Qen i mrekullueshëm

Nga Edison Ypi

Si çdo Alice që nuk rri në vendin e vet por ikën në Wonderland, edhe Alice Taylor iku nga Anglia, vend me shira dhe mjegulla, në Shqipëri, vend i ngrohtë, me qiell të kaltër, det blu, diell të zjarrtë.

Bujrum Alice. Shtëpia e shqiptarit është e mysafirit. Faleminderit që erdhe nga shiu në diell duke na bërë të ditur se ekziston dhe trafiku i kundërt me atë të matjanëve, dibranëve, bulqizakëve, që ikin nga dielli në shi, dhe janë bërë mullar te Anglia ime.

Alice punon në një televizion në Tiranë ku bën biseda, merr intervista nga protagonistë të politikës, ekonomisë, Artit, Kulturës.

Para ca ditësh Alices iu shkrep të ikte në Kukës.

Me të arritur në Kukës, Alice konstatoi se: një Kukës mbi tokë, tjetri Kukës i fundosur në liqen, i treti Kukës me llagëme nëntoke, pra 2 Kuksa të vdekur dhe 1 Kukës i gjallë, në Shqipëri nuk ka 1 Kukës, por 3 Kuksa.

Nëpër Kukës hyjnë e dalin gazetarët dhe reporterët e Shqipërisë dhe Kosovës.

Kur NATO bombardoi Serbinë, me ardhjen në Kukës të reporterëve nga të gjitha vendet, në Kukës hyri e doli krejt Bota. Por askush nuk ka vërejt se Kuksa nuk ka 1 por 3.

U desh të vinte Alice Taylor ta zbulonte dhe interpretonte të vërtetën tronditëse të 3 Kuksave.

Alice nuk e bën reportazhin si e bëjnë këtu ca që as duan as dinë, mes javashllëkut, gromësimave, papërgjegjshmërisë, ose edhe pa vajtur, para kompjuterit, pa dalë nga zyra.

Alice reportazhin e bën ashtu si reportazhi duhet bërë, të gjallë, energjik, vibrant, inkandeshent, duke lëshuar gjatë bashkëbisedimit grimasa dhe klithma të lehta që i dalin vetvetiu nga deti i shkumbëzuar i imagjinatës dhe oqeani plot dallgë i ndjeshmërisë.

Ku Alice vete, nuk takon mësuesin ose veteranin, që të dëgjojë rrenat e tyre për heroizmat e stisura të banorëve që luftuan dhëmb-për-dhëmbë me gjermanin kur gjermani desh’ t’i vinte zjarrin të vetmit përrua në katund.

Spital i vdekur nën spitalin e gjallë.

Shkollë e gjallë mbi shkollën e vdekur.

Vorrezë e vdekur mbi vorrezën e gjallë.

Në liqen fundosur, spital, shkollë, vorrezë e mbytur.

Se paska thënë keq Herakliti: Të gjallët janë bashkë, në Kuksin e mbytur. Të vdekurit janë veç, në Kuksin e ri.

Sillu e sillu në shoqërinë e një inxhinieri si Dante me Virgjilin nëpër Ferrin me 2 Kuksa të vdekur dhe 1 Kukës të gjallë, Alice përjetoi episodin më eksitues të jetës së vet. Sa s’shkalloi nga trutë e kokës.

Video-reportazhi plot me grimca dhe dromca të shijshme të Alices për 3 Kuksat, në fund ka një twist aq të hatashëm si me ta shkul me sqepar kapakun e kokës.

Tek ishte duke folur për pasuritë e Shqipërisë me në sfond liqenin, malet, mjegullat, kur po rreshtonte faktorët më të rëndësishëm për ringritjen e Shqipërisë, Historinë, Kulturën, llagëmet, vizionin, investimet, befas, pas shpinës së vet, dëgjon të lehurat e një qeni.

Në një rast analog, duke menduar sa fatzi është që ligjëratën ja ndal një qen që leh, çdo reporter i botës, atë qen do e kishte mallkuar për vdekje.

Por jo Alice.

Ai qen e ato lehje, Alicen e rrënqethën, i falën një kënaqësi artistike dhe intelektuale sikur ktheu në çast një fuçi me verë.

Si një dhuratë nga Zoti që i zbriti befas nga qielli, Alice ktheu pak kokën e zjarmuar nga vinin të lehurat e qenit. Dhe krejt natyrshëm, pa bërë asnjë dallim mes qenit të lehjeve dhe kulturës, tuneleve, investimeve, madje duke theksuar qartë përparësinë e pamohueshme, rolin e pazëvendësueshëm të qenit dhe lehjeve të tij në mbarëvajtjen e vendit, qenin e lehjeve e cilësoi hiç më pak se “this wonderful dog”.

Mos pyet si mund të jetë i mrekullueshëm një qen të cilit ja dëgjon lehjen, por nuk e sheh me sy, nuk e di cilës rracë qensh i përket, çfarë lloj lehje praktikon, është këlysh apo i rritur, çfarë ngjyre ka, a është leshtator apo jo. Ato i di Alice, Ajo që punës dhe përgjegjësisë nuk i bishtnon, reportazhin nuk e bën me këmbë e me dhëmbë, por me kokë, me qef, me spontaneitet, me kreativitet.

Prite tani kur Alice të na zbulojë të tjera zullume që s’i dimë. Për shembull, se përveç 3 Kuksave me qen që lehin, kemi dhe 5 Skrapara me dhelpra që hanë pula, 4 Librazhda me gjarpërinj që të helmojnë, 7 Gollobërda me derra të pangopur, 9 Mallakastra me mace që çjerrin, 10 Puka me arinj që hanë mjaltin.

Por këto ndoshta kapërdihen para një rreziku edhe më të madh. Nëse, rujna Zot, Alice do zbulojë se në Shqipëri pas 1 qeni vigjëlojnë 100 zagarë, pas 1 Hasani struken 10 Hysenë, pas 1 Dervishi ruajnë 5 Bektashë, pas 1 Jani fshihen 20 Jorgo.

Exit mobile version