“Qamil Buxheli për faraonët dhe firaunët”

Nga Virion GRAÇI

Duke lexuar librine Arben Iliazit për Qamil Buxhelin, në 100 vjetorin e lindjes, mu gjallëruan mbresat që kam nga leximet e këtij autori të madh të humorit, kudo ku i gjeja shkrimet e librat e tij, në librari, në biblioteka, në faqet e revistës javore “Hosteni”, në përmbledhje tregimesh të zgjedhura humoristike; gjeje në skica/skeçke, nëanekdota, nëfjalë të urta me bishtdhe në histori të palexuara, të qarkulluara gojarisht nga njëri te tjetri sipas modelit mbrojtës: Kështu ka thënë Qamil Buxheli. Me sa duket, kishim nevojë për guximin e tij dhe për gëzimin që të shkaktonte e shpotia e tij, ironia rrezëlluese. Nga tëhershmet thirrje me spec, e shkruar kjo, ishte modifikimi blasfemik i Manifestit të parë Komunist: nga “Proletarë të të gjitha vendeve bashkohuni”, në“Proletarë të të gjitha vendeve, mos kërkoni veresie.”

Në letërsitë kombëtare, ndërsa në gjini të tjera krijuesit që ngelen në pateon, që bëhen klasikë janë disa për çdo brezni, në fushën e humorit e satirës shkrimtarët janë të rrallë; në kontinent e më tutje, në botë, shkrimtarët e satirës e të humorit numërohen me gishtat e njërës dorë. Shpegimi i parë lidhet me talentin; duket se për këte lloj letrar, Providensa nuk është treguar zemërgjerë me krijesat tokësore, pak kujt ja ka dhënë dhuntinë; shpegimi plotësues mund të jetë natyra e komikes, satirikes – ndërsa drama e tragjedia arrijnë ta zmadhojnëderi në pafundësi kohëzgjatjen emocionale tëçastit, të prerjes së ngushtë kohore, satira dhe humori arrijnë që përjetësinë/kohështrirjen epokale ta shndërrojnë në një çast të vetëm, në një episod të vogël. Për këtë specifikë të prodhimit humoristik e të pëjetimit, gjërat quhen të ditura, të thëna, mjafton t’i kthehesh trashëgimisë për çdo analogji.

Në letërsinë tonë, duke pasur parasysh pjesëpër teatër të Ҫajupit, satirën e Gj.Fishtës, D. Bubanin, N. Bulkën e v. ’30-të e të tjerë të mevonshëm, Qamil Buxheli është i pari dhe i fundit autor deri tani që ka vepër të plotë letrare në llojin e satirës, duke qenë njëherësh pionier dhe kulm: është autor i romanit të parësatirik, kultivoi tregiminhumoristik dhe mbetet mëprodhimtari deri sot; kultivoi tregimin e shkurtër dhe anekdotën dhe mbetet i patejkaluar, sikurse është i shquar për reportazhet problemore, skicat letrare.

Paradoksalisht,krijimtaria e tij satiriko-humoristike lulëzoi përgjatë seriozitetit solemn të regjimit diktatorial, në periudhën ku censura, autocensura, liria e fjalës, liria krijuese në çdo dimension, ishin kodifikuara nga shteti dhe entet e tij botuese, ishin të kontrolluaramaksimalisht nga autoritetet zyrtare që me artin i lidhte kryesisht vija e ideologjike e partisë-shtet dhe punësimi komod në Tiranë, nëpër redaksi – si garantues të bionomit harmonik propagandë-krijimtari, ndërsa të qeshurën nuk e donin, i frikeshin po aq sa organeve të dhunës e të sigurisë.

Me Q. Buxhelin ndodhi si me shkrimtarët e mëdhej: instinkti krijues, vullneti i pakompromis për të mirën, për të bukurën, për të drejtën dhe të vërtetat domethënëse jetësore e ndihuan t’i sfidojë kufizimet dhe dogmat e epokës së tij, të ngrihet me gjuhën e satirës kundër veseve, mangësive, vaniteteve individuale e atyre grupore.

Krijimtaria e Q.Buxhelit vërteton përkufizimin e Z.Frojdit kur ka shkruar: ‘marrë në tërësi, humori është një veprim me të cilin Un-i i rrezikuar njerëzor mbrohet nga fyerjet që ja shkakton bota e jashtme dhe përpiqet t’i përballojë ato, jo vetëm duke mos pranuar t’i vuajë ato fyerje, por duke iu kudërvënë për të mbrojtur dinjitetin e tij përballë fuqish madhore.’ Pra, Frojdi e sheh humorin si mjetin e fundit të njeriut të mirë për vetmbrojtje dhe jep shembullin: gjykatësi ia kumton të pandehurit dënimin me vdekje dhe njoftimin se ekzekutimi do të kryehet të hënën, fjala jote e fundit. I dënuari përgjigjet: nuk po nis keq për mua java që vjen.

Fatmirësisht,Q. Buxheli nuk ishte në marrdhënie antagoniste me regjimin politik të kohës, as me shoqërinë. Por, higjena shpirtërore/intelektuale, intuita e pagabueshme prej krijuesi e sillte ndesh me hipokrizinë, me servilizmat, me gënjashtrat, me lapërdhitë dhe shëmtitë ngado që vinin, prej kujtdo të ishin ato. Përgjigjia e tij ishte e njëjtë: humor dashamirës, përqeshje fisnike, qortime elegante nëpërmjet gjuhës së figurshme artistike. Siç më kujtohet nga një bisedë televizive, gati 30 vite më parë, ai pohoi si moto fjalën e urtë–largoja mushkonjën nga faqja tjetrit, pa i rënëme shpullë. Kështu, humorii tij nuk ishte denigrues, kritika e tij nuk ishte nihiliste, parodia e tij ishte njerëzore, dashamirëse, materiali i tij gjuhësor e frazeologjikishte i natyrshëm dhe burimor, në thelb, humor i tij ishte modern, ishte humor i mendimit.

Dihet, Q.Buxheli u qëndroi besnik idealeve të tij rinore; duke zgjedhur rrugën e letërsisë, si çdo shkrimtar, herët a vonëdo të binte ndesh me ‘zbatuesit e idealeve’, me përditshmërinë, me pushtetin e deformuar, të denatyruar, sipas rastit, sikurse do të haste tipa të lehtë nga natyra, me të meta e kusure; gjërat ishin sheshit, sikurse thotëduke përgjithësuar marrdhëniet shkrimtar-pushtet shtetëror: ne kemi satirën, ata kanë satërin.
Libri i parë që kam lexuar nga Q. Buxheli, ndodhi rastësisht kur ishanë shkollën 8 vjeçare, ka qenë “Kariera e zotit Maksut,” (1971) gjetur në rrëmujën e librave të tim eti. Më ngazëlleu. Jam i mendimit se është kryevepra e tij, nyja nga ku shkojnë fijet e veprave tëmëparëshme e tëmëvonshme, krahas mjeshtërisë kompozicionale, pasurisë lëndore dhe procedimeve artistike..
Ky roman, si piknisje tipologjike ështëme formulë të njohur që nga komedia antike romake, rimarrë nga ajo latine, gjallëruar te Shekspiri me “Komedinë e keqkuptimeve” dhe te N. Gogoli me “Revizorin”, pra fabula e ngatërresës së një a dy njerëzve me një a dy të tjerë, të ngjashëm me ta. Mbi keqkuptime rrethanansh apo skema mashtruese të qëllimshme të personazheve, hapet perdia e skenës së jetës, dalin në shesh tipa, karaktere, ambiente, pra del në pahthelbi i një shoqërie, një rendi politik,i vleraveetike e morale, idividuale e kolektive.
Ngjarjet e romanit vendosen nëkomunën e Tarinës, qëmë ka tigëlluar si Tiranës; komuna me kryetarin, xhandarët, klerikët fetarë, mësuesit, të kamurit e të skamurit; kjo hapësirë komune e viteve ’30, të bën të shohësh përtej saj, në hapësirë e në kohë. Krenaria e investimeve shtetërorenëTarinëështë ndërtimi i VC-së publike, krahas punëve dytësore si riparimi i burgut dhe muri rrethues i varrezave. Projektimi i saj i lënë specialistëve të huaj pasi këta tanët, ‘kur ju kërkon të bëjnëVC, e bëjnë hale’. Për ta çuar satirën në nivele gogoliane, tregohet se në inagurimin e VC-së publike do të vinte kreu i shtetit, sikurse ndodhi në rrethana krejt të paparashikuara dhe, në dalje, ishte vendosur libri i përshtypjeve ku frekuentuesit mund të shpreheshin me shkrim.
Autoritet tona shtetërore, tradicionalisht, me spektakle inagurimesh të tilla për popullin, kanë legjitimuar moralisht sundimin e tyre dhe të drejtën natyrore për vijimësi. Autori i bën të dukshme me gjuhën e humorit problematikat e mprehta të shoqërisë së kohës, pa rënë në publicistikë, pa deklarativizma, duke u marrë konkretisht me paradigmën nëminiaturë: Komuna Tarinë. Satria, sarkazma, humor i kristaltë i këtij romanishkëlqejnë në çdo kohë leximi- meritë e autorit, por dhe e sistemeve politikë që zëvendësojnë njëri-tjetrin, por përsërisin njëri-tjetrin, metodologjikisht. Q.Buxheli te “Kariera…” ka ravijëzuar skeletin e çdo pushteti shtetëror me fjalimexhijtë e palodhur, me duartrokitësit e parapaguar, me rryshfetdhënësit e rrushfetmarrësit; për më tepër – delenxhijtë e derdimenët që rasti i ka ngulur nëpër zyra e kolltukë, nisin një garë të ethshme për të hyrë, po me bakshishe e peshqeshe nëlibrahistorie, në historinë e Shqipërisë, si njerëz, si familje, si klasë.
Q. Buxheli ka sjellë te “Kariera… ” një galeri tipash të gjithëkohshëm, sikurse ka zbuluar me gjuhën e gjetjeve zbavitëse mekanizmat me të cilat pushtetmbajtësit e mëtonjësit për karierë të madhe përpiqen të lahen e të shplahen për sytë e publikut.Zymtësinë e jetës së përditëshme, përvuajtjen e njeriut të zakonshëm, arrin ta japë pa na shkaktuar zymtësi, e gjallëron me gjetje të bukura estetikisht, (dora e shtirë për lypje quhet ‘shikojnë a pushoi shiu’; protesta fshatare, përleshja me xhandarët e kapur e tëfutur nëpër thasë për t’u dhënë dajak ‘shpegohet’ si lojëra popullore, vrapim me thes e kërcim me shkop; të uriturve ju shpërndahen kruajtëse dhëmbësh për të krijuar te vizitorët e huaj idenë se porsa janë çuar nga gostia e bollshme, etj., gjetje funksionale. Nga ky këndshikim, pra, për shkak të kësaj tabloje, nuk është për t’u habitur që edhe ky libër, u la mënjanë nga kritika lavdëruese e kohës, për të mos thënë u pa shtrembër, pa harruar masat e dëmshme administrative ndaj autorit. Ai, sidoqoftë, me gjuhën e satirës i lau hesapet me satrapët duke i stigmatizuar sërish faraonët dhe firaunët.
Nga kujtesa, skematikisht, dy shembuj nga “Kariera…”
(I) Fshatarëve të varfër që kërkojnë ndihmë e zgjidhje nga qeveria, u kërkohet të marrin nga një ministër secili. – Nga një ministër? Ne jemi të varfër. – Nuk kushtojnë, nga një grosh janë. – E çfarë të bëjmë me ministrat? – Ti varni. – Ti varim? – Ti varni në mur, – u thotë nëpunësi i prefekturës. (Është fjala për fotografitë e ministrave.)
(II) Nëpunësit, sa herëbënin prapësi, rryshfete, mëkate, shkelje të ligjit, mbulonin me beze fotografinë e Lartmadhërisë. Nuk donin ti shkonte i madhi. I madhi nuk shikonte, nuk dinte gjë.
Jeta e re socialiste, me dukuritë e saj, fushatat, gabimet e teprimet e saj, ka kaluar po ashtu nëpër filtrat satirikë të Q. Buxhelit.
Disa shembuj.
Nivatorizmi/shpikjet/racionalizmiet, të propaganduara, por pa gjasa konkrete për sukses e leverdi ekonomike, për shkak të mënyrës si ishte konceptuar ekonomia jonë, stigmatizohet: …i lumtë shokut filan, makineria që ai shpiku zëvendëson punën që më parë e bënin 3-4 veta, por për ta vënë në punë këtë makineri duhet 10-15 shokë të tjerë kurse për ta ndaluar duhen thirrur dhe ata të repartit tjetër.
Qarkullimi i kuadrove, për edukim, për shkëmbim përvojash të përparuara …shkon një kuadro në bazë, për ta arsyetuar dobinë e qarkullimit të kuadrove edhe në stane, mes blegtorëve; duke kuvenduar me kryebariun vjen lajmi se një çoban, i sapoqarkulluar në stanin e tyre, e kanë ngrenë qentë e ‘tij’, pasojë e qarkullimit të ‘kuadrove’ edhe në këtë sektor.
Cilësia e shërbime në të vetmin sektor shërbimesh, ai shtetëror, në çdo aspect si pastërtia, edukata në shërbim nga punonjësit përkatës, në serinë e reportazheve te “Hosteni”, “Progam me muzikë sipas kërkesave të dëgjuesëve tanë”, për restorantet e ushqimit social, (1) papastërtia, hyrje daljet e instektve, kafshëve shtëpiake, etj: “O çoban çoban i dhenve/ a u flet atyre qenve, se po vjen syzeza.” Ndërsa (2) për shërbimin, vargëzon po me motive folklorike: u çu Rusha ka la syt/ n’durt e bardha mban një sitë/ çdon klient me hangr, me t’qitë? –Asgja Rush, veç një thikë/ e pak ujë se jam tuj mbytë.
Për rolin e titullarëve të institucioneve në mbarëvajtjen e punëve, parodizim në rubrikën e ‘Hostenit’: Të pashë në një majë bregu/ po bëje gjumë shelegu/boll fjete fjetsh të madhen/merr shaminë e prije vallen.”
Për nepotizmin në administratë e institucione …gjetje të shkëlqyer, pas mbledhjes me këtë temë, lufta parimore kundër nepotizmit, drejtori dëgjon në qendrën e zërit të ndërmarrjes transmetimin e ndeshjes së futbollit midis ndërmarrjes së tij dhe ekipit të njëndërmarrjeje tjetër: topin e ka djali i tezes, ia pason djalit të xhaxhait, ky – dajës, daja – xhajës nga daja, daja – krushkut….
Për lidhjen (artificiale) mes kuadrove drejtues me masat punonjëse…shoku Ilo shkon për vizita. Ka marrë të dhëna për punonjësit me qëllim që ti urojë apo qortojë sipas meritave apo të metave që ata kaë. E meqë janë vizita të planifikuara e të kryera me shpejtësi, nga halli, ai ngatërron personat, atë që merrt me shpifje e falenderon sepse e ngatërron me atë që merret me shpikje, sikurse qorton atë të shpikjeve po për shkak të ngatërresës; boll brodhe lule më lule, hamoqellë, tai mblidhe mendjen, martohu, u bëfsh me nuse e me çilimij uron një burrë të martuar e me disa fëmijë duke ngatërruar të dhënat që ka për një beqar.
Për tipat që rrojnë si këshilltarë të eprorëve …një personazh e merrte pagën duke ndenjur nën hijen e fikut që nuk lidhte kokrra dhe jepte ide, formula, gjente rrugëzgjidhje, psh: t’i varrosim të vdekurit vertikalisht që të kursejmë tokën; pse t’i mundojmë fëmijët deri në Krujë për të parë kalanë, e bëjmë këtu një kala dhe e shohim kollaj, etj.
I quajturi emancipim socialist i jetës në fshat …një djalë qyteti qëështë fejuar në fshat me një vajzë të quajtur Miranda, në rrugë e sipër takon veterinerin e ndër të tjera e pyet për Mirandën. Veterineri fillon t’i tregojë me passion për një lopë stalle të quajtur Miranda, siç kishte filluar pajisja me emra të përvetshëm e gjedhëve.
Janë me qindra episode të tilla në korpusin letrar të Q. Buxhelit, krahas rrëfimeve të gjata e të strukturuara mirësi romanet. Trashëgimia e tij kërkon vëmendje. Në vende me letërsi historikisht të zhvilluara, vepra të satirës e humorit kanë shënuar shënuar cilësisht epoka të reja letrare, për shembull “Gargantua e Pantagryel”, “Don Kishoti i Mançës”, “Aveturat e Hakelber Finit” e “Aventurat e Tom Sojerit”, ose Jaroslav Hashek, bashkëkohës e bashkëqytetar me Frac Kafkën, me Shvekjkun e tij është po aq i përbotshëm, etj. Kështu duhet parëroli e vend i Qamil Buxhelit mes bashkëkohësve e kolegëve të tij; përkundrejt patetikës së tyre revolucionare e propagandistike, përkundrejt hiperbolizimeve të tyre glorifikuese për partinë, për udhëheqësin, për parajsën komuniste në Shqipëri, për lumturinë e pacak të shqiptarëve dhe rolin e tyre ndriçues në botë, letërsia e tij, ku mungonte politizimi partiak, mungonte armiku i jashtëm e ai i brendshëm dhe urrejtja për ta, ishte ana tjetër e medaljes, përbërës nderues i skenës kulturoreshqiptare, përnjimend emancipuese, pasuruese e mendimit kritik, humanizuese, çliruese dhe argëtuese njëkohësisht.

p.s. kur jam para pyetjes së rëndomtë të gazetarëve për fillimet e mia krijuese e të tjera hollësi biografike nga këto, buzëqesh dhe i them vetes kujdes, mos e tepro. Më vjen në mend një intervistë e improvizuar e Q. Buxhelit. Gazetari e pyet kur ke filluar të shkruash. Ai përgjigjet- në semestrin e dytë të klasës së parë fillore. – Si ka mundësi kaq vonë? habitet gazetari. – Më parë kam qenë analfabet, përgjigjet Buxheli.
Kështu si unë, besoj, lexuesit e shumtë, sa herë do ta kujtojnë Q. Buxhelin, do të buzëqëshin dhe do tëbëhen më të matur, më të pjekur, më të fisnikëruar.

Exit mobile version