Qazim Sejdini, para dhe presion të aksidentuarit për t’i mbyllur gojën

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini aksidentoi me makinën e tij një qytetar në Labinot Fushë dhe u largua nga vendngjarja pa i dhënë ndihmë të plagosurit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e të dielës, rreth orës 14:30 në aksin rrugor Librazhd-Labinot. Sejdini po kthehej me makinë për në Elbasan, pasi kishte drekuar në një lokal në afërsi të Librazhdit me tre njerëz të tij. Në Labinot Fushë, makina që drejtohej nga shoferi i tij përplas një të ri që po ecte me biçikletë në anë të rrugës. Sipas dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, Sejdini ka lënë një person aty dhe vetë është larguar me makinë pa i dhënë ndihmë të plagosurit. Kanë qenë banorët e zonës që i kanë ardhur në ndihmë të riut, i cili më pas është dërguar në Spitalin e Elbasanit nga dy të afërm të tij.
Dëshmitarë nga vendngjarja bëjnë të ditur se, personi që kreu i Bashkisë së Elbasanit ka lënë tek i plagosuri ka qenë Aurel Kaja, punonjës i INUK-ut të Elbasanit, që ishte sëbashku me Sejdinin në lokal. Skandali thellohet edhe më shumë, pasi Sejdini nuk e ka lënë “ushtarin” e tij për t’i dhënë ndihmë të plagosurit, por për t’i bërë presion që të mos fliste për aksidentin dhe të mos e përmendte emrin e Qazim Sejdinit. Po ashtu, bëhet e ditur se Sejdini ka paguar para për t’i mbyllur gojën të plagosurit që ndodhet i shtruar në spital.
Plagosja e qytetarit nga kreu i Bashkisë së Elbasanit u denoncua fillimisht nga një qytetar nga Elbasani, i cili iu drejtua me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha. Qytetari shkruante se, makina e Qazimit me atë brenda, pasi ka dalë nga një lokal ku ka drekuar ka përplasur në rrugën e Labinotit Fushë një motor me drejtues A. Allushi. Ai shkruante më tej se, personi është dërguar urgjent ne spital. Ngjarja mbahet e fshehtë dhe familjarëve u është ofruar një shumë parash dhe bërë presion të mos flasin. “Policia fsheh krimin! Don Lala aksidenton me makinën e tij të riun A. Allushi. Bëhen përpjekje për të mbyllur me para aksidentin”, shkruante Berisha në një postim në Facebook.
Pas publikimit të lajmit nga ish-Kryeministri Berisha, reagoi edhe Policia e Elbasanit, e cila mori në mbrojtje kryebashkiakun Sejdini. Policia deklaroi në një njoftim për shtyp se, aksidenti ka ndodhur në aksin rrugor Librazhd-Elbasan, pranë fshatit Labinot Fushë rreth orës 14:30. Po ashtu, policia pranon se makina ka qenë e Bashkisë së Elbasanit, por nuk e përmend emrin e kreut të Bashkisë Qazim Sejdini që ndodhej në makinë. “Një mjet tip “Benz” me targa AA 359 NK drejtuar nga 51-vjeçari Xh.F në Elbasan, në pronësi të një kompanie dhe marrë me qira në përdorim nga Bashkia Elbasan, ka aksidentuar motorçiklistin A.A., 32 vjeç banues në Labinot Fushë”, tha policia në një njoftim.
Po ashtu, ka reaguar edhe vetë Sejdini, duke u shprehur se, ia ka lënë drejtësisë që të bëjë punën e saj. Por qytetarët e pranishëm në vendngjarje kanë sjellë prova dhe fakte, duke rrëzuar versionin e policisë. Denoncimi i qytetarëve është bërë sërish publik nga ish-Kryeministri Berisha. “Qytetari dixhital ka një pyetje për don Lalën: Pse nuk u ndale të kujdeseshe për viktimën tënde?”, shkruante Berisha në një postim në Facebook.
“Mirmbrëma doktor. Dëgjova deklaratat që Qazim Sejdini ia ka lënë drejtësisë që të bëjë punën e vet. Një pyetje kam për don Lalën, si mund të veprojë drejtësia ku vetë don Lala, natyrisht i shoqëruar me eskortën e tij shtyp një person në rrugë dhe largohet nga vendi i ngjarjes, duke lënë aty ushtarin e tij, Aurel Kaja, (Leli INUK-ut të Elbasanit) bashkë me dy badigardë. Në fillim mendova se do ta ndihmonin të plagosurin, por arsyeja e ndalimit ishte t’i bënin presion qytetarit që të mos fliste dhe të harrohej ky incident, duke mos u interesuar për asnjë sekond për shëndetin e personit të lënduar. Kjo është drejtësia e don Lalës???”, shkruante qytetari nga Elbasani.
Policia e Elbasanit fillimisht e mbajti të fshehtë këtë ngjarje të rëndë dhe më pas u detyrua të japë një njoftim për shtyp vetëm pas publikimit të lajmit nga ish-Kryeministri Berisha. Edhe pse policia pranon se aksidenti është shkaktuar nga makina e Bashkisë së Elbasanit nuk thotë asnjë fjalë se në makinë ndodhej edhe kreu i Bashkisë, Qazim Sejdini. Në këtë mënyrë, policia fsheh krimin e shkaktuar nga kreu i Bashkisë.
Prej disa ditësh, mediat kanë publikuar lajme se si Qazim Sejdini mbështet bandën kriminale në Elbasan që sulmoi me makinë nëndrejtoprin e policisë. Sipas mediave, banda Çela që goditi makinën e nëndrejtorit të Policisë së Elbasanit ka mbledhur vota me kallash në dorë, duke kërcënuar qytetarët që të votonin Sejdinin.

Exit mobile version