të Ahut.
Dhënia e statusit ligjor (kombëtar) ose integrimi i pyjeve të vjetër të Ahut në këto rrjete shihet si e vetmja mundësi për garantimin e mbrojtjes së sipërfaqeve të fundit me pyje të vjetër dhe natyrore të vendit. Kuptohet që duhet shumë punë dhe përkushtim në terren, për të garantuar mbrojtjen e këtyre pyjeve nga dëmtimet e mundëshme si zjarret, prerjet, ndërtimet, mbetjet, HEC-et etj.
Nga vëzhgimet e kryera në terren, rezulton se zonat paraqesin situata të ndryshme dhe duhen bëre propozime specifike për secilën prej tyre;
– Pëfshirja në Sistemin kombëtar të zonave të mbrojtura.
– Propozime per perfshirjen ne inventarin e Trashëgimisë Natyrore të UNESCO.
– Propozime per perfshirjen ne rrjetin Wilderness Europe
– Propozime per perfshirje ne Rrjetin kombëtar i Pyjeve të Vjetër.
Propozimet e mësipërme jepen të paraqitura në figurën në vijim;
Table 4 Propozimet për pyjet e vjetër të Ahut
Propozimet për pyjet e vjetër të Ahut Zonat me pyje të vjetër Ahu
Livadhi i Harushës Lumi i Gashit Lumi i Tropojës Curraj i Epërm Zall-Gjoçaj Rrajcë
Zonë e Trashëgimisë Natyrore të UNESCO
Zonë e Rrjetit Natyror Evropa e Egër (Wilderness Europe)
Pjesë e rrjetit kombëtar të zonave të mbrojtura
Pjesë e rrjetit kombëtar të Pyjeve të Vjetër të Ahut
Propozim aktual Zona e ka atë status Propozim i mundshëm në të ardhmen