Qazim Sejdini me agjensi doganore që po hetohet për trafik droge

Lidhjet e njerëzve të Ramës me trafikun e drogës janë të frikshme. Qazim Sejdini është një nga emrat më të përmendur së fundmi për korrupsion dhe inkriminim në ngjarje të ndryshme që lidhin atë dhe familjarët e tij. Dje një tjetër denoncim i kreut të PD, Basha zbardhi faktin se Sejdini disponon një agjenci doganore, e cila është nën hetim për organizimin dhe zhvillimin e trafikut të drogës.
Ndërsa denoncoi njerëzit e Ramës të lidhur me trafikun e drogës, Basha u ndal konkretisht tek kryebashkiakët e Ramës. Kreu i PD, Basha e lidhi denoncimin e tij me vet emërimet e Ramës në qeveri e Parlament, ndërsa përmendi Elvis Roshin, Qazim Sejdinin apo Vangjush Dakon, të korruptuar e të inkriminuar tre kryebashkiakë që kanë bërë kërdinë në afera.
Basha u ndal konkretisht tek një nga kryebashkiakët më të korruptuar të inkriminuar të Ramës, Qazim Sejdini, ndërsa bëri të ditur se aktualisht kryebashkiaku i Ramës ka një agjenci doganore, e cila po hetohet për trafik droge.
Nuk është rastësi që paratë dhe dokumentat që nuk donte që t’ja kapte Prokuroria, Saimir Tahiri ja dha në ruajtje një biznesmeni, të cilit i kishte dhënë më parë edhe tendera publikë. Nuk është rastësi që Qazim Sejdini ka një agjensi doganore që po hetohet për trafik droge. Nuk është rastësi, që Elvis Roshi është ndërtuesi më i madh në zonën e Kavajës. Nuk është rastësi, që Vangjush Dako është njëkohësisht, kryebashkiak, biznesnmen dhe kryekapobanda i Durrësit. Nuk është rastësi, që familjarët e pushtetarëve duke nisur nga i pari i qeverisë e me radhë, befas kanë pasion për bankat. Apo që gjysmën e ditës e kalojnë me kriminelë dhe gjysmën tjetër me bankierë. Dhe nëse kjo vazhdon, nuk kemi parë gjë akoma.
“Njerëzit e kanë provuar Ramën me dhjetëra herë. Prova e tij është Elvis Roshi. Prova e tij është Klement Balili. Prova e tij është Saimir Tahiri, Agron Xhafaj, dyshja Dako-Çela, Qazim Sejdini. Për të mos folur për Ilir Beqajn, Damian Gjiknurin, Arben Ahmetajn. Edi Rama nuk do që të largohen ata, ai thjesht po përpiqet të gjejë çdo hile, çdo manovër çdo truk të mundshëm për të mos ndryshuar fatin e Roshëve, Tahirëve, Dakove dhe natyrisht fatin e tij. “Të ndryshojmë çdo gjë për të mos ndryshuar asgjë”, siç thotë siçiliani i famshëm.
Nëse duam që gjërat të mbeten siç janë, gjërat duhet të ndryshojnë”. Askush nuk i ka zbatuar më mirë se Edi Rama këto fjalë legjendare të siçilianit Xhuzepe Tomasi i Lampeduzës.
Ky që kur ulej me fshatarët i pyeste me vetëkënaqësi si shkonin me kanabisin, duke ju dhënë të gjithë shqiptarëve mesazhin shkatërrues se është mirë të kultivosh kanabis; Ky që përkëdhelte Elvis Roshin para gjithë shqiptarëve, duke e quajtur “krimineli im i dashur”, duke i dhënë çdo krimineli mesazhin se për ta ka vetëm dashuri; Ky që Saimir Tahirin nuk e largonte nga krahu i tij i djathtë, duke u thënë trafikantëve se policia dhe qeveria ishte e tyrja; Ky që solli dhe strehoi në Kuvend e në krye të bashkive më shumë kriminelë të rrezikshëm se në burgjet e vendit;
Pikërisht ky, Edi Rama, Sot po shfaqet nëpër të njëjtat tribuna dhe studio, ku deri dje ulërinte se në Shqipëri nuk ka as kanabis dhe as krim. Tani që e vërteta për kanabizimin e vendit dhe kriminalizimin e qeverisjes ka marrë dhenë, Edi Rama po përpiqet të ndryshojë çdo gjë në sipërfaqe, për të mos ndryshuar asgjë në thelb. Duke provuar t’i mashtrojë edhe një herë, për të disatën herë, shqiptarët e ndershëm, shqiptarët e mjeruar nga krimi dhe korrupsioni, shqiptarët që zbatojnë ligjin e rregullat, shqiptarët që ende shpresojnë se gjërat mund të bëhen më mirë.
Pasi i mashtroi me shëndetësinë falas; duke e privatizuar atë tek klientët; Pasi i mashtroi me vendet e punës, duke i shtyrë të emigrojnë për bukën e gojës; Pasi i mashtroi me drejtësinë, duke liruar kriminelët nga burgjet; Pasi i mashtroi me rilindjen e Shqipërisë, të cilën e ktheu në rilindje të krimit dhe pasurimit privat dhe personal të një grushti pushtetarësh dhe oligarkësh;
Tani po mundohet të verë në skenë një mashtrim edhe më të madh. Në një sallë luksoze, me ekrane të mëdhenj e drita të shkëlqyeshme, i rrethuar me policë që shërbejnë si figurantë, Edi Rama deklaroi se do ta çlironte Shqipërinë nga krimi. Ata që bashkë me të, për katër vjet i gënjyen dhe i mashtruan shqiptarët për kanabisin, për Saimir Tahirin, për kriminelët e lidhur me Edi Ramën, duartrokitën. Me zor dhe me sytë poshtë.
Sepse tani njerëzit dinë dhe kuptojnë fare mirë se çfarë ka ndodhur. Tani të gjithë e kanë parë, se Edi Rama është gjithmonë në krah të kriminelëve dhe jo të njerëzve të thjeshtë, është gjithmonë në anën e krimit dhe jo të ligjit”.

 

Artikulli paraprakfaqja e pare
Artikulli tjetërSkema 1 miliard euro, qeveri-krim-banka